1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrori në pushimet e verës gjermane

Christoph Strack20 Korrik 2016

Berlini politik është tepër i heshtur pas aktit të përgjakshëm të dhunës në Würzburg. Ka persona që nguten të ngrenë zërin. Paralajmërime vijnë nga Mynihu, nga një ministër i Brendshëm i vendosur, por i arsyeshëm.

https://p.dw.com/p/1JSDV
Gjurmë të sulmit në Würzburg
Gjurmë të sulmit në WürzburgFotografi: picture-alliance/dpa/K. Hildenbrand

Një 17 vjeçar, një refugjat i ri nga Afganistani, plagos në mbrëmje vonë në një tren në afërsi të Würzburgut rëndë disa udhëtarë. Me sëpatë dhe me thikë. Disa nga viktimat janë në rrezik për jetën. Megjithë "breaking news" ky lajm i arrin shumë gjermanë vetëm të nesërmen. Në stacionin kryesor të trenit kalimtarëve u bien më shumë në sy policët me jelek antiplumb, por ata qarkullojnë çdo mëngjes në këtë vend.

Në Berlin në këto ditë është pushim vere. Kalon kohë, deri sa politikanë federalë shprehen për Würzburgun. Kjo del në pah edhe kur dëgjon deklaratën e parë të anëtarit të kabinetit qeveritar, e cila vërtet kishte të bënte me terrorin. Por ajo kishte lidhje me masakrën e tmerrshme të Nicës. Pasi kanë kaluar katër ditë pas ngjarjes në Francë, ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier konfirmon që tek viktimat janë edhe tri gjermanë. Dy nxënëse dhe një mësuese nga Berlini.

Në krah të partnerëve tanë evropianë

"Atentati i tmerrshëm" i Nicës tregon se "terrori drejtohet pa bërë dallim ndaj të gjithë njerëzve. Prandaj mesazhi ynë është: ne nuk lejojmë të na frikësojnë jemi krah për krah me partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë kundër urrejtjes, dhunës dhe terrorit", deklaroi Steinmeier.

Ata anëtarë të kabinetit, që përndryshe dërgojnë dendur mesazhe në twitter, nuk ndihen. Ministri Federal i Drejtësisë dhe i Mbrojtjes së Konsumatorëve, Heiko Maas, për shembull shprehet vetëm pas orës 13.

Një njeri që shprehet i qetë dhe i menduar natën, në mëngjes dhe në mesditë është ministri i landit të Bavarisë, Joachim Herrmann. Ai paralajmëron fillimisht që të mos merren vendime të përshpejtuara, falenderon policët, ndalet në fjalën e tij gjatë në shqetësimin për viktimat kineze të dorasit, thekson herë pas here se një atentat të tillë "është jashtëzakonisht e vështirë ta ndalosh". "Ne nuk mund të vëmë në çdo vagon tramvaji një polic", shprehet ai dhe shprehet kundër paragjykimeve të përgjithshme.

"Atentatet në parim duhen llogaritur"

Würzburgu në Franken bën pjesë në shtetin e lirë të Bavarisë. Prandaj ministri i Brendshëm i Bavarisë mban edhe përgjegjësi politike për ngjarje të tilla. Për gjendjen e përgjithshme të rrezikimit në Gjermani "pas Würzburgut" shprehet për DW një zëdhënës i ministrisë Federale të Brendshme. "Vlerësimi për rrezikimin bazë të Gjermanisë është i pandryshuar", tha ai. Gjermania siç dihet ka kohë që qendron në shënjestër të terroristëve islamikë. Në këtë kuadër "duhen llogaritur në parim edhe atentate prej grupeve tepër të vogla dhe të individëve të radikalizuar". Detaje për hapat e mëtejshëm që janë marrë për t'u mbrojtur si zakonisht ai nuk dha.