1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lagarde Portrait

Angelina Verbica29 Qershor 2011

Ministrja franceze e Ekonomisë dhe e Financave, Christine Lagarde, është emëruar të martën në mbrëmje (28.6.) shefe e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).Kush është Lagarde dhe si do ta drejtojë ajo FMN?

https://p.dw.com/p/11lTX
Shefja e re e FMN-së, Christine Lagarde.
Shefja e re e FMN-së, Christine Lagarde.Fotografi: dapd

Christine Lagarde ka arritur edhe një tjetër sukses: Juristja 55-vjeçare është bindëse, kudo që ndodhet. Gruaja me flokë të thinjur, me buzëqeshjen e përzemërt nuk bie në sy vetëm nga trupi i gjatë 1.80m. Në Francë ajo konsiderohet prej kohësh mishërimi i kompetencës ekonomike. Fitoren e saj në konkursin për postin e lartë të FMN-së, ish notarja në stilin e sinkronizuar të notit, ia dedikon energjisë dhe forcës së saj.

"Kur është e vështirë, kur keni kohë të këqija, atëherë ju duhet ta provoni përsëri, të stërviteni dhe të hidheni në ujë përsëri. Kështu e kam bërë edhe në jetën time.”

Politikania me veshje elegante, që duket gjithmonë e ekuilibruar, është e pëlqyer tek francezët: Ajo është personi më i mirëpritur në kampin konservator. Edhe tek kolegët e saj ministrja e Ekonomisë dhe e Financave gëzon reputacion të lartë. Posti i shefit të FMN është sikur të ishte krijuar për të, thotë kolegu i saj ministër, Jean-Louis Borloo.

“Ajo i ka të gjitha cilësitë dhe aftësitë për ta ushtruar këtë detyrë. "

Në FMN ajo do të jetë gruaja e parë në këtë post, por Christine Lagarde është mësuar që të hyjë në sferat e dominuara nga meshkujt. Me emërimin e saj në vitin 2007 ajo ishte e para grua ministre e financave në vendin e saj. Edhe më parë në vitin 1999 Lagarde kishte patur një rol në avangardë, e para grua, që drejtonte një zyrë avokatie amerikane me më shumë se 2.000 të punësuar. Në atë kohë një revolucion i vogël në një profesion burrash.

Christine Lagarde - negociatore e sjellshme, por e fortë.
Christine Lagarde - negociatore e sjellshme, por e fortë.Fotografi: AP

"Këto mënyra funksionimi janë në zhdukje e sipër", tha Lagarde para 12 vjetësh. "Bota e nesërme shpresoj se do t'i refuzojë këto parime maçosh."

Gjatë viteve të saj në Çikago Lagardë, dy herë e divorcuar, nënë e dy djemve, jo vetëm që ka mësuar një anglishte pa theks, që i bënte kolegët e saj francezë të zverdheshin nga inati. Lagarde ka krijuar edhe kontakte të rëndësishme në sektorin e biznesit dhe është bërë një negociatore e sjellshme, por e fortë. Këtë e pohoi edhe shefi i saj, Nikolas Sarkozy. Lagarde gëzon kudo një reputacion të lartë.

“E gjithë bota mendon se Christine Lagarde është një grua e fortë. Ajo mund të jetë një drejtore shumë e mirë."

Lagarde, që përfaqëson një politikë liberale ekonomike, ka bërë të ditur tashmë se do të vazhdojë reformat e paraardhësit të tij, Dominique Strauss-Kahn, për t'i dhënë më shumë peshë ekonomive në zhvillim, duke krijuar edhe një qëndresë të përbashkët. Kryetarja e re do të angazhohet edhe për më shumë gra në pozitat drejtuese.

"Në intervistë para Komitetit Ekzekutiv të FMN, të 24 anëtarët e bordit, që ishin të ulur përballë meje, ishin burra. Nuk kishte asnjë grua. Kam menduar se është mirë që gjërat të ndryshojnë pak ..."

Çdo gjë flet për atë që Lagarde do të shkojë së shpejti në Uashington. Por një hetim për abuzim të pushtetit mund ta pengonte. Ministrja thuhet se vite më parë ka ndikuar në pagimin e kompensimit në favor të sipërmarrësit skandaloz Bernard Tapie. Gjykata e Republikës po e shqyrton rastin dhe do të vendosë për të më 8 korrik. Hetimet kanë filluar, Christine Lagarde duhet të dëshmojë se është në gjendje të bindë edhe gjykatës.

Autor: Anne-Christine Heckmann/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi