1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300409 NATO Russland

1 Maj 2009

Mes NATO-s dhe Rusisë ka tensione të reja. NATO dëboi dy diplomatë rusë. Ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogosin e kritikoi vendimin e Aleancës. Zënka janë rishfaqur edhe për provincat e Osetisë Jugore dhe dhe Abkhazisë.

https://p.dw.com/p/Hi39
NATO-ja dhe Rusia kanë edhe më tej tensione
NATO-ja dhe Rusia kanë edhe më tej tensioneFotografi: AP / PD / DW

Dëbimi i dy diplomatëve trondit raportet mes NATO-s dhe Rusisë

Të mërkurën (29.4.) kishte shenja për rifillimin e dialogut - të enjten (30.04.) filloi të fryjë sërish një fllad i lehtë i Luftës së Ftohtë nga Brukseli. Vetëm një ditë pas takimit të parë, pas disa muajsh të Këshillit NATO-Rusi, dëbimi i dy diplomatëve tronditi raportet mes NATO-s dhe Rusisë. Siç konfirmoi ambasadori i NATO-s, Dmitri Rogosin dy bashkëpunëtorë të tij kanë humbur akreditimin në NATO.

Rusia ka një zyrë në hapësirat e NATO-s. Njëri prej dy të fajësuarve është djali i ambasadorit rus në Bashkimin Evropian, tha Rogosin:

"Ky është një provokim. Ne besojmë që ky provokim bëhet në një moment shumë të keq, sepse ne sapo kemi filluar të përmirësojmë marrëdhëniet me NATO-n. Dikush në NATO po kërkon një skandal".

Vendet anëtare të NATO-s vendosën në fillim të vitit të rivendosin dialogun me Rusinë

NATO e ka ngrirë punën e komisionit të përbashkët me Rusinë në gusht të vitit 2008, pasi që Rusia pat marshuar me trupat e saj në Gjeorgji. Megjithatë, vendet anëtare të NATO-s vendosën në fillim të vitit që të rivendosin dialogun me Rusinë. Më 19 maj do të mbahet një takim i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe Rusisë. Sidoqoftë pjesëmarrja e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov nuk është ende e sigurtë. Ambasadori rus në Nato, Rogosin:

"Personat, të cilët i kanë parashtruar këto fajësime duan që Lavrovi të mos vijë në Bruksel. Unë kam biseduar para disa orësh me Lavrovin dhe ne po mendohemi se si duhet të veprojmë. Kjo për faktin se ky nuk është rast normal spiunazhi".

Një eston i ka dhënë dokumente të NATO-s shërbimit të fshehtë rus

Dëbimi i dy diplomatëve siç duket ka të bëjë me një nëpunës nga Estonia. Një gjykatë e ka dënuar atë në shkurt me akuzat për spiunazh, me 12 vjet heqje lirie. Ai thuhet se i ka dhënë dokumente të NATO-s shërbimit të fshehtë rus. Rogosin thotë:

"Të dy rusët nuk janë spiunë. Akuzat kundër dy kolegëve të mi janë absurde".

Nga ana tjetër, NATO-ja nuk është shprehur deri tani për këtë rast.

Autor: Kristof Prësl/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi