1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tadiç në Berlin - Merkel: Fillimisht marrëveshja interim e më pas kandidatura për Serbinë

16 Nëntor 2009

Gjermania do të angazhohet për afrimin e Serbisë me BE-në. Këtë e premtoi kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë një takimi të zhvilluar të hënën me presidentin serb Boris Tadiç.

https://p.dw.com/p/KYVl
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Serbisë Boris Tadiç në Berlin
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Serbisë Boris Tadiç në BerlinFotografi: picture-alliance /dpa

Tadiç u përpoq të fitonte mbështetjen e Gjermanisë për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se kandidatura vjen pasi të ketë hyrë në fuqi marrëveshja interimi: "Ne mendojmë se tani ka ardhur koha që të hyjë në fuqi marrëveshja e interimit. Për këtë do të flasim edhe me partnerët tanë, që janë të mendimit, se Serbia nuk i ka plotësuar ende kushtet, pastaj mund të fillojë hapi tjetër, paraqitja e kandidaturës së Serbisë", tha kancelarja gjermane në një konferencë shtypi në Berlin.

Serbia kishte paralajmëruar më parë dëshirën e saj për paraqitjen e kandidaturës për anëtarësim qysh në fund të këtij viti megjithëse marrëveshja interim (e ngjashme me atë të Stabilizim - Asociimit) nuk ka hyrë ende në fuqi. Shkak për këtë është refuzimi i Holandës për ratifikim pasi nuk është dëshmuar bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. "Ne po bëjmë gjithçka për kapjen e Ratko Mladiçit dhe Goran Haxhiçit", siguroi Tadiç dhe shtoi: "Besoj dhe shpresoj se raporti i kryeprokurorit Serge Brammertz do të jetë pozitiv dhe se ky do të krijojë mundësinë që ta dorëzojmë kandidaturën për anëtarësim qysh brenda vitit 2009."

"Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën"

Tadiç nuk la pa përmendur edhe Kosovën, duke theksuar edhe një herë se Serbia nuk do ta njohë atë kurrë si shtet të pavarur, por duke siguruar se ajo do të përpiqet ta zgjidhë këtë problem me mjete diplomatike, duke pasur parasysh këtu padinë e Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për çështjen e pavarësisë së Kosovës: "Unë shpresoj që mbas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare do të mund të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje kompromisi, jo vetëm për serbët dhe shqiptarët, por për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, që duhet të integrohet në BE", tha presidenti serb. Boris Tadiç, i cili kishte ardhur në Berlin së bashku me ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç, u takua edhe me ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Memorandum mirëkuptimi me RWE

Tadiç dhe Jeremiç janë dy politikanët nga Ballkani Perëndimor që vijnë më shpesh në Gjermani. Kjo dëshmon për marrëdhënie bilaterale të mira mes dy vendeve, jo vetëm në planin politik por edhe në atë ekonomik. 160 firma gjermane janë të përfaqësuara aktualisht në Serbi, tha Tadiç. "Në të ardhmen duam të punojmë më mirë për t'i afruar ekonomitë e dy vendeve nga ana strukturore", - shtoi ai.

Një hap i mëtejshëm në këtë drejtim ishte nënshkrimi i "Memorandumit të mirëkuptimit" ndërmjet RWE-së, njërit prej koncerneve më të mëdha energjetike në Gjermani, dhe ndërmarrjes shtetërore serbe të elektricitetit. Në aktivitetin e zhvlluar në Ministrinë e Ekonomisë, përveç mysafirëve nga Beogradi, ishte i pranishëm edhe ministri i porsazgjedhur i Ekonomisë, Rainer Bruederle.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora