1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

T´i jepet fund mjerimit në Rripin e Gazës! - Izraeli duhet të heqë dorë nga bllokada dhe izolimi i Hamasit

Marx, Bettina, BR, Tel Aviv6 Mars 2008

Gjendja në Rripin e Gazës është më keq si asnjëherë tjetër gjatë 40 vjetëve. Të këtij mendimi janë organizatat humanitare. Një situatë e tillë shërben si terren pjellor për shkallëzimin e dhunës në Lindjen e Mesme.

https://p.dw.com/p/DJwn
Njerëz mbeten të pastrehë në Gazë pas sulmeve ushtarake izraeliteFotografi: AP

Ai që nuk e ka parë me sytë e vet e ka vështirë ta imagjinojë mjerimin e palestinezëve në Rripin e Gazës. Më shumë se 1,5 milionë njerëz jetojnë në këtë rajon, në një sipërfaqe prej 560 km. katrorë, pa asnjë burim të vetin, pa burime uji dhe pa asnjë akses në botën përreth.


Qysh nga fillimi i procesit të paqes në vitet 90-të të shekullit të kaluar njerëzit janë izoluar vazhdimisht. Ky rrip toke është shndërruar në një zonë të bllokuar thuajse pa asnjë mundësi qarkullimi. Këdo që arrin të dalë prej këtej në të shumtën e rasteve e vendosin në pranga, i lidhin sytë dhe e përplasin në bagazhin e ndonjë kamioni ushtarak izraelit - për ta çuar në burgjet e Izraelit.


Ndërkohë që edhe për ata që nuk lëvizin Gaza është kthyer në një burg. Që prej fitores së lëvizjes islamike Hamas përpara dy vjetësh Rripi i Gazës është izoluar nga bota përreth. Pas zgjedhjeve në këtë territor u vendos një bolladë e rreptë, aq sa deri më sot asnjë dikaturë nuk e ka përjetuar. Vetëm ushqime dhe medikamente apo mallra të tjera ndihme vihen në dispozicion nga bashkësia ndërkombëtare. Por lëndët e para aq të domosdoshme nuk mbërrijnë më në këtë rajon, ku ka nevoja edhe për shumë gjëra të tjera të përdisthme si: material ndërtimi, letër, rezerva për printera, bateri apo pjesë këmbimi.


Ajo që është edhe më e keqja nga Gaza nuk del më asgjë. Mallrat e prodhuara në Gazë për eksportin mbeten brenda kufijve. Prej kohësh robaqepësitë e vogla, që eksportonin në Izrael janë mbyllur, bujqit, që furnizonin Evropën duke kaluar përmes Izraelit me zarzavate e lule gjithashtu kanë hequr dorë nga puna. Papunësia në sektorin privat është aktualisht 70%. Për të rinjtë në Gazë, që përbëjnë gati gjysmën e popullsisë, kjo gjendje nuk presupozon vetëm varfërinë por edhe kufizimet dhe mungesën e plotë të përspektivës. Ku do të punojnë një herë këta të rinj dhe me çfarë do t´i ushqejnë familjet e tyre? Çfarë të ardhmeje kanë ata?


Izraeli sivjet feston 60 vjetorin e themelimit të shtetit. Për palestinezët këto 60 vjet kanë sjellë humbjen e atdheut, shpërndarjen nëpër diasporë, jetën në kampet e refugjatëve dhe prej më shumë se dyzet vjetësh pushtimin e Jordanit Perëndimor dhe të Rripit të Gazës. Bota, që sivjet feston bashkë me Izraelin themelimin e shtetit hebre, është e detyruar ndaj palestinezëve që t´i japë fund këtij mjerimi. Kjo mund të realizohet vetëm nëse shfuqizohet bllokada dhe nëse nisin bisedimet me qeverinë e Hamasit. Kjo realizohet vetëm nëse palestinezëve u rijepen dinjiteti, të drejtat dhe e ardhmja e tyre.