1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Theresa May: Brexiti do ta dëmtojë ekonominë britanike

PP (Reuters, AP, AFP, dpa)5 Shtator 2016

Në prag të samitit të G20 në Hangzhou të Kinës Theresa May tha se Brexiti do ta dëmtojë ekonominë britanike.

https://p.dw.com/p/1JvfN
Fotografi: Reuters/S. Rousseau/Pool

Kryeministrja britanike, Theresa May, theksoi se ajo dhe qeveria e saj do të vazhdojë të monitorojnë të dhënat ekonomike në muajt e ardhshëm para se të vendosë një përgjigje fiskale për të mbrojtur ekonominë e vendit. May shprehu shqetësimin se vota për t'u larguar nga BE-ja ndoshta do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit.

"Ne kemi parë të jepen disa mesazhe të ndryshme në lidhje me ekonominë në këtë moment. Mendoj se reagimi i ekonomisë ka qenë më i mirë nga sa kishin parashikuar disa pas referendumit, por unë nuk mund të pretendoj se kjo është një gjë krejtësisht e qartë," tha May për gazetarët.

"Do të kemi kohë të vështira përpara," shtoi ajo. Komentet e saj erdhën pas një demonstrate kundër votimit për Brexit, në të cilën morën pjesë mijëra vetë.

Großbritannien London March for Europe
Fotografi: Getty Images/AFP/J. Tallis

Analizat e fundit ekonomike tregojnë se ndikimi i referendumit për Brexitin në muajin qershor 2016 nuk kishte qenë aq radikal sa kishin parashikuar disa, edhe pse tregjet financiare në mbarë botën kanë reaguar negativisht duke parashikuar madje edhe një recesion për Britaninë e Madhe.

"Erë e Artë" mes Britanisë së Madhe dhe Kinës

May i bëri komentet e saj kur po nisej për në samitin e G20 në Hangzhou të Kinës - samiti i parë i madh ndërkombëtar që ajo merr pjesë në rolin e saj si kryeministre e Britanisë. Sipas njoftimeve ajo do të takohet në kuadër të samitit me presidentin amerikan Barak Obama për të diskutuar planet e saj për zbatimin e votës pro Brexit-it. Përpara votimit të qershorit Obama kishte bërë fushatë në favor të qëndrimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian.

May tha se qeveria e saj do të presë deri në vitin 2017 për të filluar me zbatimin e nenit 50-të të Traktatit të Lisbonës që parashikon largimin nga BE-ja. Sipas nenit 50 Britania e Madhe dhe BE-ja do të ketë dy vjet për të negociuar detajet e daljes së Britanisë së Madhe.

Presidenti kinez Xi Jinping do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministren britanike pas një deklaratë të mëparshme nga ana e kryeministres britanike, që kishte thënë se pas Brexit-it ajo do që Britania e Madhe të jetë një "udhëheqëse globale në tregtinë e lirë" me Kinën si një partner kyç në tregti.

"Kjo është një epokë e artë për marrëdhëniet Britani e Madhe - Kinë dhe një nga gjërat që unë do të bëj gjatë samitit G20 është padyshim që të flas me presidentin Xi se si ne mund ta zhvillojmë partneritetin strategjik që kemi mes Britanisë së Madhe dhe Kinës," tha kryeministrja britanike, Theresa May.

"Por unë gjithashtu do të flas me udhëheqës të tjerë botërorë për mënyrën se si mund të zhvillojmë tregtinë e lirë përreth globit dhe se si Britania e Madhe dëshiron t'u qaset këtyre mundësive. Ambicia ime është që Britania të jetë udhëheqëse globale në tregtinë e lirë."