1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bruksel negociohet projekt-marrëveshje për veriun e Kosovës

Bekim Shehu26 Shkurt 2013

Grupet e ekspertëve nga Prishtina dhe Beogradi bisedojnë në Bruksel për projekt-marrëveshjen për veriun e Kosovës. Kryeministri, Hashim Thaçi, thotë, se katër komuna serbe në veri do të kenë asociacionin e tyre.

https://p.dw.com/p/17m11
Straßenszenen in Nord Mitrovica Bild: Vilma Filaj-Ballvora, Mitrovica / Kosovo aufgenommen am 21.01.2013
Fotografi: DW

Grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit, po takohen në Bruksel për të hartuar projekt-marrëveshjen për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës dhe integrimin e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës. Grupet e ekspertëve po udhëhiqen nga kryesuesja e dialogut teknik me Beogradin, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, konfirmojnë për DW, zyrtarë nga zyra e zëvendëskryeministres. Takimet e ekspertëve të Prishtinës dhe Beogradit, po i paraprijnë takimit të katër marsit, ku kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, pritet të finalizojnë një marrëveshje për veriun e Kosovës.

epa03010806 Edita Tahiri Deputy Prime Minister of Kosovo and Head of the Pristina negotiating team speaks to journalists as she arrives for negotiations with Borko Stefanovic the Political Director of the Serbian Ministry for Foreign Affairs and Head of Belgrade's negotiating team on Kosovo at EU Council headquarters in Brussels, Belgium, 21 November 2011. EPA/OLIVIER HOSLET
Edita Tahiri, zëvendëskryeministre e KosovësFotografi: picture alliance/dpa

Në mars finalizohet marrëveshja për veriun

Kryeministri Thaçi, e informoi të martën 26.02.2013, Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për rrjedhën e takimit të fundit që zhvilloi me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq në Bruksel.  "Eshtë arritur pajtimi që të shpërbëhen strukturat policore dhe të inteligjencës të Serbisë në Kosovë dhe që të transformohen strukturat e tjera, të krijohet asociacioni i komunave ekzistuese me shumicë serbe në Kosovë, dhe që në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetarët e komunave, si dhe të funksionalizohet sistemi i drejtësisë dhe i gjykatave. Dy gjykata të reja komunale do të krijohen në Leposaviq dhe në Zveçan", citon zyra e presidentes kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ndërkaq, ka thënë për mediat lokale serbe se: "Nëse zgjidhim çështjen e asociacionit të komunave serbe, në qoftë se ato do të kenë kompetencat e tyre themelore, pastaj i zgjidhim edhe problemet e tjera në veri."

Asociacion i komunave në veri pa kompetenca ekzekutive

Njohës të çështjeve kushtetuese, thonë se krijimi i asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës nuk e cënon rendin kushtetues të Kosovës, për sa kohë ky asociacion nuk ka kompetenca ekzekutive. Arsim Bajrami, cili ka qenë njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, thotë se asociacioni i komunave në veri të Kosovës duhet parë "në kontekstin e konceptit të Planit të Ahtisarit", që në fakt e lejon mundësinë e bashkëpunimin ndërkomunal të komunave, por edhe bashkëpunimin e komunave në kuptimin ndërshtetëror, por pa kompetenca vendimmarrëse. "Ky asociacion do të jetë vetëm një mekanizëm konsultativ dhe koordinues i bashkëpunimit midis komunave pa kompetenca vendimmarrëse, të karakterit legjislativ e ekzekutiv, apo të natyrave të tjera, sepse, po qe se ky asociacion do të kishte edhe kompetenca shtesë jashtë asociacionit të komunave, që funksionon në kuadër të komunave të Republikës së Kosovës, atëherë kjo do të paraqiste pengesë për funksionimin e sistemit unik kushtetues të Republikës së Kosovës", thotë Arsim Bajrami.

Që nga fillimi i dialogut politik ndërmjet dy kryeministrave, Thaçi e Daçiq, situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdimisht ka qenë dhe vazhdon të jetë e tensionuar, ku për pasojë ka shpërthime të vazhdueshme, por pa pasoja në njerëz. Gjithë këtë tensionim të situatës disa analistë politik e ndërlidhin me mosinformimin e qytetarëve të veriut për dialogun.

Serbët e veriut të përfshihen në dialog dhe në zbatimin  e marrëveshjeve

Analisti për Kosovën nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, ICG, Naim Rashiti, thotë se "serbët e veriut të Kosovës nuk janë shumë të informuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, sikundër që nuk kanë qenë asnjëherë të informuar mbi planin e Marti Ahtisarit. Mesazhi më i mirë do të ishte që serbët e veriut të përfshihen në dialog dhe në procesin e implementimit të marrëveshjeve në mënyrë që gjërat të kalojnë më lehtë. Kjo për faktin që deri para disa muajve serbët e veriut kanë pritur diçka krejt tjetër nga dialogu, ndërsa, tash gjërat kanë ndryshuar dhe po flitet për transformimin e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës", thotë Naim Rashiti.