1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Mitrovicë nuk dihet ç'sjell nata

16 Prill 2012

Pas sulmit terrorist mbi një familje shqiptare në veri të Mitrovicës, gjendja e sigurisë mbetet e brishtë. Disa familje shqiptare janë larguar, por shumica e shqiptarëve të mbetur në veri nuk e mendojnë shpërnguljen.

https://p.dw.com/p/14eV3
Lumi Ibër
Lumi IbërFotografi: DW

Ditë e vranët në Mitrovicë, herë pas here bie një shi i qetë. Lumi Iber rrjedh pa zhurmë në shtratin shekullor, duke ravijëzuar përditë ndarjen e Kosovës në Jug e Veri. Në të djathtë të lumit, Jugu i qytetit vlon në gjallërinë e jetës. Në të majtën e tij, veriu i qytetit i zhytur në heshtje varri, sidomos pas vdekjeve të dhunshme në një familje shtatëanëtarëshe kosovare. Sulmi terrorist vrau kryefamiljarin dhe plagosi tre nga të pesë fëmijet e tij.

Në këtë prag para 13-të vitesh ishte vrarë edhe babai i viktimës, kujton Shasivar Begu, përfaqësues i shqiptarëve të Tre Rrokaqijejve si dhe i Lagjes përbri. „Na siguri nuk kemi ndjerë këtu kurrë. Edhe Selver Haradinaj i ndjerë, dy-tri ditë para se me ndodh ky terror ndaj tij, tha se megjithëse ka dyer e dritare te blinduara me ndihmën e komunës, nuk ka ndjerë siguri. Ata i vunë eksploziv ta shuajne me familje, pse deshi fati e shpëtuan fëmijët!

Sahsivar Bregu thotë se popullata nuk ndjehet e sigurt aspak. Por problemi nuk qëndron tek fqinjtë e vjetër serb, të cilët nuk kanë sulmuiar fqinjët kosovarë asnjëherë. "Problem na bajnë grupet ekstremiste që nuk banojnë te ne, por vinë e bajnë incidentet dhe ikin në brendi të Kosovës, kah Zveçani, Kraleva e anej, n´Serbi. Ne po ndjehemi të tradhtuar edhe nga KFOR-i dhe EULEX-i që na kanë lënë pas dore. Ndërsa, brenda Policisë së Kosovës ka pjesëtarë serb, të cilët jo rrallë i shohim që komunikojnë me pjesëtarë të MUP-it serb (Ministria e Punëve të Brendshme“.

Të rinj shqiptarë në Veriun e Mitrovicës
Të rinj shqiptarë në Veriun e MitrovicësFotografi: DW

Komuna e Mitrovicës: Problem përbëjnë grupet ekstremiste

Zëdhënësi i komunës së Mitrovicës, Ahmet Jashari vëren rritjen e dukshme të tensionit në veri. As komuna e as banorët nuk kanë gjë kundër popullatës serbe. Ai kritikon shtetin serb, që shkakton problemet. “Ne kemi telashe me shtetin serb, strukturat e të cilit veprojnë në veri të Kosovës. Situata e sigurisë aktualisht është shumë e tensionuar dhe ajo që kërkohet nga ne dhe qytetarët është që strukturat e sigurisë, konkretisht KFOR-i dhe EULEX-i që janë përgjegjës për këtë pjesë, të shtojnë praninë në lagjet me popullatë të përzier."

Zëdhënësi i komunës së Mitrovicës thekson gatishmërinë për të qenë pranë banorëve në çdo kohë. "Bashkarisht të tejkalojmë këtë situatë të rënduar. Banorët kanë kërkuar që në këto lagje të vendosen kamera për vëzhgimin e situatës, për çfarë jemi pajtuar edhe ne si formë parandalimi."

Në veri nuk dihet çfarë mund të sjell nata

Jeta në veri të Mitrovicës është e vështirë për shqiptarët e çdo moshe, madje edhe për 70 vjeçarin Asllan Haliti, shtëpinë e të cilit e ndan vetëm rruga nga Lumi Ibër. “Se, n´Beograd n´fitoftë Zvezda, ata vinë e kremtojnë këtu e dy tri herë m´i kanë thy xhamat e shpisë. Por, çkado me ndodh unë një herë përnjiherë këtu dhe nuk e kam mendjen me u largu prej shpisë time”.

Më e vështirë paraqitet jeta për të rinjtë. Nata fillon këtu më herët se çdokund dhe asnjëherë nuk dihet çfarë sjell? Prandaj, ata thonë se kalojnë netë të tëra zgjuar në mbrojtje të pragut të shptëisë. Një djalë i ri thotë: „Mërzi gjithë kohën. Mirë anjë!Kohën e kalojmë në roje, se kot thonë kemi sjell përforcime të forcave të sigurisë. Na ka ardhë shpirti ndër dhëmbë me deklarata gjithfarë kur na s´kemi kurgja hiç, se një grup serbësh me ardhë para nesh, ikin policia. Ta thashë seriozisht se rujmë 24 orë. As punojmë as kurrgja hiç veç tuj iu përkushtu këtij vendi…”.

Mitrovica
MitrovicaFotografi: DW

Edhe pse dite pune nuk qarkullon autobusi i i linjës së rregullt për në Kodrën e Minatorëve, lagja me sigurinë më të brishtë në veriun e Mitrovicës. Aty shkohet vetëm me autobus apo me taksi, për të mos iu ekspozuar rreziqeve nëpër pjesët e banuara me serb. Të njëjtën do ta bëj sot edhe L.H. (personi nuk do të përmendet me emër) nga kjo lagje, i cili është në marrëdhënie pune në jug të qytetit. “Shumë problem me ardhë në punë. Madje edhe djalin po duhet ta sjell me taksi në shkollë, se nuk i përputhet orari me autobusin, e në këmbë si ta lëshoj kur siguria është në nivelin minimal. Policia rri në poligon, dhe nuk dalin fare të shohin përreth në vend as te njerëzit. Siguria duhet të jetë në nivel më të lartë, përndryshe asgjë ”.

Besimi në institucionet vendore dhe ndërkombëtare i zbehtë

Në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Shtunën u rrah një i ri shqiptar. Një dëshmi tjetër e tensionimit në rritje. Shqiptarët e kësaj lagjeje thonë se flenë dhe zgjohen me frikën se çfarë do të sjellë e nesërmja. Ata ndjehen të pafuqishëm të ndryshojnë realitetin që i rrethon. Besimi në institucionet vendore dhe ndërkombëtare po zbehet gjithnjë e më shumë: „Vallahi...Aty asht pak vshtirë me iu dhanë përgjegje se nuk vendosin veç institucionet tona por edhe të tjerët…“, thotë një burrë 48 vjeçar.

“Sa kemi mujt me qendru n´forcat tona, na kemi qëndru. Mirëpo tash sa kemi besim sin a vinë në ndihmë institucionet tona?Këtu asht dilemma…!”, thotë përfaqësuesi i shqiptarëve të Rrokaqiejve Begu. „Na nuk dimë me rujt. Rujmë në një vend e të vinë prej anës tjetër e ta hedhin granatën a ekplozivin n´dritare, si atë natë Selverit pas mesnate. Sigurinë mund e ban veç policia e shteti”, shton një burrë 59 vjeçar.

Disa marrin udhën e largimit, shumica duan të qëndrojnë
Disa marrin udhën e largimit, shumica duan të qëndrojnëFotografi: Ajete Beqiraj

Konflikt i ngrirë

Gjatë dekadës së fundit pati shpërngulje masive të shqiptarëve. Megjithatë sot pavarësisht tensioneve të vazhdueshme, vendosmëria e banorëve shqiptarë për të qëndruar në vatrat e veta, është e palëkundur. “Jam vendas,mitrovicali. Ktu kam lind edhe ktu n´qofte kismet kam edhe me vdek. Qe besa ka pas sulme e rrahje e pasiguri. Por,edhe pse me këtë të fundit njerëzit janë edhe ma të pasigurt, largime të përkohshme, kemi por jo shpërngulje, se ata që iu i keni parë duke u largu ne i kemi parë duke u kthy. Pra,vajtje-ardhje po por jo shpërngulje ma kurrë!“, thotë B.T., i cili po kthehet nga qyteti me një shishe qumësht.

Ndërsa një banor tjetër i lagjes Tre Rrokaqiejt thotë: „Sa t´kemi fuqi e t´jemi gjallë këtu do të mbesim, se s´kemi ku shkojmë. Mitrovica është toka jonë, vendi ynë, atdheu ynë. Na n´tokë as n´shpi t´huaj s´jemi,as jemi tuj sulmu kend s´jemi. Jemi tuj qëndru e tuj jetu n´shpiat tona. Na jena msu kshtu qe 13-të vjet. Te na s´ka përfunu lufta kurrë! A e gjujtën fqinjin me na vra me krejt familje? Njeriu as shtazën s´e vret n´gjumë!”.

Vetëorganizimi i shqiptarëve të veriut për vetëmbrojtje duhej të jetë alarm për institucionet vendore dhe ndërkombëtare për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit të veriut.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Lindita Arapi