1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi i kryeministrave Gruevski dhe Papandreu - hap strategjik

2 Nëntor 2009

Takimet e drejtpërdrejta për konteste bilaterale janë më frytdhënëse, sepse krijojnë atmosferë pozitive për harmonizimin e qëndrimeve kundërthënëse. Kështu vlerësojnë analistët në Maqedoni pas takimit Gruevski-Papandreu

https://p.dw.com/p/KLq3
Shkupi shpreson se dakordimi me Greqinë për emrin e afron me BE
Shkupi shpreson se dakordimi me Greqinë për emrin e afron me BEFotografi: Petr Stojanovski

Takimi i shumëpritur midis kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe homologut të tij grek Jorgos Papandreu, nga analistët politikë në Shkup është vlerësuar si frytdhënës dhe një hap konkret, që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.

Nga qeveria e Maqedonisë nuk jepen informacione për iniciativat e mundshme, që do të merreshin për intensifikimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me fqinjin jugor për çështjen e emrit. Opozita maqedonase e ka përshëndetur dhe njëherit ka inkurajuar Qeverinë për takimin e drejtpërdrejtë me palën greke, sepse këto takime paraqesin lehtësim në zhvillimin e bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit, kur ky proces po hyn në fazën përfundimtare, thotë Vllado Buçkovski nga LSDM.

'Është për t'u përshëndetur krijimi i një ambienti pozitiv. Takimi mes Gruevskit dhe Papandreut është një hap strategjik, që dërgon sinjale inkurajuese para fillimit të fazës përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së emrit'', vlerëson Vllado Buçkovski.

Kryetari i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, Veton Latifi, vlerëson se afati kohor për zgjidhjen e çështjes së emrit është tejet i shkurtër, por kjo nuk është e pamundur, sepse ka hapësirë reale për t'u zgjidhur kontesti i emrit. Në këtë periudhë nuk ka hapësirë për akrobaci dhe taktizime të shumta si dhe për deklarata të pamatura. Nuk duhet pasur iluzione se BE do të caktojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, nëse nuk zgjidhet çështja e emrit, thotë Veton Latifi.

Sipas tij mesazhi i Brukselit është shumë i qartë. Çështja e emrit është në tavolinë dhe nuk mund të shmanget zgjidhja e saj. Mbetet të zgjidhet forma dhe mënyra, se cila zgjidhje do të ishte më legjitime dhe efikase.

‘'Konsideroj se çështja e legjitimitetit për të zgjidhur konteste të tilla nuk nënkupton vetëm elementin normativ, por legjitimiteti në politikë si gjithnjë nënkupton po ashtu edhe komponentin moral. Unë konsideroj se autoritetet politike si në Shkup ashtu edhe në Athinë posedojnë elementin moral dhe të drejtën për të zgjidhur këtë çështje dhe nuk duhet të thirren vazhdimisht në aspektet normative'', thotë Veton Latifi.

Gjithnjë sipas tij Maqedonia nuk duhet ta lërë këtë shans historik dhe ta nënçmojë përkrahjen serioze të faktorit ndërkombëtar për t'i dhënë fund çështjes së emrit, e cila po paraqitet si pengesë kryesore për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. Pjesa dërrmuese e zyrtarëve evropianë në Bruksel, kanë intensifikuar mesazhet e tyre për domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së emrit para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Ministrave më 7 dhjetor, nëse Maqedonia dëshiron të marrë datën për fillimin e negociatave për tu anëtarësuar në BE.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Zoran Taler, ka theksuar se nuk ekziston një plan B dhe nëse nuk zgjidhet kontesti i emrit, do të pasojë një situatë statusquo. Që të mos ndodhë kjo, BE angazhohet të evitojë të gjitha skenaret, që pengojnë zgjidhjen e çështjes së emrit, ka theksuar Taler.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi