1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USA Computer

6 Tetor 2011

Ai revolucionoi botën e kompjuterave dhe e solli atë magjishëm në çdo pëllëmbë dore. iPod, iPhone dhe iPad janë të pandashëm nga emri i tij. Tani themeluesi i Apple, Steve Jobs, nuk jeton më.

https://p.dw.com/p/12mqF
Pikëllim në mbarë botën për humbjen e themeluesit të Apple, Steve Jobs.
Pikëllim në mbarë botën për humbjen e themeluesit të Apple, Steve Jobs.Fotografi: dapd

Lajmi nuk erdhi papritur. Prej vitesh Steve Jobs luftonte me një formë të rrallë tumori të pankreasit. Në vitin 2004 ai u operua, në vitin 2009 iu nënshtrua një transplanti mëlçie, dhe tri herë u shkëput nga posti i tij si menaxher i Apple, përpara se të jepte përfundimisht dorëheqjen në muajin gusht. Familja e tij të mërkurën (05.10.2011), bëri të ditur se vizionari i kompjuterave "vdiq paqësisht i rrethuar nga familja e tij".

Faqja i internetit e koncernit Apple publikon në mënyrë të alternuar herë një portret të Jobs-it me datat e jetës së tij: 1955 - 2011 herë një deklaratë të koncernit: "Apple humbi një vizionar dhe botën e një qenieje të mrekulluesme njerëzore." Më tej thuhet: "Shpirti i tij do të mbetet përgjithnjë guri i themelit të Apple."

Ngushëllime nga Bill Gates

Në internet, para së gjithash në Twitter, pas bërjes publike të lajmit shumë njerëz shprehën ngushëllimet e tij. Janë me miliona përdorues të produkteve Apple, të cilët për shembull thjesht falenderojnë për iPhone-n e tyre dhe shprehin trishtim.  "iSad", "RIP Steve Jobs", "ThankYouSteve" dhe "Pirates of Silicon Valley" shumë shpejt u kthyen në një trend. Shprehja e fundit i referohet një filmi të vitit 1999 mbi zhvillimin e kompjuterave personalë dhe rivalitetit mes Apple dhe Microsoft.

Simbol i dhuntisë amerikane të shpikjes - Steve Jobs e themeloi firmën e tij Apple në një garazh
Simbol i dhuntisë amerikane të shpikjes - Steve Jobs e themeloi firmën e tij Apple në një garazhFotografi: dapd
Steve Jobs prezanton Macbook Air-in e ri. Kaliforni, 2008.
Çdo prezantim produkti të ri ishte një show - Jobs dhe Apple ishin kult!Fotografi: picture-alliance/dpa

Por përballë lajmit për vdekjen e Jobs-it nuk mbetet më vend për rivalitet. Bill Gates, shefi i kompanisë Microsoft, deklaroi se ishte tejet i trishtuar: "Steve dhe unë dhe jemi njohur para rreth 30 vjetësh dhe ishim kolegë, konkurrentë dhe miq". Gates shkruan se do ta ndiejë shumë mungesën e Steve Jobs: "Bota rrallëherë ka parë një njeri që të kishte një ndikim aq të thellë sa Steve, ndikim i cili do të ndihet edhe për shumë breza të tjerë."

Që tani produkte të Apple lidhin njerëz në mbarë botën, demonstruesit e rinj në Egjipt i përdorin ato për të protestuar, ndërsa studentë në Evropë, Azi apo Amerikë për të këmbyer mes tyre të rejat e muzikës.

Presidenti Obama nderon shpikësin

Edhe presidenti i SHBA-së Barack Obama, i cili e kishte marë iPad-in e tij personalisht nga Steve Jobs, shprehu ngushëllime. Steve Jobs është një nga shpikësit më të mëdhenj amerikanë, "me guxim të mjaftueshëm për të menduar kundër rrymës dhe për të besuar, se mund të ndryshojë botën dhe me talent të mjaftueshëm për ta arritur këtë", deklaroi presidenti amerikan.

Steve Jobs jep dorëheqjen në gusht 2011, për arsye shëndetësore.
Goditjet e fatit nuk arritën t'i heqin guximin për të jetuar!Fotografi: dapd

Obama kujtoi se Jobs në vitin 1976  së bashku me shokun e tij Stephen Wozniak pati themeluar në një garazh një firmë, e cila do të arrinte sukses mbarëbotëror. Kështu ai simbolizon "shpirtin e dhuntisë amerikane të shpikjes". Jobs ka ndryshuar jetët e njerëzve, ka revolucionuar industri të tëra dhe së fundi ka bërë që "ne të gjithë ta shohim botën me tjetër sy". Nuk ka tribut më të mirë për Steve Jobs, se sa fakti që pjesa më e madhe e botës mësoi për ndarjen e tij nga jeta përmes shpikjeve të tij, u shpreh presidenti i SHBA-së.

Bashkëthemeluesi i Apple dhe shoku i shkollës së Steve Jobs, Stephen Wozniak, u shpreh të mërkurën në mbrëmje në kanalin televiziv CNN se ndjenjat e tij pas humbjes së Jobs janë të ngjashme me ato që shumë njerëz kanë pasur pas vdekjes së muzikantit John Lennon apo aktivistit për të drejtat e njeriut Martin Luther King: "Çfarë të bëjmë tani, një njeri të tillë nuk do e gjejmë më kurrë!" Pasi Steve Jobs dhe Apple janë të lidhur në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin.

CEO Steve Jobs prezanton i iPhone 4, mars 2010.
Produktet e tij lidhin njerëz në mbarë botën - prezantimi i iPhone 4. Mars 2010.Fotografi: AP

Çdo produkt të ri të firmës së tij Jobs e kishte prezantuar personalisht, nga Mac deri tek iPad. Burri i imët, i cili shfaqej thuajse gjithnjë me veshje sportive, pantallona xhins dhe pulovër të zi, e kthente prezantimin në një "show" dhe korrte entuziazëm. Apple dhe Steve Jobs ishin kult. Në prezantimin e versionit të ri të iPhone të enjten (4.10.) pasuesi i tij Tim Cook korri shumë më pak entuziazëm. Aksionet e kompanisë shënuan rënie. 

Nuk do të jetë e lehtë të zëvendësohet vizionari Jobs. Personaliteti i shumëanshëm i multimilionerit u tregua ndër të tjera me themelimin e studios Pixar, e specilizuar në prodhimin e filmave të animuar, si "Toy Story", i cili ka marrë çmime të shumta dhe ka pasur sukses ndërkombëtar. Jobs, i cili u rrit nga prindër adoptivë, dhe që kishte ndërprerë studimet universitare, kishte një moto jete, të cilën ua kishte këshilluar edhe studentëve të universitetit Stanford në Kaliforni në mbrëmjen e diplomimit: Jini të guximshëm dhe dëgjoni zemrën dhe intuitën tuaj". "Vdekja", u tha ai atë ditë studentëve, "është shpikja më e mirë e jetës, ajo heq nga rruga të vjetrën dhe bën vend për të renë."

Autor: Christina Bergmann, Washington DC / E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi