1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim i nivelit të lartë midis evropianëve dhe afrikanëve

28 Gusht 2017

Për ta ndaluar migrimin ilegal, shtetet evropiane duan të bashkëpunojnë më ngushtë me shtetet tranzit në Afrikë.Për këtë, Kancelarja Merkel do të takohet me përfaqësues të Libisë, të Çadit dhe të Nigerisë.

https://p.dw.com/p/2ixOI
Italien Flüchtlinge werden von Hilfsorganisation Sea-Eye gerettet
Fotografi: picture alliance/dpa/NurPhoto/C. Marquardt

Si mund të kufizohen lëvizjet migratore nga Afrika për në Evropë? Kjo pyetje është në qendër të të ashtuquajturit takim i vogël i nivelit të lartë në Paris. Me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron, Kancelarja Angela Merkel do të diskutojë me kryetarët e qeverive të Romës dhe Madridit, Paolo Gentiloni dhe Mariano Rajoy, si dhe me të Ngarkuarën me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini në Pallatin Elizee me përfaqësues të Libisë, Çadit dhe Nigerisë. Qeverinë tranzitore të njohur ndërkombëtarisht në Libi e përfaqëson në takim kryeministri Fajis al-Saraxh, për Çadin Presidenti Idriss Deby dhe për Nigerinë, kryetari i shtetit, Mahamadou Issoufou. Të tria këto shtete afrikane ndodhen përgjatë rrugës së migrimit për në Evropë. 

Shifrat e refugjatëve kanë rënë

"Këto diskutime do të ofrojnë shansin për të ritheksuar mbështetjen e Evropës për Çadin, Nigerinë dhe Libinë në kontrollin dhe në administrimin e drejtuar të rrymave migratore", bëri të ditur paraprakisht zyra e Macronit në Paris. Merkeli tha në një intervistë në Podcast se synimi është "reduktimi hap pas hapi i migrimit ilegal".

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin, këtë vit përmes Mesdheut në Evropë kanë ardhur 120.000 njerëz, shumica e tyre kanë ardhur në Itali. Por në muajt e verës korrik dhe gusht, megjithatë numri i refugjatëve të ardhur përmes Mesdheut, ra dukshëm. Në krahasim me një vit më parë, këtë muaj e arritën bregdetin italian rreth 90 përqind më pak refugjatë, bën të ditur Ministria e Brendshme Italiane. Deri në 25 gusht, në Itali mbërritën 2932 migrantë, një vit më parë qenë 21.294 refugjatë.

Roja bregdetare libiane e lidh pakësimin e numrit të refugjatëve me kontrollet më intensive në Mesdhe. Por ekspertët besojnë se ulja e numrit ka të bëjë edhe me shfaqjen e një milicie të armatosur në Bregdetin e Libisë, e cila pengon punën e trafikantëve të njerëzve.