1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Termet katastrofal në Kili, frikë nga cunami në tërë rajonin

28 Shkurt 2010

Si pasojë e tërmetit të rëndë në Kili kanë humbur jetën qindra vetë. Tërmeti ka prekur edhe vendet fqinje, ndërsa shumë rajone janë të rrezikuara nga cunami. Frika më e madhe aktualisht është në Japoni.

https://p.dw.com/p/MEK2
Fotografi: AP

Deri tani në Kili është konfirmuar vdekja e mbi 300 personave, si pasojë e tërmetit të rëndë që e goditi këtë vend ditën e shtunë (27.2.). Më së shumti të vdekur ka në rajonin Maule, rreth 300 kilometra në jug të kryqytetit Santiago de Chile.

Në rajonin e epiqendrës së tërmetit, rreth 115 kilometra larg bregut të Paqësorit, në qytetin Conception ka pasur shkatërrime të përmasave të mëdha. Janë rrënuar ndërtesa të shumta dhe disa ura, rrugët janë gati të pakalueshme, ndërsa disa pjesë janë të shkëputura nga bota dhe mund të furnizohen vetëm me helikopterrë. Presidentja e vendit Michelle Bachelet ka shpallur gjendje emergjente të katastrofave.

Gjendje alarmi

Chile Erdbeben Michelle Bachelet
Presidentja Michelle BacheletFotografi: AP

„Ne nuk po flasim për një katastrofë në kuptimin kushtetues, por për zonat që janë prekur nga katastrofa, që do të thotë se institucioneve u jepet mundësia që të reagojnë më shpejt ndaj krizës, për të dërguar mjetet shtesë që na vihen në dispozicion", tha presidentja.

Nga pasojat e tërmetit është prekur rajoni në gjatësi prej 800 kilometrash, prej Valparaisos në veri të Santiagos deri në Araucania, rreth 700 kilometra në jug të kryeqytetit. Në disa qytete janë evakuuar edhe spitalet. Ndërsa aeroporti ndërkombëtar i Santiagos është mbyllur për të paktën 24 orë, pasi disa pjesë janë dëmtuar rëndë. Ndihmësit janë kudo në përpjekje për të ndihmuar popullatën.

Erdbeben Chile
Fotografi: AP

„Tërmeti ishe shumë i fuqishëm. Tani po përpiqemi që të nxjerrim personat e mbetur nën gërmadha. Po përpiqemi të bëjmë më të mirën që është e mundur. Qëllimet tona i kemi arritur deri tani dhe kjo më bën të lumtur", thotë njëri prej tyre.

Pjesë të shkëputura nga bota

Disa pjesë të Santiagos dhe të rajoneve tjera kanë mbetur pa rrymë, ujë dhe ngrohje. Presidentja Michelle Bachelet ka shkuar për të vizituar zonën më të prekur. Shumë njerëz kanë kaluar natën nën qiellin e hapur, nga frika e tërmeteve të tjera, ndërsa me qindra të tjerë shëtisin rrugëve pa ndonjë drejtim të caktuar. Shumë prej tyre janë të lumtuar që kanë mbijetuar.

„Më e rëndësishme është që shumica e njerëzve kanë mbijetuar, sepse tërmeti ishte shumë i fuqishëm", thotë një qytetar. "Të gjithë kemi dalë në rrugë, të gjitha janë rrafshuar me tokë, janë shkatërruar, janë prishur - të gjitha, të gjitha", tregon një tjetër.

Gjendje e rëndë edhe në Japoni

Tsunami Warnung Pazifik
Frika nga cunamiFotografi: AP

Autoritetet kanë dhënë edhe alarmin e rrezikut nga cunami në Paqësor, që prej Havait e deri në Australi. Tërmeti ka shkaktuar dallgë të larta që kanë goditur bregdetin, por deri tani nuk ka të dhëna për dëme të mëdha. Një pjesë e njerëzve është evakuuar për shkak të mundësisë së përmbytjeve. Aktualisht gjendja më e rëndë paraqitet në Japoni ku nga disa pjesë në afërsi të Paqësorit, për shkak të frikës nga cunami, janë evakuuar me qindra mijëra njerëz. Mediat japoneze dhe agjencitë e vendeve tjera të lajmeve njoftojnë për evakuimin nga Kyodo të rreth 320.000 njerëzve dhe për valët e para të përmbytjeve. Deri tani nuk ka të dhëna për pasojat në njerëz dhe dëme materiale. Tërmeti i shkallës 8,8 të Rihterit është vërejtur edhe në vende të tjera: Peru, Argjentinë dhe në Ekuador, ku autoritetet janë vënë në gjendje alarmi. Ky rajon konsiderohet si i rrezikuar prej lëkundjeve të tokës. Në vitin 1960, në qytetin Valdivia, nga pasojat e tërmetit kanë vdekur 1.655 njerëz.

Autor: Gotfried Stein/Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani