1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi dhe Daçiqi takohen në Bruksel

Bahri Cani19 Tetor 2012

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Chaterine Ashton ka mbajtur një takim të përbashkët në Bruksel me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

https://p.dw.com/p/16TRR
Fotografi: picture-alliance/dpa

Takimi i përbashkët i përfaqësueses së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Chaterine Ashton me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë paraqet edhe fillimin e dialogut në nivelin më të lartë politik. Lajmi për takimin e kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq është konfirmuar edhe nga kabineti i Ashton.

"Kryeministrat i kanë zgjatur dorën njëri-tjetrit, sepse kështu parashikon protokoli ynë", deklaroi një burim nga zyra e Ashton. Sipas burimeve diplomatike, takimi i parë mund të shërbejë vetëm si sinjal për fillimin e një procesi i cili mund të zgjatë shumë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme Catherine Ashton kumtoi se takimi me kryeministrin Thaçi dhe kryeministrin serb Daçiq, në zyrën e saj ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive.

Kryeministri serb ka paralajmëruar edhe një konferencë për mediat serbe. Ndërsa pala kosovare deri tani nuk është deklaruar për këtë çështje.

Në foto, Catherine Ashton
Në foto, Catherine AshtonFotografi: Reuters

Ashton do të jetë udhëheqëse e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Para takimit të përbashkët Ashton, pati takime të ndara me të dy kryeministrat. Pas takimeve të ndara ata nuk kanë dhënë deklarata, por burimet diplomatike pohojnë se ky takim paraqet fillimin e një procesi të negociatave politike, i cili do të duhej të rezultonte me një marrëveshje përrfundimtare mes krerëve të Serbisë dhe Kosovës. Dialogu dhe normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës konsiderohet si kushti kryesor për afrimin me Bashkimin Evropian.

Takimet e fundit në nivelin më të lartë, të njohura si "takimet e elefantëve", janë zhvilluar në Vjenë në vitin 2006 dhe 2007, por pa ndonjë rezultat konkret.