1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

China-EU Abschluss

21 Maj 2009

Politikanë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Kinës u takuan ditën e mërkurë (20.5.) në Pragë. Në qendër të bisedimeve tema bilaterale edhe çështjet aktuale të politikës botërore. U nënshkruan tri marrëveshje

https://p.dw.com/p/Hubr
Flamuri i BE dhe flamuri i Kinës
Fotografi: picture-alliance / dpa

Takimi BE-Kina ishte takimi i parë mes BE-së dhe Republikës Popullore të Kinës qysh prej konflikteve më të fundit për Tibetin. Pekini kishte anulluar në dhjetor të vitit 2008 një takim për shkak të protestave që u zhvilluan pas takimit të presidentit të atëhershëm të radhës së BE-së, Nicolas Sarkozy, me udhëheqësin shpirtëror të tibetianëve, Dalai Lama.

Presidenti çek Vaclav Klaus, vendi i të cilit aktualisht ka presidencën e radhës së BE-së, hapi dje pasdite konferencën për shtyp. Megjithëse Klaus mbahet si skeptik i Evropës, ai prezantoi gjithë rolin e tij si përfaqësuesi më i lartë i BE-së në këtë samit:

Ne kemi folur gjatë samitit BE-Kina për një sërë temash. Jo vetëm për marrëdhëniet mes BE-së dhe Republikës Popullore të Kinës, por edhe për krizën financiare dhe ekonomike në mbarë botën, për mbrojtjen e klimës dhe për disa tema të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale si çështja atomike në Korenë e Veriut dhe në Iran, gjendja në Birmani, në Sri Lanka, Afganistan dhe Pakistan. Gjithashtu u diskutua edhe për çështjen e të drejtave të njeriut. BE kësaj i jep një rëndësi të madhe kësaj teme. Ne jemi shumë të gëzuar që të drejtat e njeriut në të ardhmen do të bëhen pjesë e rëndësishme e dialogut të patneritetit tonë strategjik”.

Edhe Kryeministri kinez, Wen Jiabao, i cili kryesonte delegacionin kinez, u shpreh i gëzuar që u zhvillua një samit i tillë me përfaqësuesit më të lartë nga të dyja palët.

Wen theksoi në fjalën e tij se udhëtimi për në Pragë demostron vullnetin e Kinës për pajtim dhe bashkëpunim me BE-në:

Unë kam ardhur në Pragë me ndershmëri, me ndjenjën e përgjegjësisë dhe me vetëdije. Ky është udhëtimi im i dytë në Evropë brenda pesë muajsh. Gjatë vizitës time në Bruksel në fillim të vitit, politikanët e BE-së dhe unë ishim të një mendimi që takimi BE-Kinë mundësisht të realizohej sa më shpejt. Një fjalë e urtë kineze thotë: Një premtim duhet të mbahet. Nje njeri pa besueshmëri nuk mund t´i hap rrugë vetes. Unë jam i mendimit që besimi duhet të jetë themeli për marrëdhëniet kineze-evropiane".

Besimi ishte sllogani i samitit të Pragës. Wen theksoi disa herë se qëllimi i takimit ishte që të rivendosej besimi reciprok. Si një patner i besueshëm, Kina është e gatshme që të bashkëpunojë me BE-në për kapërcimin e krizës së përbashkët globale ekonomike, tha Wen.

Krahas luftës kundër krizës ekonomike presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, i cili mori pjesë në samitin e së mërkurës BE-Kina, foli edhe për diskutimin mbi mbrojtjen e klimës:

"Ne kemi shkëmbyer qëndrimet tona për problemin e ndryshimit të klimës si dhe për zhvillimet e mëtejshme. Ne do të zhvillojmë më tej patneritetin tonë për mbrojtjen e klimës dhe do të kontribuojmë për të arritur një sukses në konferencën e Kopenhagenit që zhvillohet në fund të këtij viti".

Një nga tre marrëveshjet të cilat u nëshkruan ditën e mërkurë nga BE-ja dhe Kina ishte për mbrojtjen e klimës.

Përveç kësaj kryeministri kinez kërkoi që Bashkimi Evropian t´i njohë Kinës statusin lidhur me ekonominë e tregut të lirë dhe të heqë embargon e armëve. Në përfundim kryeministri Wen premtoi se do të dërgojë delegacione të tjera të fushës së ekonomisë për në Evropë për të thelluar marrëdhëniet ekonomike mes dy palëve dhe për të kapërcyer krizën aktuale koniunkturore.

Autor: Xiegong Fischer/ Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi