1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim i (pa)rëndësishëm mes Jahjagës dhe Nikoliqit

Ivica Petroviq/Bahri Cani5 Shkurt 2013

Në Beograd nuk pritet shumë nga takimi mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Po si do të ndikojë ky takim në rrjedhën e dialogut?

https://p.dw.com/p/17YNk
Fotografi: picture-alliance/dpa

Takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliq, nuk do të ndikojë shumë në zhvillimet politike, ndaj edhe nuk duhet pritur shumë, mendon ish-drejtori në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.

"Takimi e mbështet në formë simbolike dialogun si rrugën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Ai duhet të mbështetë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun mes kryeministrave Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi. Ndaj mund të flitet vetëm për një takim me ndikim të kufizuar, i cili nuk do të ketë pretendime tepër të mëdha. Mendoj se nuk do të ketë as rezultate konkrete të këtij takimi. Ekziston vetëm një element i mirë: nëse eventualisht qeveria e Serbisë bie, negociatat do t'i vazhdonte presidenti dhe nuk do të kishte ndonjë vakuum në bisedime, as gjatë fushatës eventuale parazgjedhore. Ndërkohë që rënia e qeverisë është e mundur si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë", thotë Ivanoviq.

Fuqia e kufizuar e Jahjagës

Oliver-Ivanovic.jpg
Oliver IvanovicFotografi: DW

Megjithatë ekziston një dallim shumë i madh mes ndikimit politik të presidentëve Nikoliq dhe Jahjaga. Ivanoviq thekson se presidenti i Serbisë është zgjedhur në zgjedhje të drejtëpërdrejta, që i jep edhe një peshë shumë më të madhe politike. Ndërsa Atifete Jahjaga është zgjedhur me shumicën e votave në parlament, që do të thotë se pozita e saj është më shumë e karakterit protokollar. "Ndaj nuk mund të pritet ndonjë qëndrim tepër i prerë i saj. Mendoj se ajo do të përsërisë ato që janë dëgjuar nga kryeministri i Kosovës dhe përfaqësuesit e tjerë të instuticoneve. Jahjaga nuk do të ketë ndonjë qëndrim të ri në bisedimet me presidentin Nikoliq", mendon Ivanoviq.

Agjenda (jo)reale e Ashton

Nuk duhet harruar edhe fakti që takimi do të ndërmjetësohet dhe udhëhiqet nga Chaterine Ashton. "Ajo ka një plan shumë dinamik dhe ambicioz. Ky do të jetë edhe problemi më i madh në këtë mes, sepse pritjet janë shumë të mëdha. Ndërkohë që realisht mund të pritet që të zgjidhen vetëm disa nga çështjet teknike, që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikacionin dhe eventualisht ndonjë marrëveshje parimore për veriun. Asgjë më shumë", mendon Ivanoviq.