1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrori pa kufi

Kersten Knipp16 Qershor 2016

Atentatet e Orlandos dhe Parisit zbatojnë atë që rekomandojnë xhihadistë të njohur prej vitesh: kalimin e terrorit në jetën e përditshme të Perëndimit. Kjo i vë autoritetet e sigurisë para sfidave krejt të reja.

https://p.dw.com/p/1J7CC
USA Schießerei in Orlando zahlreiche Tote Nightclub Pulse
Fotografi: Getty Images/G. Mora

"Thërrmojuani kafkën me ndonjë gur; therini me thikë; shtypini me automjetin tuaj; rrëzojini nga lartësi të mëdha; mbytini ose helmojini". Këto janë rekomandime për veprim, të cilat zëdhënësi i Shtetit Islamik (IS) Muhammad al-Adnani u shpërndau në shtator simpatizantëve të IS në një mesazh audio. Në radhë të parë, plotësoi ai, "ushtarët" e IS duhet të sulmojnë francezët e poshtër dhe lëpirashë". Por edhe gjithë "të pafetë" e shteteve të tjera janë sipas tij synime legjitime.

Mesazhi që lëshoi al-Adnani ra si në Orlando, ashtu edhe në Paris në tokë pjellore. Të dy dorasit u deklaruan si mbështetës të IS, të dy ishin të njohur për autoritetet e sigurisë në vendet e tyre. Dhe të dy e vënë drejtësinë para pyetjes si të veprojë me të dyshuar si terroristë.

Jo struktura formale

Edhe më tepër autoritetet e sigurisë i preokupon një pyetje tjetër: si mund t'i identifikosh njerëzit, që janë të gatshëm të bëjnë në emër të IS akte terroriste? "Përkufizimi i një rrjeti është pikërisht që ai nuk ka hierarki, nuk ka strukturë formale", i thotë studiuesi i terrorizmit Peter Neumann DW. "Këta janë njerëz që e njohin njëri-tjetrin, për shembull sepse kanë qenë bashkë jashtë vendit; sepse janë takuar në skenën xhihadiste dhe raportet e njohjes së njëri-tjetrit aktivizohen nga rasti në rast. Nuk kemi të bëjmë me një strukturë formale."

Në shtetet perëndimore, para së gjithash në Francë, është pikërisht kjo mangësi e strukturave formale në të cilën konsiston fuqia e IS. Simpatizantët e mundshëm dhe luftëtarët është më e vështirë të identifikohen se në një organizatë të rregulluar në mënyrë hierarkike. Kjo është një formë e dëshiruar. "Nizam, la tanzim", është një formulë famëkeqe e teoricienit të këtij terrori të shfrenuar, e xhihadistit sirian Abu Musab al-Suri: "Një sistem, jo organizatë" - kjo do të thotë: xhihadistët krijojnë një rrjet joformal, i cili bazohet në marrëdhënie personale, në ndryshim dhe të strukturuar vetëm pak. Me të mund të bashkohesh ose edhe ta braktisësh. Para së gjithash mund të veprosh në mënyrë të pavarur dhe me mendjen tënde."

Strategjia e Musab al-Surit

Teoria e Xhihadit e al-Surit përmban një pjesë ideologjike dhe një pjesë strategjike. Ideologjia ka synim mallkimin e "kryqtarëve amerikano-hebrenj", të cilët sipas al-Surit shkatërrojnë në mënyrë të qëllimshme botën islamike. Kjo bëhet me anë të "përhapjes së një kulture të degjenerimit, prishjes, të tradhëtisë bashkëshortore dhe të imoralitetit, të zhveshjes, të lakuriqësisë, të përzierjes së gjinive dhe të formave të tjera të korrupsionit social". Kundër kësaj duhet të mbrohemi përmes luftës pa kufi. Objektivat sipas tij ka shumë dhe ato janë të llojit më të ndryshëm: politikanë dhe ushtarakë; infrastruktura ekonomike si aeroportet dhe portet, stacionet hekurudhore, urat, kryqëzimet e autostradave, metrotë dhe vendet turistike. Mund të sulmohen edhe bazat ushtarake dhe qendrat e kompjuterave; por edhe objektivat "më të buta" si sipërmarrjet mediatike dhe përfaqësuesit e tyre. Të gjitha këto, jep siguri Al-Suri, i shërbejnë vetëm kundërmbrojtjes.

Al-Suri i lindur ndoshta në vitin 1958 jetoi për vite të tëra në Evropë. Ai ngarkohet me rol drejtues në planifikimin e atentateve në trenave periferikë në Madrid në mars 2003, përmes të cilave u vranë 190 vetë dhe u plagosën 2000 të tjerë. Por gjurmët e Al-Surit humbën para disa vitesh në burgjet e regjimit të Assadit.

Sot kërkesat e tij shpërndahen nga një brez më i ri, të përshtatura në mediumin e kohës së sotme: internetin. Një nga veprat më të njohura publikoi francezi me origjinë nga Senegali, Omar Diaby alias Omar Omsen. Në serialin "19HH", Omsen flet ndër të tjera për një gjoja komplot të përbotshëm kundër fesë islame: "Ju mund t'i modifikoni gjërat sipas dëshirave tuaja dhe t'i shtyni masat në drejtime, që ju përshtaten...Në emër të së ashtuquajturës siguri ka nisur propaganda kundër fesë islame!" Omsen ishte njëri nga rekrutuesit më të rëndësishëm të xhihadit në Siri. Ai vetë vdiq po atje në gusht 2015.

Luftë që tani drejtohet edhe kundër objektivave "më të buta", jetës së përditshme në Perëndim. Në të mund të luajnë një rol edhe të deklasuarit nga pikëpamja sociale, ata që janë bërë të huaj për shoqërinë - si tani atentatorët e Orlandos dhe Parisit. Kriminelët e vegjël dhe neurotikët e drejtojnë xhihadin. Pikërisht kjo e bën shumë të vështirë luftimin e tij.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,19329139,00.html