1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë- Ministri i ri i Drejtësisë nga shoqëria civile

Ani Ruci16 Nëntor 2007

Bashkëpunëtori i kryeministrit Berisha dhe avokati i PD-së në betejat elektorale me socialistët vjen në postin e Ministrit të Drejtësisë, pas dorëheqjes së Ilir Rusmajlit, nën akuza për korrupsion.

https://p.dw.com/p/CIA1
Polic, Tiranë
Polic, TiranëFotografi: AP Photo

34 vjeçari, Enkelejd Alibej do të jetë Ministri i ri i Drejtësisë, në qeverinë e djathtë të kryeministrit Berisha. Që me ardhjen e PD në pushtet, në verën e vitit 2005, ai ka drejtuar departamentit e Kontrollit të Brendshëm dhe të antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave. Në vitet e gjata, kur PD ishte në opozitë, Enkelejd Alibej ka qenë avokati i saj në ankimet për dy procese zgjedhore. Ai ishte anëtar i strukturës nga shoqëria civile, që ngriti Berisha në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës, e njohur si Komiteti i politikave të reja ose KOP-i, me përfaqësues të shoqërise civile, disa prej të cilëve morën poste ministerore pas fitores së atyre zgjedhjeve.

Tani Enkelejd Alibej vjen në krye të Ministrisë së Drejtësisë si një figurë e zgjedhur nga Berisha jashtë politikës, si i zgjedhuri i tij për të kryer reformat në Drejtësi, të lëna në mes të rrugës nga Ilir Rusmajli, vendi i të cilit mbeti vakant pasi ai dha dorëheqjen, në mes të kësaj jave, nën akuzat për korrupsion. Bashkë më zëvendësimin e tij të shpejtë, Berisha e ka siguruar Rusmajlin që ai nuk u beson akuzave ndaj tij dhe se ai gëzon respektin e tij si një bashkëpunëtor i përkushtuar dhe i ndershëm. Dorëheqja e Rusmajlit po komentohet kryesisht në dy mënyra të ndyshme nga opozita dhe maxhoranca. Për opozitën, ajo është rezultat i luftës mes klaneve të korruptuara në qeverinë Berisha. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta duke folur me një gjuhë metaforike tha se "uji i korrupsionit ka hyrë prej kohësh në anijen Berisha".

Një interpretim tjetër i bëjnë dorëhejes socialistët opozitarë. Marko Bello, deputet socialist mendon se dorëheqja e Rusmajlit është koncesioni që kryeministri Berisha i bëri Presidentit Topi, në këmbim të dekretimit të shkarkimit të Prokurorit të Republikës, Theodhori Sollaku. Sipas Bellos Ilir Rusmajli është "koka e prerë e turkut", që iu servir në pjatë Presidentit Bamir Topi nga kryeministri Berisha.
Megjithëse shikon pas dorëheqjes së Rusmajlit një pazar, për opozitën ajo është një sinjal pozitiv sesi të korruptuarit nuk mund t´i fshihen më drejtësisë. Duke parashikuar zhvillime në të ardhmen, socialistët opozitarë presin që zyrtarë të tjerë të lartë në qeverinë Berisha të detyrohen nga drejtesia të japin dorëheqje. Duke cituar fjalët e Ilir Rusmajlit, kur ai dha dorëheqjen, Marko Bello komenton se "po iki, tha Rusmajli, sepse nuk dua të fshihem pas kolltukut tim. Kjo do të thotë se këmbanat po bien tani për Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, i cili deri më sot nuk është ballafaquar me kërkesën e Prokurorit dhe po mbrohet sot nga Kryeparlamentarja Topalli dhe pjesa e PD në komisionin partlamentar për imunitetet dhe mandatet, që po nxjerrin 1001 arsye për ta shtyrë në kalendat greke kërkesën e Kryeprokurorit për t´i hequr mandatin e deputetit, me shpresën se Prokurori i ri i Republikës do ta mbyllë këtë çështje."

Për maxhorancën dorëheqja e Ilir Rusmajlit është akti i një politikani të përgjegjshëm që krijoi një standart të ri, të panjohur më parë nga politikanët e majtë, kur ata ishin në pushtet. Por qarqet e majta opozitare duket se nuk merakosen për inagurim standartesh të reja me dorëheqje që vijnë kur bëhet publike një telefonatë dhe dëgjohet ku dëgjohët zëri i ministrit që kërkon favorizim të vëllait të tij për të fituar një tender. Tek ato ka nisur të qarkullojë ideja e një mocioni mosbesimi ndaj kryeministrit Berisha. Sipas Skënder Gjinushit, kreut të PSD, nëse opozita qëndron e bashkuar në votën e saj kundër dhe nëse asaj i shtohet vota kundër e pjesës së shëndoshë dhe të pakorruptuar të maxhorancës së djathtë, atëhere ka gjasa që kryeministri Berisha të rrëzohet. Por qarqet e djathta, që bashkëqeverisin me Berishën, më shumë se rrëzimin e tij po kërkojnë ndryshime në qeveri, për të rritur përfaqësimin apo për të kënaqur ambicjet ministrore të përfaqësuesve të tyre.