1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensione të reja mes Gjeorgjisë dhe Rusisë

Kristina Nagel/Auron Dodi6 Maj 2009

Qeveria gjeorgjiane shtypi sipas të dhënave të saj një rebelim në radhët e ushtrisë. Presidenti i vendit tha se Rusia u përpoq të organizonte një puç ushtarak, një ditë para fillimit të një manovre të NATO-s në Rusi.

https://p.dw.com/p/Hkbx
Presidenti gjerogjian Mikail Sakashvili, majtas, duke hyrë në bazën ushtarake Mukhrovani, rreth 30 km nga Tbilisi
Presidenti gjerogjian Mikail Sakashvili, majtas, duke hyrë në bazën ushtarake Mukhrovani, rreth 30 km nga TbilisiFotografi: AP

Një ditë para fillimit të manovrës së debatuar të NATO-s në Gjeorgji, tensionet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë arritën një pikë të re kulmore. Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë e akuzoi Rusinë se kishte planifikuar dhe financuar një puç ushtarak.

Ky puç u arrit të pengohej në momentin e fundit, deklaroi në Tbilisi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Shota Utiashvili: "Plani parashikonte kryengritje ushtarake kudo në Gjeorgji. Në këtë mënyrë synohej të pengohej në minutën e fundit manovra e NATO-s. Në fund ishte parashikuar një puç i madh ushtarak. Ne kemi aktualisht të dhëna, të cilat tregojnë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis shërbimeve të fshehta ruse dhe kryengritësve."

Disa ushtarakë të rangut të lartë janë arrestuar. Kundër disa të tjerëve nisën hetime. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme qe planifikuar që pesë mijë ushtarë rusë, të cilët janë stacionuar në republikat separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore ta mbështesnin kryengritjen. Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë informoi të martën (05.05) se iu dha fund një rebelimi në bazën e tankeve pranë Tbilisiit, komandanti qe arrestuar. Presidenti Sakashvili e fajësoi Moskën në një fjalim televiziv se qendron pas asaj që u quajt përpjekje për puç.

Tbilisi ka kohë që i ka halë në sy trupat ruse. Numri i tyre është shumë më i madh, nga ai që parashikon plani gjashtë pikësh, i cili synon të sjellë paqen në rajon, thotë pala gjeorgjiane. Pasi Osetia Jugore dhe Abkazia ia deleguan javën e kaluar mbrojtjen e kufijve të tyre Rusisë, numri i ushtarëve rusë dhe i pjesëtarëve të shërbimit të fshehtë ka arritur sipas Tbilisit në 10.000 ushtarë. Kjo nuk është e pranueshme, deklaroi e zemëruar qeveria gjeorgjiane. Ajo shpreson të marrë ndihmë dhe mbështetje nga partnerët perëndimorë.

Ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogosin, reagoi , me shpoti therëse ndaj shqetësimit të Tbilisit, i cili nxori në mënyrë demonstrative tanket: "Po ta zërë barku sot Sakashvilin, edhe këtë do ta deklarojnë si vepër të Moskës. Ne ka kohë që jemi lodhur duke i dhënë përgjigje çdo budallëllëku, çdo çmendurie, që nxjerr nga goja ky udhëheqës nazist i Gjeorgjisë. Situata është bërë absurde."

Me kënaqësi citohet në lajmet shtetërore ruse edhe ish-ministri i mbrojtjes së Gjeorgjisë, Gia Karkarashvili, i cili pas skandalit dallon një model tipik provokimi të Gjeorgjisë. Ai tha se "Gjeorgjia ndodhet në duart e të sëmurëve, të cilët i shkruajnë vetë skenarët, luajnë vetë në to dhe i shfaqin pastaj shoqërisë një film, i cili i fut asaj frikën."

Kushdo që të jetë përgjegjës për provokimin më të fundit, prej ditës së sotme (06.05.) NATO-ja do të ndodhet brenda pjesës së një loje të rrezikshme intrigash dhe veprimesh jotransparente të të gjithë pjesëmarrësve.