1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tadiçi cilëson të "papranueshme dhe armiqësore" embargon tregtare nga Prishtina

22 Korrik 2011

Presidenti serb, Boris Tadiç, ka deklaruar se vendimi i Prishtinës për të bllokuar importet nga Serbia është "një gjest i papranueshëm dhe armiqësor", bën të ditur agjencia e lajmeve AFP.

https://p.dw.com/p/121nU
Presidenti i Serbisë Boris Tadiç.
Presidenti i Serbisë Boris Tadiç.Fotografi: AP

Tadiçi gjithashtu ka kritikuar "mbështetësit ndërkombëtarë" të këtij vendimi të Prishtinës, njofton AFP e cila i referohet agjencisë serbe të lajmeve Beta.

"Mendoj se një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur pa mbështetës ndërkombëtarë dhe ata që kanë inkurajuar Prishtinën të ndërmarrë këtë hap kanë bërë një gabim të madh", ka deklaruar presidenti serb Tadiç para gazetarëve.

"Ky është një provokim për Serbinë" ka vazhduar më tej presidenti serb duke e quajtur vendimin e Prishtinës "të pamoralshëm, absurd dhe në kundërshtim me parimet e BE-së".

Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën të bllokojë importet nga Serbia si masë kundër bllokadës së vendosur nga Beogradi ndaj produkteve të importuara nga Kosova.

Prishtina zyrtare e argumentoi këtë vendim me pamundësinë e arritjes së një marrëveshje me Beogradin për njohjen e pullave doganore kosovare, dhe për tregtinë e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, me perspektivën e anëtarësimit në BE.

Raundi i gjashtë i bisedimeve Prishtinë-Beograd, i cili duhej të mbahej këtë muaj, është shtyrë për në shtator.

Presidenti serb Tadiç deklaroi se vendimi i autoriteteve kosovare do të ndikojë "me siguri" në dialog, por shtoi se shpresonte "që procesi i negociatave të mos ndërpritej plotësisht".

Serbia nga ana e saj bllokon çdo lloj importi në territorin e saj të mallrave me vula doganore të Kosovës. Gjithashtu mallrat me shënimin "Prodhuar në Kosovë" nuk lejohen as të kalojnë tranzit në territorin e Serbisë.

Të dyja palët pohojnë se bllokada nga pala tjetër përbën një shkelje të marrëveshjes së tregtisë së lirë në Evropën Qendrore (CEFTA), e cila parashikon qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve në Ballkan.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve Beta, qeveria serbe ka njoftuar se do t'i drejtohet Komisionit të BE-së për zgjidhjen e problemit.

Serbia është një nga eksportuesit më të rëndësishëm të Kosovës, me një volum vjetor prej rreth 260 milionë eurosh.

Autor: E. Xhani (afp, rtr, Beta)

Redaktoi: A. Dodi