1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Rrëzohet kërkesa për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetutese

Arben Muka/ Tiranë6 Qershor 2008

Megjithë refuzimin, nismëtarët nuk tërhiqen, pasi pritet t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

https://p.dw.com/p/EEgt
Sheshi Skënderbe në Tiranë
Sheshi Skënderbe në TiranëFotografi: picture-alliance / dpa

Pas mosmarrjes parasysh nga ana e Presidentit të Republikës, tashmë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu kthen një përgjigje negative nismëtarëve të organizimit të referndumit për Kushtetutën, ose siç thirret Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. Por kjo nuk i ka sprapsur ata që të vazhdojnë edhe më tej betejën e organizimit të referundimit, pasi sipas tyre, do të jenë qytetarët ata që duhet të vendosin nëse do të miratojnë apo jo ndryshimet kushtetuese që kaluan në parlament në 21 prill të këtij viti.

Analisti i njohur Andrea Stefani i cili është pjesë e Komitetit u shpreh pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve "se nga ky institucion u përdorën sofizma në argumentimin e rrëzimit të kërkesës. Nuk mund të përdoret Kushtetuta për të mbrojtur dhunimin që iu bë Kushtetutës në 21 prill", tha Stefani. Kurse analisti Artur Zhuji paralajmëroi "vazhdimin e aksionit qytetar në mbrojtje të ligjit themeltar të shtetit", duke lënë të nëkuptohet dhe paraqitjen në Gjykatën Kushtetutese.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Clirim Gjata duke arësyetuar vendimin refuzues u shpreh se në mënyrën se si "ishte formuluar kërkesa e Komitetit, KQZ nuk ka tagër ligjor të merret me çështjen, pasi kemi të bëjmë me një referundum kushtetues, të cilin duhet ta prezantojë sekretari i përgjithshëm i Parlamentit me kërkesën e të paktën 28 deputetëve".

Menjehrë pas vendimit të KQZ-së ka reaguar LSI, subjekti politik iniciues për referendumin. Ilir Meta, kryetar i LSI e përshkoi vendimin si "një vendim të paragjykuar i marrë nën urdhërat e Sali Berishës dhe Edi Ramës. Është një vendim qesharak dhe absurd i komanduar, që duhet të ishte në favor të kërkesës së bërë nga Komiteti për Shpëtimin e Kushtetutës", tha Ilir Meta.