1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tetori Gjerman 2017 me risi artistike kulmore në Shqipëri

28 Shtator 2017

Vepra dhe aktivitetet kulturore, të Tetorit Gjerman 2017 pritet të flasin me gjuhën e artit për përfitimet e mëdha që po gëzojnë dy popujt në 30 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Shqipëri.

https://p.dw.com/p/2kpfD
Rosemarie Trockel
Fotografi: Rosemarie Trockel, Bildrecht Wien 2015 und Kunsthaus Bregenz/M. Tretter

30-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Gjermani-Shqipëri përbën boshtin e javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, që njihen me emrin Tetori Gjerman. Që nga viti 2006, kur kjo traditë filloi, këto javë ndërtuan, vit pas viti, një urë të fuqishme bashkëpunimi kulturor dhe njerëzor mes dy vendeve dhe duke prezantuar maja të kulturës dhe të artit  për dashamirët në rritje që Tetorët Gjermanë fitojnë çdo vit.

Bashkëpunim i ndërsjelltë në produktin artistik - shkëmbim përjetimesh dhe përvojash.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, në një konferencë shtypi , në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë prezantoi synimet e programit të Tetorit gjerman 2017.

Susanne Schütz deutsche Botschafterin in Albanien
Susanne SchützFotografi: Deutsche Botschaft/Tirana

"Shkëmbimi i mendimeve dhe përvojave mes gjermanëve dhe shqiptarëve do të jetë edhe këtë herë ideja qendrore dhe elementi lidhës i Tetorit Gjerman 2017. Edhe këtë vit dëshirojmë të arrijmë që shqiptarët dhe gjermanët bashkarisht të jenë krijues, aktivë, të përjetojnë së bashku dhe të shkëmbejnë përjetimet e tyre, të punojnë për një produkt, të ngrenë ura ndërlidhjeje e në rastin më të mirë të mësojnë prej njëri-tjetrit”. 

Risi artistike kulmore në programin e larmishëm Tetori Gjerman 2017

Teatër, balet, muzikë, kinematografi, letërsi, arte figurative dhe workshop-e do të synojnë të plotësojnë kërkesën në rritje të publikut shqiptar për kulturën dhe artin bashkëkohor gjerman. Koncerti  "Rekuiem Gjerman", vepra madhore për kor dhe orkestër e kompozitorit Johannes Brahms, do të bëjë hapjen festive të aktiviteteve të Tetorit Gjerman 2017. Dirigjenti gjerman Ekhart Wycik, profesor në Shkollën e Lartë të Muzikës në Weimar do të drejtojë korin dhe orkestrën.

Buchcover: Borchert - Draußen vor der Tür (Hörbuch)

Drama  "Draußen vor der Tür ("Jashtë derës) e autorit Wolfgang Borchert do të jetë premierë dhe vihet në skenë përmes bashkëpunimit gjermano-shqiptar. E shkruar në vitin 1946 ajo paraqet mungesën e  shpresës së Beckmann-it, një ushtari gjerman pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kthimit të tij nga Rusia, kohë kur ai zbulon se ka humbur gruan, shtëpinë dhe gjithçka ku ai besonte, bashkë me iluzionet. Të gjitha dyert ku ai troket nuk i happen. Madje edhe lumi Elba i refuzon vetëvrasjen duke e nxjerrë atë në breg.  Drama përfundon me supozimin e vdekjes së Beckmann-it. Drama është vlerësuar si një vepër teatrale përtej kombësisë dhe ideologjisë. Ajo tregon sesi njeriu i zakonshëm, egoist dhe i vetëkënaqur, është përgjegjës për tmerret, vuajtjet dhe dhimbjen që sjellin konflikte të mëdha si Lufta e Dytë Botërore, mesazh që ruan aktualitetin edhe sot e kësaj dite.

Një tjetër risi u ofron dashamirësve të kulturës gjermane në Shqipëri ekspozita e arteve figurative "Rosemarie Trockel", nga Instituti për Marrëdhëniet me Jashtë. Autorja është profesore në Akademinë e Arteve në Dyseldorf  dhe fituese e çmimit Wolf Prize në pikturë. Rosemarie Trockel është autorja e monumentit " Engjëlli i Frankfurtit”  i vendosur në Frankfurt. Ajo vlerësohet si artiste shumë dimensionale, e famshme në nivel ndërkombëtar që nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek video-instalacionet.

Füllfeder in Blau schwarz laviert, Pinsel in Schwarz, Acrylfarbe in Gelb, auf cremefarbenem Büttenpapier, 26 x 20 cm Flash-Galerie
Punim nga Rosemarie TrockelFotografi: VG Bildkunst, 2009

Letërsia do të sjellë në Shqipëri me ftesë të Ambasadës Gjermane dhe Qendrës Gëte, dy autorë gjermanë, poeten Daniela Danz dhe autorin e vlerësuar me çmime të librave për fëmijë Jürgen Banscherus. Muzika do të jetë e pranishme përmes këngësh të vjetra popullore shqiptare të paraqitura në një mënyrë të re interpretimi nga këngëtarja me banim në Berlin, Fatime Kosumi dhe grupi i saj ANDRRA. Meloditë tradicionale do të sillen me një interpretim elektronik të përshkruar nga melankolia. Pjesë e Tetorit Gjerman 2017 janë edhe vepra kinematografike të sukseshme të kineastëve gjermanë.

Vepra dhe aktivitetet e larmishme kulturore artistike, të përzgjedhura për Tetorin Gjerman 2017 pritet të flasin me gjuhën e artit për përfitimet e mëdha që po gëzojnë dy popujt në 30 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Shqipëri.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana