1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thirrje për ratifikim të demarkacionit Kosovë-Mali i Zi

Bekim Shehu19 Gusht 2016

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, thonë se ratifikimi i demarkacionit është një vijë me qëndrimin amerikan dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Opozita e kundërshton këtë formë të demarkacionit.

https://p.dw.com/p/1JlmY
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në ratifikimin ose jo të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që janë shtuar zërat pro dhe kundër kësaj marrëveshje. Më një shtator parlamenti i Kosovës e ka në rend ditë ratifikimin e kësaj marrëveshje, ndërkaq, partitë opozitare kanë bërë thirrje që të njëjtën ditë të protestohet brenda dhe jashtë parlamentit në mënyrë që të pengohet ratifikimi. Dy ditë pas vizitës në Kosovë të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, i cili tha se Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, është presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që ju drejtua me një fjalim qytetarëve dhe deputetëve duke ju kërkuar këtyre të fundit që ta votojnë marrëveshjen.

US Vizepräsident Biden zu Besuch in Serbien
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Sulejmanovic

Përgjegjësi e madhe historike

“Ditën kur do të votohet për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, ta dini që keni një përgjegjësi të madhe historike mbi supet tuaja. Ju do të keni në dorë të dëshmoni që Republika e Kosovës është një shtet serioz që iu përmbahet obligimeve ndërkombëtare. Juve ju takon të tregoni që Republika e Kosovës është shtet paqedashës, që respekton të drejtën ndërkombëtare, që synon të ndërtojë një fqinjësi të mirë dhe nuk ka pretendime territoriale kundër asnjë shteti. Çdo vonesë për ratifikim nga Parlamenti i Kosovës, e minon të ardhmen evropiane të Kosovës”, thotë në fjalën e tij, presidenti Thaçi.

Për vonesat që mund t'i shkaktohen Kosovës në integrimet e saj në rast se nuk ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi, Presidenti Thaçi përmend edhe çështjen e liberalizimit të vizave.

“I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në “zonën shengen”. Por, ky nuk është dëmi i vetëm. Ky do të ishte vetëm fillimi i dëmeve që do të pasonin. Sepse nëse dështojmë në ratifikimin e marrëveshjes, atëherë do vonohemi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shtyhet për një kohë të pacaktuar procesi i integrimin në NATO-s. Për më tepër, askush në botë nuk na përkrah në acarimin e raporteve me një vend fqinj që gjithnjë na ka përkrahur siç është Mali i Zi e që ka marrë ftesën të bëhet anëtar i NATO-s”, thotë presidenti Thaçi.

Vërejtje nga ekspertët ndërkombëtarë

Thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, u bëri edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur me (19.08), kryeministri ju referua SHBA-së, të cilat sipas tij, kanë dhënë mendimin për këtë çështje.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi është shumë e qartë. Departamenti i Shtetit ka dhënë vlerësim se kjo vijë është në harmoni me vijën në të cilën SHBA e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, që përputhet me territorin që Kosova ka pasur si Krahinë Autonome në ish-Jugosllavi. Zëvendëspresidenti Biden ishte shumë i hapur dhe konkret lidhur me detyrimet tona për të proceduar me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri përmendi edhe vërejtjet që janë bërë nga ekspertët ndërkombëtarë për demarkacionin e që ishin se procesi nuk ka qenë transparent sa duhet.

“Vërejtjet ishin se nuk kemi bërë sa duhet për ta njoftuar opinionin me të vërtetën e kësaj çështjeje dhe se e vërteta është se insistimi i një grupi të vogël se Kosova po humb territor është krejtësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm. Se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave me kërkesë që paraprakisht të ndodh shënimi i kufirit me Malin e Zi, por po ashtu u tha se as Komisioni Evropian dhe as Bashkimi Evropian nuk do të marrë vendimin, të cilin duhet ta marrin institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa. Sipas tij, Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë me Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron protesta

Por, të gjitha këto thirrje drejtuar deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, nuk duket që kanë ndonjë efekt te partitë opozitare. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, tashmë kanë qëndrim të qartë se nuk do ta votojnë marrëveshjen në këtë version, ndërsa, lëvizja Vetëvendosje, paralajmëron protesta në parlament dhe rrugë për ta penguar ratifikimin e saj. Sipas këtij subjekti politik, “demarkacioni do të ndalet edhe nëpërmjet protestave në datën 1 shtator kur pritet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës”.

Kosovo Anti-Regierungsproteste in Pristina
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

“Me 25 qershor 2015, Kuvendi pati nxjerr një rezolutë për demarkacionin që ta sjell edhe dokumentin që japin transparencë të negocimit para se nënshkruhet marrëveshja. Por, qeveria e kishte thyer rregullin dhe nuk na kishe informuar opozitën në kuvend duke e nënshkruar këtë marrëveshje të dëmshme. Nëse kjo marrëveshje kalon, është një dëm i madh ndoshta këto livadhe s'janë ma të mirat në botw, por për kosovarët janë të paçmueshme”, tha në një konferencë për media kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Por, si e interpretojnë analistët politik përfshirjen e SHBA-së në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe masazhin për këtë çështje të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden. Analisti Blerim Burjani, i tha DW se mesazhet e Joe Biden ishin shumë të qarta, Kosova duhet t'i kryej obligimet e saja.

Demarkacioni dhe asociacioni

“Mesazhi i Biden ishte që Kosova duhet të angazhohet seriozisht në disa tema për të cilat ende nuk ka ofruar rezultate të konsiderueshme apo argumente të një gatishmërie. Biden kërkoi ndryshime në formën e qeverisjes, në zbatimin konsekuent të drejtave qytetare. Demarkacioni dhe asociacioni mbeten tema të cilat si detyra, Kosova duhet t' i përmbush, përderisa opozita duhet të zëvendësojë gazin lotsjellës me dialog dhe zgjidhje”.

“Demarkacioni me Malin e Zi duhet të zbatohet sipas obligimeve të marra Kosovë-Mal i Zi, e nënshkruar në Vjenë vitin e kaluar, ratifikimi i kësaj marrëveshje duhet të bëhet përmes arritjes së një konsensusi, por edhe me një vetëdijesim të theksuar nga opozita dhe pozita për të tejkaluar problemet dhe zënkat politike dhe interesave të ngushta të tyre. Demarkacioni është kusht ndërkombëtar i vendosur për Kosovën. I pëlqej apo nuk i pëlqej dikujt, ky demarkim tash ka fitu përkrahjen ndërkombëtare për ata që është nënshkruar”, thotë Blerim Burjani.

Çështja e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacioni i komunave më shumicë serbe janë dy çështje të cilat tash e më shumë se një vit e kanë futur Kosovën në krizë të thellë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Opozita i kundërshton këto dy marrëveshje. Kosova në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel me autoritet e Beogradit duhet ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq, ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, është kusht i venë nga Komisioni Evropian në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza.