1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Teologu nga ish- RDGJ-ja kandidat për president

20 Shkurt 2012

Kancelarja Merkel tha, se ajo me emrin Gauck lidh vlerësimin e „lirisë në përgjegjësi“.Gauck në një deklaratë të shkurtër u bëri thirrje qytetarëve për një frymë më të fortë sociale.

https://p.dw.com/p/145lu
Joachim GauckFotografi: dapd

Koalicioni qeverisës i kristiandeokratëve dhe liberalëve ra dakord me partitë opozitare socialdemokratët dhe ekologjistët për të zgjedhur Joachim Gauck kandidat për postin e presidentit. Kancelarja Angela Merkel të dielën në mbrëmje (19.02.2012) komunikoi vendimin konsensual për kandidatin për president në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin me kryetarët e partive të tjera dhe të vet Joachim Gauck. Teologu 72 vjeçar dhe ish-drejtuesi i zyrës së hapjes së dosjeve të ish-sigurimit të shtetit në RDGJ pritet të zgjidhet me shumicë të gjerë nga Asambleja Federale si pasardhës i presidentit Christian Wulff, i cili dha dorëheqjen të premten (17.02.2012). Gauck në zgjedhjet presidenciale në vitin 2010 ishte kandidati i partisë socialdemokrate dhe asaj ekologjiste dhe e humbi garën vetëm me fare pak vota diferencë.

Pressekonferenz im Bundeskanzleramt Bundespraesident
Konferenca e shtypit në zyrën e kancelarisë në Berlin (19.02.2012)Fotografi: dapd

Merkeli pret impulse të rëndësishme nga Gauck

Merkel tha, se ajo me emrin Gauck lidh vlerësimin e „lirisë në përgjegjësi“. Të mos harrojmë, se ishin njerëzit e kishës si Gauck që bënë të mundur revolucionin paqësor në RDGJ“,  theksoi kancelarja.  Ajo shprehu bindjen, se Gauck do t’u japë gjermanëve impulse të rëndësishme dhe do të mund të riforocjë besimin tek demokracia dhe rendi paqësor-demokratik.

Kryetari i partisë socialdemokrate Sigmar Gabriel tha duke iu referuar votimit në Asamblenë Federale në vitin 2010, se është i sigurtë, që ndërkohë janë penduar të gjithë ata, prej të cilëve Gauck nuk arriti të zgjidhet. Shprehimisht Gabriel lavdëroi Merkelin dhe koalicionin qeverisës, që kërkuan bisedime „të hapura dhe korrekte“ me opozitën, për të gjetur një kandidat mbipartiak.

Pressekonferenz im Bundeskanzleramt Bundespraesident
Joachim Gauck dhe Angela Merkel në konferencën e shtypit në BerlinFotografi: dapd

Kandidati do një frymë më të fortë sociale

Gauck në një deklaratë të shkurtër u bëri thirrje qytetarëve për një frymë më të fortë sociale. Ai do t’i ftojë njerëzit të marrin përgjegjësi dhe të mos jenë vetëm spektatorë dhe shoqërues kritikë. Gauck shprehimisht u lut, që gabimet e para në postin e ardhshëm t’ia falin me zemërgjerësi. Nuk mund të pritet, që unë të jem një "supermann dhe një njeri i pagabueshëm.“

Merkel menjëherë pas dorëheqjes së presidentit Wulff shpalli si qëllim të saj marrëveshjen me socialdemokratët dhe ekologjistët për një kandidat të përbashkët. Sipas njoftimeve në media në fundjavë ka pasur herë herë edhe rezistencë në radhët e koalicionit kundër kandidaturës së Gauck. Unioni konservator dhe liberal-demokratët kanë një shumicë të ngushtë në Asamblenë Federale. Wulff dha dorëheqjen pasi prokuroria komunikoi hapjen e procedurës hetimore ndaj tij. Ndaj Wulff janë ngritur dyshime për përfitime në kohën që ai ka qenë kryeministër i Saksonisë së Ulët

Autor: V.Filaj-Ballvora (dpa/dw)

Redaktoi: M.Cika-Kelmendi