1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestat në Tajlandë - Shpërndahet Parlamenti

(afp, rtre, dpa) M.Kelmendi9 Dhjetor 2013

Pas protestave prej disa ditësh në Tajlandë, kryeministrja Yingluck Shinawatra ka shpërndarë Parlamentin. Prej javësh opozita proteston kundër qeverisë, e cila si kompromis ka propozuar zgjedhje të reja.

https://p.dw.com/p/1AVDd
Fotografi: Reuters

Kryeministrja e Tajlandës Yingluck tha këtë të hënë (09.12) në mëngjes në një fjalim që mbajti në televizion se "duhet sa më shpejt që të jetë e mundur" që të zhvillohen zgjedhjet e reja. Udhëheqësi i opozitës Suthep Thaugsuban më parë kishte njoftuar për zhvillimin e një proteste masive për këtë të hënë si shansi i fundit për rrëzimin e qeverisë. Nga frika e një humbjeje në zgjedhjet e parakohshme, opozita ka kërkuar ndërkohë formimin e një qeveria kalimtare të formuar me ekspertë. Lideri i opozitës Suthep ndërkohë kishte njoftuar për këtë të hënë për një marshim protestues drejt selisë së qeverisë në kryeqytetin Bangkok, të cilën do ta udhëhiqte vetë. "Bëhej fjalë për "ditën e vendimit". Por ai nuk arriti ta realizonte këtë synim. Suthep po ashtu kishte kërkuar që të formohet një "këshill përfaqwsues i popullit" që do të zevëndësonte qeverinë. Por këtë propozim kryeministrja Yingluck e kishte hedhur poshtë si jo demokratike dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Protestat kundër qeverisë në Tajlandë kanë nisur qysh në nëntor me kërkesën e dorëheqjes së qeverisë. Shpesh këto protesta u shoqëruan në veprime të dhunshme mes policisë dhe qytetarëve, ku si pasojë kanë humbur jetën pesë njerëz dhe me dhjetra të tjerë mbetën të plagosur. Protestat në Tajlandë nisën pas një projektligji për amnisti të hartuar nga qeveria, i cili mes të tjerave i siguronte vëllait të kryeministres Yingluck, ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra rikthimin në atdhe pa rrezikuar që të arrestohej. Vëllai i saj ish-kryeministër u rrëzua nga pushteti nga një grusht shteti në vitin 2006. Në 2008-ën një gjykatë në Bangkok e dënoi atë me akuzën e korrupsionit. Kundërshtarët politik e cilësojnë kryeministren si një marionetë të vëllait të saj. Kryeministrja Yingluck erdhi në pushtet vitin 2011 pas fitores së partisë "Pahi Thai" e themeluar nga vëllezërit e saj, ndërkohë që vëllia isaj, ish kryeministri Thaksin Shinawatra ndodhet prej vitit 2006 në ekzil.