1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Themelohet një "Aleancë për Kozmopolitizëm"

Kay Alexander Scholz12 Shkurt 2016

Kultura e mikpritjes në Gjermani është mbuluar nga një debat i polarizuar për refugjatët. Por këtë nuk duan ta pranojnë përfaqësues të njohur të jetës civile dhe ndaj kanë nisur një thirrje.

https://p.dw.com/p/1Hu8V
Deutschland Allianz für Weltoffenheit Solidarität Demokratie und Rechtsstaat
Fotografi: imago/epd/J. Blume

Në Berlin iu prezantua publikut një aleancë e gjerë grupesh fetare dhe shoqërore e quajtur "Aleanca për Kozmopolitizmin, Solidaritetin, Demokracinë dhe Shtetin Ligjor - kundër Intolerancës, Përçmimit ndaj Njeriut dhe Dhunës". Inisiatore është Federata e Sindikatave Gjermane (DGB), e cila e themeloi aleancën para pesë javësh. Kryetari i DGB, Reiner Hoffmann dhe nëntë nëshkruesit e tjerë shpresojnë se kjo thirrje do të pasohet nga të tjera e se me të do të bashkohen edhe partnerë të tjerë.

Pika qendrore e thirrjes: debati për refugjatët duhet të zhvillohet në mënyrë objektive dhe me orientim zgjidhjen, në vend që të ushqejë publikisht antipati ose të ndjekë interesa taktike të partive. Veç kësaj, nënshkruesit - midis tyre janë edhe dy kishat e mëdha të Gjermanisë - bëjnë thirrje që të luftohen me vendosmëri shprehjet përçmuese ndaj njeriut "pavarësisht se ku gjenden ato dhe kundër cilit grup drejtohen".

Vlerat kundër antipative

Pse pikërisht tani? Mobilizimi verbal kundër myslimanëve dhe refugjatëve në Gjermani e shqetëson shumë, thotë Zekeriya Altug, zëdhënës i Këshillit Koordinues të Myslimanëve në Gjermani. Debati për refugjatët ka çuar në një forcim të skajeve politike dhe në një zhvendosje të përgjithshme për nga e djathta, thotë ai. Retorika e pretendimit dhe e kërkimit ndaj refugjatëve në debatin publik krijon një atmosferë, në të cilën përfaqësues të skajeve politike krijojnë përshtypjen se veprojnë gjoja në emër të një shumice që hesht. Kundër kësaj duhet bërë diçka - prandaj kjo aleancë, thotë Altug.

Shqetësim shprehu edhe përfaqësuesi i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, zëvendëspresidenti Mark Dainow. Populizmi i djathtë në Gjermani "për fat të keq është në rritje", tha ai. Thirrja sipas tij ka si objektiv edhe nevojën, që refugjatët të integrohen mirë në shoqëri dhe në bashkësinë e vlerave. Dainowi shtoi se ekziston edhe shqetësimi që me refugjatët "importohet edhe antisemitizëm". Sepse për fat të keq, ata "vijnë nga një ambjent tjetër kulturor, në të cilin armiqësia ndaj hebrenjve është pjesë e jetës së përditshme".

Për një "konsens bazë nga mesi i shoqërisë", i cili duhet të shenjohet dhe të bëhet i qartë, foli Kryetari i Këshillit të Kishës Evangjelike, Heinrich Bedford-Storm. Ai tha se ky është objektivi i thirrjes, që nevojitet pikërisht tani, sepse në popull ekziston një pasiguri e madhe. Populistët e djathtë dhe ekstremistët përpiqen ta shpërdorojnë këtë pasiguri për synimet e tyre, tha ai.

Të mbyllet një boshllëk në diskurs

Inisiatori Hoffmann tha se aleanca është një aleancë e shoqërisë civile, partitë janë lënë qëllimisht jashtë. Sepse partitë në shumë drejtime janë të mbingarkuara, tha ai.

Kryeipeshkvi Heiner Koch, si përfaqësues i Kishës Katolike kritikoi një boshllëk midis diskursit të elitave shoqërore dhe interesave të qytetarëve. Shqetësimet konkrete duhet të merren shumë seriozisht, tha ai, në mënyrë që të mos ndodhë një tërheqje nga e djathta. Kjo vlen për shembull për çështjen "si mund të harmonizohen interesat e shoqërisë pritëse me nevojat e refugjatëve". Përgjigjes nuk i duhet bërë bisht.

Më larg e hodhi vështrimin Olaf Zimmermann nga Këshilli i Kulturës Gjermane në konferencën e shtypit që u mbajt në qendrën e DGB-së në Berlin-Mitte. Pikërisht në aspektin kulturor do të zhvillohen me siguri ende shumë debate të ashpra për atë se "në se, kush dhe si integrohet". "Të shihet e përbashkëta, pa dashur që të eleminohet ajo që ndan"- këtu duhet të drejtohet në të ardhmen vëmendja në dimensionin kulturor të integrimit, tha ai. Por shoqëria ende ndodhet në një lloj gjendjeje emergjence - prandaj këto çështje duken ende larg. Aleanca dhe thirrja tregojnë për momentin se në cilin drejtim duhet ecur.