1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thirrje për luftë kundër terrorit

5 Nëntor 2007

Me një thirrje për luftë kundër grupeve terroriste ka përfunduar në Stamboll punimet Konferenca ndërkombëtare për stabilitetin në Irak. Kryeministri turk Erdogan i kënaqur me rezultatet e Konferencës.

https://p.dw.com/p/C1cm
Ministri turk i jashtëm Ali Babacan, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan, kryeministri irakian Nouri al-Maliki pozojnë për një fotografi grupi gjatë konferencës së Stambollit 3 nëntor 2007
Ministri turk i jashtëm Ali Babacan, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan, kryeministri irakian Nouri al-Maliki pozojnë për një fotografi grupi gjatë konferencës së Stambollit 3 nëntor 2007Fotografi: AP

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga 17 vendet e botës si dhe përfaqësues nga një numër Organizatash ndërkombëtare, të cilët nënshkruan një deklaratë përfundimtare.

Terrori i Irakut nuk duhet të përhapet në vendet fqinjë

Deklarata nga takimi në Stamboll premton ndihma për të penguar që territori i Irakut të shfrytëzohet si bazë për sulme kundër vendeve fqinje. Konferenca, e cila duhej të fokusohej në përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Irak, mbeti në hije të tensioneve përgjatë kufirit turko-irakian. Sekretari i përgjithshëm i OKB-s, Ban Ki Moon deklaroi se është i papranueshëm përdorimi i territorit irakian për sulmet ndaj PKK në Turqi.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan u shpreh i kënaqur me rezultatet e konferencës

Turqia beson në mbështetjen e SHBA-ve. Erdogan kishte kërkuar ndërhyrje të shpejtë kundër rebelëve kurdë në veri të Irakut. "Eshtë në interesin jetik të Irakut dhe fqinjëve të tij që Iraku të forcojë sigurinë e brendshme dhe stabilitetin", tha Erdogan.

Kryeministri irakian, Nuri al-Maliki, ka premtuar marrjen e masave urgjente kundër grupit rebel kurd, PKK, për ta ndaluar atë që të përdorë baza në Irakun verior për sulme kundër Turqisë. Ndërkohë, bëhet e ditur se autoritetet irakiane kanë mbyllur në veri të Irakut një zyrë të Partisë kurde, e cila mbante kontakte të ngushta me PKK. Të hënën në Uashington, kryeministri turk Erdogan do të bisedojë me presidentin Xhorxh Bush (George Bush ) lidhur me konfliktin me rebelët e PKK-s në veri të Irakut.