1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tani për tani asnjë rezolutë e KS kundër dhunës në Siri

3 Gusht 2011

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk do të miratojë hëpërhë asnjë rezolutë kundër dhunës në Siri. Këtë e bëri të ditur ambasadori i Indisë në OKB, Hardeep Singh Puri, i cili drejton forumin më të lartë të OKB

https://p.dw.com/p/129ne
Demonstrata të sirianëve kundër presidentit Baschar al Assad
Demonstrata të sirianëve kundër presidentit Baschar al AssadFotografi: dapd

Pas zhvillimeve të fundit të përgjakshme në Siri, janë shtuar përpjekjet diplomatike për të rritur presionin ndaj regjimit të Damaskut. Një projektrezolutë tashmë qëndron prej javësh gati. Por edhe pse në dokumentin në fjalë dënohet vetëm dhuna kundër civilëve, ajo deri tani ka dështuar për shkak të rezistencës së Rusisë dhe Kinës, dy vende këto anëtare të përherhshme të Këshillit të Sigurimit të cilat frikësohen se një rezolutë e tillë mund ti hapë rrugën, sikurse në Libi, një ndërhyrjeje ushtarake. Me votat e tyre në forumin më të lartë të Kombeve të Bashkuara ato mund të bllokojnë çdo vendim.

Këshilli i Sigurimit i OKB-s në Nju Jork
Këshilli i Sigurimit i OKB-s në Nju JorkFotografi: AP

KS po sheh mënyrë tjetër për dënimin e dhunës në Siri

Ambasadori i Indisë në OKB, Hardeep Singh Puri pas takimit ditën e martë tha se nuk u ra dakord tani për tani miratimi i një rezolute, për shkak se Libani dhe dy vende të tjera u shprehën kundër. Ishte fjala për Rusinë dhe Kinën. Para takimit të Këshillit të Sigurimit, ambasadori rus Witali Tschurkin kishte sinjalizuar se vendi i tij ka gjasa që mund të ndryshojë qëndrim. Sigh Puri deklaroi gjithashtu se duhet gjetur tani mënyrë tjetër për një shumicë votash në forumin më të lartë. Eshtë e mundshme një deklaratë që nuk ka peshën e një rezolute.

Kundër një rezolute të tillë janë edhe anëtaret jo të përhershme, Afrika e Jugut dhe Brazili. Në tryezën e diskutimeve qëndrojnë katër kërkesat e vendeve europiane anëtare të Këshillit të Sigurimit: Heqja dorë nga dhuna dhe dialogu politik, lirimi i të burgosurve politikë dhe një hetim i besueshëm i trazirave të dhunshme.

Pamje tronditëse në Hama, al Assad vazhdon të qëllojë mbi civilët

Ndërkohë regjimi i presidentit Baschar al Assad vazhdon ofensivën e tij kundër opozitarëve. Sipas një raporti të paraqitur në takimin e Këshillit të Sigurimit ditën e martë, qysh prej fillimit të konfliktit kanë humbur jetën në Siri më shumë se 1500 civilë.

Presidenti Baschar al Assad
Presidenti Baschar al AssadFotografi: picture alliance / dpa

Njerëz që vrapojnë duke bërtitur nëpër rrugë, re tymi kudo nga të shtënat. Në tokë qëndrojnë të shtrirë njerëz të plagosur. Këto janë pamjet tronditëse në qytetin sirian, bastion i protestave, Hama, ku presidenti Baschar al Assad la të shkaktohej gjakderdhja më e madhe në fundjavë. Videot me pamje të tilla janë inçizuar nga dëshmitarë okularë pasi gazetarët nuk lejohen të hyjnë në këtë vend. Më shumë se 100 njerëz kanë humbur jetën gjatë sulmeve më të fundit në Hama, bëjnë të ditur aktivistët për të drejtat e njeriut. Shumë sirianë i kanë sytë nga Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare. Në qoftë se tani nuk ka një reagim të qartë ndërkombëtar, atëherë për regjimin sirian kjo është një licencë për të vrarë"; thotë Najib Ghadbian, shkencëtar sirian për politikë dhe aktivist në Univeristetin e Arkansas."

Autor: Mimoza Kelmendi / dpa, dw, afp

Redaktoi: Esat Ahmeti