1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thellohen marrëdhëniet Turqi - Rusi

Ayhan Simsek / Elona Elezi5 Dhjetor 2012

Në takimin mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan, dy shtetet lanë mënjanë mendimet e ndryshme rreth Sirisë dhe nënshkruan një sërë marrëveshjesh për energjetikën dhe tregtinë.

https://p.dw.com/p/16vnM
Russia's President Vladimir Putin (L) shakes hands with Turkey's Prime Minister Tayyip Erdogan after their news conference in Istanbul December 3, 2012. REUTERS/Osman Orsal (TURKEY - Tags: POLITICS)
Fotografi: Reuters

Gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Turqi të hënën (03.12.2012), pati sërish mendime të kundërta rreth çështjes për t´i dhënë fund luftës civile në Siri. Por dy vendet premtuan për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në një sërë fushash. "Ne biem dakord në nevojën për t´i dhënë fund konfliktit në Siri, por kemi ide të ndryshme se si duhet të ndërtohet e ardhmja siriane," tha Putin në një konferencë të përbashkët për shtyp me Erdogan. "Diskutuam këtë çështje sot me kolegët turq, dhe arritëm në konkluzione me ide të reja, të cilat kërrkojnë analiza dhe planifikime të mëtejshme," tha Putin.

Erdogan gjithashtu minimizoi dallimet mes Rusisë në Siri dhe tha se kanë udhëzuar ministrat e tyre të jashtëm për të punuar më nga afër në rrugët që çojnë drejt fundit të luftës civile në Siri. Kryeministri turk theksoi tregtinë në rritje brenda një kohe të shkurtër me Rusinë dhe një bashkëpunim energjitik edhe më të ngushtë. "Qëllimi ynë është të kapim shifrën 100 miliardë dollarë në vëllimin e ndërsjelltë tregtar. Duke qenë se këtë vit arritëm 35 miliardë dollarë, unë besoj se do ta arrijmë edhe shifrën e 100 miliardë dollarëve dhe madje edhe ta tejkalojmë atë," tha Erdogan.

Turqia dhe Rusia nënshkruan 11 marrëveshje në fushat e tregtisë, energjetikës, sigurisë, kulturës dhe edukimit. Putin tha se vendi i tij do të financojë centralin e parë bërthamor turk në Akkuyu, i cili pritet të kushtojë 22 miliardë dollarë.

Russian Prime Minister Vladimir Putin, left, and his Turkish counterpart Recep Tayyip Erdogan sign an agreement on constructing part of the South Stream Pipeline through waters in the Black Sea, in Ankara, Turkey, Thursday, Aug. 6, 2009. Putin said Thursday a newly signed deal to build a gas pipeline through Turkish waters is vital to European energy security.( AP Photo/Burhan Ozbilici)
Fotografi: AP

"Periudha më e lavdishme"

"Sot jemi dëshmitarë të periudhës më të lavdishme të marrëdhënieve 500-vjeçare mes turqve dhe rusëve," thotë Huseyin Kanbolat, drejtor i Qendrës Studimore Orsam në Ankara. "Marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Rusisë janë ndërtuar mbi një bazë solide. Ky është një bashkëpunim me rrënjë shumë të thella. Mosmarrëveshjet rreth Sirisë nuk do të krijojnë tensione të mëdha," i tha ai DW-së.

Gjatë periudhës otomane, turqit dhe rusët patën luftëra shumë të përgjakshme, të cilat krijuan një mosbesim të thellë mes dy vendeve. Vendi anëtar i NATO-s, Turqia, mbajti anën e krahut jugor të Aleancës gjatë Luftës së Ftohtë. Pavarësisht një historie të gjatë përplasjesh dhe gare mes tyre, përgjatë viteve të fundit Turqia dhe Rusia u janë gëzuar marrëdhënieve të ngushta, kryesisht si pasojë e lidhjeve të forta në fushën e energjetikës dhe të tregtisë.

Rusia është sot partneri më i madh tregar i Turqisë dhe siguron thuajse 2/3 e gazit të saj dhe 1/3 e nevojave të naftës. Sipas Kanbolat, kjo marrëdhënie është e bazuar në ndërvarësi.

Tensionet mes tyre u shfaqën në muajin tetor, kur avionët luftarakë turq detyruan një avion sirian që të ulej në Ankara, me pretendimin se në ekuipazhin e avionit kishte pajisje luftarake ruse. Por të dyja palët refuzuan ta thellonin problemin dhe e mbyllën çështjen me vizitën e Putinit në Rusi. Por Rusia vazhdon të jetë kundër kërkesës së Turqisë në NATO për dislokimin e raketave mbrojtëse Patriot në kufirin me Sirinë.

Terren i përbashkët

Sipas Huseyin Bagci, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, e ardhmja e marrëdhënies Turqi-Rusi është premtuese, pavarësisht mosmarrëveshjeve rreth Sirisë.

Të hënën (3.12.2012), kryeministri turk Erdogan falenderoi Putin për mbështetjen ruse për statusin e vëzhgimit të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Erdogan theksoi marrëdhënien e ngushtë turko-ruse në rajonin e Detit të Zi, duke nënvizuar se "Marrëdhënia shumë-dimensionale mes Turqisë dhe Rusisë në pellgun e Detit të Zi është shembulli më i mirë në perspektivën strategjike ndërmjet dy vendeve."

Edhe pse një shtet anëtar i NATO-s, Turqia i ka rezistuar për një kohë të gjatë përfshirjes së fuqishme të saj në zonën e Detit të Zi, pavarësisht interesit të fortë të treguar nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Duhet ta kujtojmë gjithmonë se në Evropë, dy shtete kanë marrëdhënie të mira me Rusinë. Njëri është Turqia, ndërsa tjetri Gjermania," tha për Deutsche Welle-n, Bagci, i cili rikujtoi një shprehje të famshme të Otto von Bismarck: "Sekreti i politikës? Bëni një marrëveshje të mirë me Rusinë."