1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi i ministrave të Jashtëm: BE ashpërson më tej sanksionet mbi Sirinë

Eliana Xhani25 Qershor 2012

Trysnia mbi Damaskun është në rritje: BE dhe Australia vendosin sanksione të reja. Në plan ndërkombëtar Siria është në shënjestër të kritikës për shkak të goditjes së një avioni ushtarak turk.

https://p.dw.com/p/15Kt9
Catherine Ashton dhe ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius
Catherine Ashton dhe ministri i Jashtëm francez, Laurent FabiusFotografi: picture-alliance/dpa

Përballë dhunës së pandërprerë në Siri, BE do të ashpërsojë sanksionet e saj kundër qeverisë në Damask. Ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën që në listën e sanksioneve të përfshihen edhe një person privat dhe gjashtë persona juridikë. Atyre do t'u bllokohen llogaritë në Evropë dhe nuk do të kenë më mundësi të hyjnë në territorin evropian.

Australia kufizon tregtinë me Sirinë

Më parë kishte njoftuar sanksione të reja tregtare edhe Australia. Ato prekin naftën, shërbimet financiare, telekomunikacionin dhe metalet e çmuara. Sanksionet e reja plotësojnë ato ekzistuese për embargon e armëve, dhe sanksionet financiare dhe për udhëtimet, bëri të ditur ministri i Jashtëm australian Bob Carr. Synimi është të shtohet trysnia ndaj qeverisë siriane për të vënë në zbatim planin e paqes të Kofi Ananit.

Protesta në Siri
Protesta në SiriFotografi: Reuters

Rast për NATO-n?

Tani edhe NATO po merret zyrtarisht me Sirinë. Vendi anëtar i Aleancës, Turqia, bazuar në nenin IV të marrëveshjes së Atlantikut Verior, ka kërkuar këshillim nga NATO pas goditjes së një avioni të saj ushtarak nga ushtria siriane. Turqia sheh "të rrezikuar pacënueshmërinë e saj territoriale, pavarësinë politike ose sigurinë", siç thuhet në nenin IV.

Për këtë arsye të Martën (26.6.) Këshilli i Atlantikut Verior i Aleancës mblidhet në një takim të posaçëm në Bruksel. Vëzhguesit nuk presin megjithatë që të zbatohen dispozitat e nenit IV, sipas të cilit një sulm ndaj një vendi të NATO-s konsiderohet sulm ndaj gjithë anëtarëve të Aleancës.

Një rast për OKB-në?

Siria ka deklaruar se goditja e avionit turk është bërë gabimisht, por nuk ka kërkuar falje, pasi avioni kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore. Megjithatë çështja nuk mbaron me kaq për qeverinë në Damask. Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton dhe homologu i saj britanik William Hague folën për mundësinë e trajtimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.