1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim dy presidentësh

Hasselbach, Christoph10 Mars 2015

Presidenti amerikan Barack Obama pret Donald Tusk, presidentin e Këshillit të BE-së. Po pse ky nuk është një takim mes të barabartësh?

https://p.dw.com/p/1Ensl
Fotografi: Reuters

Shtëpia e Bardhë thuhet se nuk interesohet shumë për Bashkimin Evropian. Disa shtete evropiane mund të jenë të rëndësishme për Uashingtonin, por jo BE-ja si institucion. Kjo vlen veçanërisht për presidentin Barak Obama. Ai ka theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e rajonit Paqësor për Shtetet e Bashkuara. Negociatat e vështira evropiano-amerikane për marrëveshjen për tregtinë e përbashkët dhe investimet, TTIP, i kanë konfirmuar me sa duket Obamës dyshimet e tij rreth BE-së. Obama nuk i përgjigjet dashurisë nga BE-ja, sepse sa herë që evropianët kanë kërkuar takim me Obamën, ai ose nuk ka pranuar ose i ka zhvilluar takimet në kuadrin e samiteve, për shembull të NATO-s apo të G7.

Çështja e numrit të telefonit

Tani Barack Obama, presidenti i më i rëndësishëm i botës, pret Donald Tuskun, një president tjetër që përfaqëson një bashkësi shtetesh që ekonomikisht dhe nga numri i popullsisë është më e fuqishme se SHBA-ja. Por vështirë se dikush e njeh Tuskun, madje as shumë evropianë nuk e njohin. Puna komplikohet nga fakti se BE-ja ka tre presidentë, Presidentin e Këshillit që përfaqëson shtetet anëtare, Presidentit e Komisionit dhe Presidentin e Parlamentit. Çmimi Nobel të Paqes për BE-në në vitin 2012 ata e morën që të tre presidentët e atëhershëm gjë që i bëri shumë njerëz mjaft konfuzë.

Janis Emmanouilidis
Janis EmmanouilidisFotografi: DW/B.Riegert

Po cilit numri duhet t'i biesh ku do të flasësh me BE-në, thuhet se ka pyetur një herë ish-sekretari amerikan i shtetit Henri Kisinger. A është ky sot numri i Tuskut? Janis Emmanouilidis, i cili punon nër Bruksel në Qendrën për Politikat Evropiane, thotë: "Varet se për çfarë teme është fjala. Për TTIP-in duhet numri i Presidentit të Komisionit dhe i komisionerëve të tjerë, sepse ata janë përgjegjës për marrëveshjet." Në rast se është fjala p.sh. për Ukrainën dhe marrëdhëniet me Rusinë, atëhere adresa e parë do të ishte ajo e Presidentit të Këshillit, pra aktualisht e Tuskut. Por, sipas Emmanouilidis, "numri i parë që do t'i bien në shumicën e rasteve, është ai i kancelarisë në Berlin."

EU-Gipfel Brüssel Euro Merkel Tusk Van Rompuy
Fotografi: picture-alliance/dpa

Tusk ndryshe nga Herman Van Rompuy

Ndryshe nga paraardhësi i tij, i qetë dhe që nuk binte në sy, belgu Herman Van Rompuy, polaku Donald Tusk ndihet mirë në skenën ndërkombëtare. "Tusk ka qenë kryeministër i një vendi të rëndësishëm, i cili luan një rol qendror, veçanërisht në Evropën Lindore", thotë Janis Emmanouilidis. Prejardhja nga Polonia përcakton edhe qëndrimin e Tuskut ndaj Rusisë. Polakët dhe baltët shohin nga përvoja e tyre e dhimbshme historike më qartë një kërcënim rus, sesa gjermanët apo francezët. Nëse Tusk do ta thotë këtë në Uashington, ai do të ndeshë në dyer të hapura atje, sepse edhe amerikanët i konsiderojnë rrugën e diplomacisë pafund dhe qëndrimin e kujdesshëm ndaj Rusisë si të rrezikshme. Në një videokonferencë transatlantike të zhvilluar javën e kaluar për Rusinë dhe Ukrainën Obama u konsultua jo vetëm me udhëheqësit e vendeve kryesore të BE-së, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, por edhe me Tuskun.

Pra edhe pse Tusku përfaqëson një bashkësi 28 vendesh të pangjashme dhe me pikëpamje dhe interesa të ndryshme, ai mund të llogarisë me mirëkuptim në SHBA. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, tha pak ditë më parë: "Së bashku me aleatët tanë evropianë, ne kemi theksuar rëndësinë e unitetit e cila është shumë e rëndësishme për ne."