1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

TIA: më shumë transparencë për fondet e partive në Shqipëri

Arben Muka / Tiranë20 Tetor 2008

Sipas aktivistëve të Transparency International Albania, TIA, mungesa e kuadrit ligjor për fondet e partive përbën korrupsion politik dhe sponsorët ilegalë kanë influencë dhe në vendimarrjen shtetërore.

https://p.dw.com/p/Fddo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Aktivistët e Transparency International Albania, TIA, e ngritën problemin e burimeve të financimit të partive politike ditën e hënë, në një kohë kur parlamenti është duke hartuar kodin e ri elektoral. Aktivistët e TIA-s synojnë që edhe çështja e burimeve të financimit të parashikohet me nene të veçanta në kodin elektoral, si një përpjekje për ti dhënë fund abuzimeve disavjeçare me këtë çështje. Shqetësimi i tyre ka të bëjë me faktin se partitë politike nuk duhet të mbyllin sytë para këtij realiteti, ku vazhdohet të cënohet një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, që të bëjnë publike çdo lloj burimi financiar, duke vazhduar të fshehin në mënyrë të hapur deklarimin e burimeve private.

“Informaliteti, mungesa e transparencës dhe kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike ka krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik”, thuhet në një deklaratë të ditës së hënë të bërë publike nga TIA.

Edhe vetë sponsorët privatë të aktivitetit të partive politike duan të mbeten anonimë pasi në një kohë tjetër, sipas aktivistëve të TIA-s, kërkojnë të përfitojnë nga kjo mbështetje e politikës, duke rikuperuar në mënyrë të paligjshme shpenzimet e bëra.

“Shoqëritë tregtare të cilat janë financueset më të mëdha nuk janë të interesuara të formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Ata kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale”, deklaron TIA.

Aktivistët e saj kanë propozuar që parlamenti në këtë periudhë të diskutimit të kodit të ri elektoral të organizojë seanca dëgjimore dhe debati me përfaqësues e ekspertë nga rradhët e shoqërisë civile. Për ta bërë legjislacionin jo pjesor por të plotë, jo që të parashikojë vetëm fushatat elektorale, por të gjitha aktivitetin normal të subjekteve politike dhe raportet e tyre me ata që i mbështesin financiarisht në rrugë private.