1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi Thaçi-Daçiç mirëpritet në Prishtinë

Bekim Shehu20 Tetor 2012

Kundër takimit në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Dacic, u shpreh lëvizja Vetvendosja, e cila takimin e cilësoi si ndihmë e BE-së dhe Kosovës për Serbinë.

https://p.dw.com/p/16Tf1
Kathrin Ashton dhe Hashim Thaçi, 2011
Kathrin Ashton dhe Hashim Thaçi, 2011Fotografi: DW

Takimi në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç, në Prishtinë është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve qëndrore të vendit dhe prania ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është një hap para në vendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon”. Deklaratën e presidentës së Kosovës Atifete Jahjaga e transmeton zëdhënësi i saj, Arbër Vllahiu.

Takimi shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, Kosovë-Serbi

“Ky takim shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë. Fqinjësia e mirë është një prej kritereve në rrugën e integrimeve evropiane”, thotë zëdhënësi Arber Vllahiu duke cituar deklaratën e presidentes së Kosovës.

Takimin në Bruksel ndërmjet kryeministriti Thaçi e Daçiç, e kanë përshëndetuar edhe ambasadorët në Prishtinë të vendeve më të industrializuara, ambasada e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Takimin Thaci-Dacic e përshëndesin vendet e QUINT-it

”Mrëpresim takimin e parë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë, nën kryesimin e Baroneshës Ashton, ku u zotuan se do të punojnë së bashku për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nndërmjet dy palëve”, thuhet në deklaratën e vendeve të QUINT-it.

Të angazhuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë edhe SHBA-së. Zëvëndësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, në një deklaratë të publikuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thotë:

Philip Reeker: Fuqimisht përkrahim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

“Mendoj se një nga sfidat kryesore, siç e dijmë të gjithë, është marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës. Dhe sot ne jemi shumë të kënaqur që pamë njoftimet nga Brukseli nga Përfqësuesja e Lartë e BE-së Catherine Ashton lidhur me vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është diçka që ne e përkrahim shumë. Sekretarja Clinton dhe Zonja Ashton janë në kontakt të ngushtë lidhur me këto çështje sikurse edhe Ndihmës Sekretari Gordon, dhe unë bashkë me homologët tanë në BE. Ne fuqimisht përkrahim vazhdimin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe zgjidhjen e mospajtimeve e që do t'i mundësojë edhe Republikës së Kosovës edhe Republikës së Serbisë që të ecin përpara në rrugët e tyre evropiane”, thotë në deklaratën e tij Philip Reeker.

Por, kundër takimit në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaci dhe atij të Serbisë Ivica Dacic, u shpreh lëvizja Vetvendosja, e cila takimin e cilësoi si ndihmë e BE-së dhe Kosovës për Serbinë.

BE-ja dhe Kosova po ndihmojnë Serbinë në rrugën drejt BE-së


“Bashkimi Evropian po ia shtron Serbisë rrugën e përshpejtuar të integrimeve nëpërmjet qeverisë sonë të shantazhuar e të korruptuar. Serbia po e kontrollon skenën tonë politike nëpërmjet kërkesave të saj të forta ndaj Brukselit, të cilat Brukseli, në formë të tërthortë, po i kthen kah Prishtina. Dhe, për të mbetur në pushtet, e për të mos i nxjerrë problem ndërkombëtarët, e kemi kryeministrin Thaçi i gatshëm të pranojë gjithçka pa asnjë kusht për Serbinë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetvendosja.

Takimi në Bruksel i Kryeministrit Thaçi dhe Daçiç, në zyrën e Baroneshës Kathrin Ashton, u pasua pas miratimit të një rezolute në kuvendin e Kosovës me të cilën kërkohet përmirësimi I marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kusht për integrimet evropiane u theksua edhe në vlerësimet e ndara të Komisionit Evropian për të dy vendet e Ballkanit Kosovën dhe Serbinë. Serbia pret datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa, Kosova pret nisjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.