1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensione Spanjë-Britani për Gjibraltarin

Hans-Günter Kellner/Amarildo Topi10 Gusht 2013

Spanja akuzon Gjibraltarin se ka bllokuar punën e peshkatarëve me hedhjen e blloqeve të betonit në det. Por nga ana tjetër mbrojtësit spanjollë të mjedisit deklarojnë se kjo gjë është e mirë për jetën nën ujore.

https://p.dw.com/p/19NA6
Fotografi: picture alliance/Roland Holschneider

Ministri i Jashtëm spanjoll është i zemëruar: "Festës në Gjibraltar i ka ardhur fundi!", tha José Manuel García-Margallo. Ai do të mbyllë hapësirën ajërore spanjolle për të gjitha fluturimet drejt kolonisë britanike. Gjithashtu ai do të vendosë edhe një taksë kalimi të kufirit prej 50 eurosh. Dhe së fundi Ministri spanjoll kërkon që 6 mijë qytetarëve nga Gjibraltari që kanë prona të patundshme në Spanjë, t'u bëhet hetim tatimor. Situata në pikën më jugore të Europës nuk është aspak e mirë dhe as telefonata mes krerëve të qeverive të dy vendeve nuk mjaftoi për ta qetësuar.

Arsyeja e tensionimit: autoritetet e Gjibraltarit kanë hedhur mbi 70 blloqe të mëdha betoni në pjesën e detit përpara aeroportit. Për këtë arsye peshkatarët spanjollë nuk mund të hedhin më rrjetat e tyre. Rojet bregdetare britanike kanë ndaluar më parë peshaktarët spanjollë të peshkojnë në këto ujra dhe këta të fundit deri tani mund të peshkojnë vetëm nën vëzhgimin rojeve bregdetare spanjolle Guardia Civil.

La Linea de la Concepcion
Fotografi: AP

Por edhe Spanja ka hedhur blloqe të tilla në det. Greenpeace përshëndet këto masa. Në këtë mënyrë brigjet do të rigjenerohen dhe do të kthehen në vende shumimi të peshqve. Autoritetet e Gjibraltarit morën këto masa pa biseduar më parë më autoritetet spanjolle. Martín Ortega Carcelén, ekspert ligjor pranë Universitetit të Madridit Complutense thotë se nuk është përcaktuar qartë se kujt i përkasin ujrat rreth shkëmbinjve. Nëse Gjibraltari hedh vetëm blloqe betoni, kjo nuk përbën asnjë fakt, shpjegon juristi.

Kujt i përket deti?

Por pas konfliktit qëndrojnë edhe arsye të tjera përveç asaj të peshkimit. Mosbesimi tek Spanja është i madh, sepse sipas saj Gjibraltari po përpiqet të zgjerojë territorin e tij në det në mënyrë artificiale. Kështu e gjykuan autoritetet spanjolle projektin "Sovereign Bay" të arkitektit Norman Foster në pjesën lindore të shkëmbinjve. Foster ndërtoi atje apartamente me pishinë me pamje nga deti dhe një port jahtesh.

Këtu lind edhe një pyetje bazike: Kujt do t'i përkasin shkëmbinjtë në të ardhmen? Spanja nuk ka deklaruar asnjëherë pronësinë ndaj tyre, që pas ditës kur Princi Georg von Hessen-Darmstadt e pushtoi në vitin 1704. Princi gjerman luftoi në krah të Habsburgëve dhe Britanisë në luftën kundër Spanjës. Lufta më pas u fitua nga Burbonët dhe Gjibraltari iu la britankëve në Traktatin e Paqes së Utrehut.

Gibraltar - Großbild
Fotografi: AP

Spanjollët protestojnë

Gjithmonë kur ka patur debate apo acarime rreth çështjes së shkëmbinjve Spanja ka ashpërsuar kontrollet në kufi. Policët kontrollojnë çdo çantë dhe shikojnë me kujdes çdo pasaportë. Për pak momente të krijohet përshtypja se po kalon kufirin e vjetër për në ish- Gjermaninë Lindore.

Sidoqoftë viktima nuk janë vetëm qytetarët e Gjibraltarit. 6000 punëtorë spanjollë, të cilët kalojnë kufirin çdo ditë në qytetin La Linea ankohen për ko masa. „Duhet të paguajmë 50 euro përditë tani?“ pyet Gemma Araujo, duke folur për planet e Margallos.

Gibraltar - beliebtes Touristenziel für Andalusienurlauber
Fotografi: dpa

Edhe biznesmenët nga La Linea iu tremben pasojave. Qyteti i vogël jeton nga shkëmbimet kufitare. "Punëtorët kanë ftuar Ministrin e Jashtëm të shohë kushtet në fshatin e tyre. Ai më parë duhet të njohë situatën, pastaj të marrë masat”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të punëtorëve, peshkatarëve dhe biznesmenëve. Ndërkohë Bashkimi Europian ka këshilluar Spanjën të zbatojë parimin e reciproritetit.