1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041010 Pakistan USA

6 Tetor 2010

Rritja e ndërhyrjeve të drejtëpërdrejta ushtarake amerikane në Pakistan ka shqetësuar opinionin pakistanez, i cili ka frikë nga mundësia e përhapjes së luftës edhe në territorine tij

https://p.dw.com/p/PWa2
Luftëtarë talibanëFotografi: picture-alliance/ dpa

Avionë pa pilotë, goditje nga ajri e në të ardhmen ndoshta edhe trupa tokësore? Opinionin pakistanez është shqetësuar. Ai ka frikë nga mundësia që lufta e Afganistanit të transferohet edhe në territorin e Pakistanit.

Pakistani reagon

Pakistani ka reaguar me një sensibilitet të shtuar ndaj shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore prej trupave të NATO-s të stacionuara në Afganistan. Helikopterët e NATO-s kanë goditur të enjten (30.9.) trupat tokësore pakistaneze dhe kanë vrarë tre ushtarë. Burimet e NATO-s thonë se helikopterët janë sulmuar më parë nga territori i Pakistanit dhe janë detyruar të kundërpërgjigjen ndaj këtyre sulmeve. Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rehman Malik, ka kërcënuar me pasoja.

„Puna nuk do të përfundojë vetëm me dënimin e ngjarjes. Do të shkohet edhe më larg, sepse ne thjesht nuk do të lejojmë asnjë lloj sulmi ndaj trupave tona kufitare, apo ushtarëve. Ne duhet ta dimë se çfarë raportesh kemi: jemi aleatë, apo armiq?“

Chaos und Gewalt in Pakistan Besetzte Polizeistation nahe der afghanischen Grenze Musharraf verhängt Ausnahmezustand in Pakistan
Kaos dhe dhunë në PakistanFotografi: AP

Terroristët veprojnë nga territori pakistanez

Helikopterët janë vetëm një pjesë e problemit, sepse NATO dhe në veçanti SHBA për një kohë të gjatë janë tepër të frustruar për shkak të përdorimit prej talibanëve të territorit pakistanez si bazë për sulme ndaj trupave ndërkombëtare në Afganistan. Ata janë pozicionuar madje jo vetëm në zonën kufitare, por edhe në brendësi të Pakistanit.

Problemi tjetër është fakti që trupat pakistaneze nuk po e luftojnë rrjetin Haqqani në Vaziristan, i cili është i afërt me talibanët. Ndërkohë që janë shtuar zërat, që pohojnë se në Pakistan po stërviten edhe pjesëtarë të rrjetit terrorist Al Kaida, për sulme në Evropë dhe SHBA.

SHBA i merr gjërat vetë në dorë dhe ndërhyn në Pakistan

Gati çdo ditë shënohen sulme të avionëve amerikanë pa pilotë. Gazeta "New York Times" njofton edhe për mundësinë e ndërhyrjes së shkurtër të trupave amerikane tokësore në territorin pakistanez.

Anschlag auf 20 NATO Tanklaster in Pakistan
Islamistë sulmojnë një autokolonë të NATO-s në Quetta, Pakistan. 6.10. 2010.Fotografi: AP

Ish-ambasadori amerikan në Pakistan, William Milam, beson se ndërhyrja me helikopterrë nuk ka të bëjë shumë me mundësinë e sulmeve terroriste në shtetet perëndimore.

„Mendoj se kjo ka më shumë të bëjë me Afganistanin. Sa i përket raporteve për mundësinë e sulmeve të Al Kaidës, ato mund të sulmohen me avionë pa pilotë, kur konstatohet se është mbledhur një numër i caktuar i të dyshuarve. E këtu kemi të bëjmë me ndjekjen e talibanëve e ndoshta edhe të pjesëtarëve të grupit Haqqani në afërsi të kufirit.“

Lufta mund të përhapet edhe në Pakistan

Për ekspertin pakistanez për çështje sigurie, Talat Masood, gjendja është alarmante.

„Qeveria dhe ushtria jonë duhet të informojnë popullin se a ekziston me të vërtetë një marrëveshje me amerikanët për ndërhyrje në territorin tonë. Ndërkohë është bërë e qartë që SHBA-ja dhe NATO po e shtrijnë luftën e tyre edhe në Pakistan. Kjo është shumë e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja drastike në Pakistan.“

Qeveria pakistaneze ka një mjet shumë të mirë për presion ndaj SHBA-së, të cilën e ka përdorur menjëherë: Prej të enjtes së kaluar është mbylluar kalimi kufitar Torkham, nëpër të cilin bëhet furnizimi i trupave të NATO-s. Tri të katërtat e furnizimit të trupave ndërkombëtare bëhen përmes territorit të Pakistanit. Sulmet ndaj konvojeve të NATO-s në Pakistan janë shumë të shpeshta. I fundit ndodhi të hënën.

Mirëpo Pakistani varet prej ndihmave amerikane

Pakistan Anschlag in Buner an der afghanischen Grenze
Gati çdo ditë shënohen sulme të avionëve amerikanë pa pilotëFotografi: AP

Ai nuk mund të ndërmarrë të gjitha masat, që i ka në dispozicion. Në fundjavë ambasadori pakistanez në Uashington, Hussain Haqqani, tha se kalimi kufitar do të hapet brenda një jave. Edhe William Milam është i bindur se konflikti nuk do të përshkallëzojë.

„Besoj se ushtria pakistaneze e ka parë se shumë gjëra, që po bëjmë dhe që duam t'i bëjmë, janë në interesin e tyre. Por qeveria dhe ushtria duhet të kenë parasysh edhe disponimin antiamerikan në opinion. Prandaj duhet të reagojmë disi ndaj shkeljeve të kufirit dhe sulmeve nga ajri.“

SHBA-ja megjithatë duhet të ketë kujdes, thekson Milam. Pikërisht për faktin që qeveria pakistaneze ka pranuar në heshjte programin e CIA-s për avionë pa pilotë, Uashingtoni do të duhej që të mos keqpërdorë mirësjelljen e Islamabadit. Është një sekret i hapur që shumë avionë pa pilotë, që sulmojnë objektiva në Pakistan, janë të vendosura dhe veprojnë nga territori pakistanez.

Autor: Thomas Bärthlein/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica