1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Vëzhguesit ndërkombëtarë bëjnë vlerësimet paraprake për zgjedhjet e 28 qershorit

29 Qershor 2009

Zgjedhjet kishin një progres të prekshëm, por ka dhe mjaft gjëra që duhen bërë në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/IdbD
OSBE flamure
Në shumicën e qëndrave zgjedhore vëzhguesit e OSBE-së e vlerësuan procesin e votimit si pozitivFotografi: picture alliance/dpa

Të hënën pasdite misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve në konluzionet paraprake për votimet e 28 qershorit bëri vlerësime pozitive, por nga ana tjetër prezantoi dhe mjaft çështje ku duhej ndërhyrë për përmirësim e tyre në të ardhmen.

Zëvendespresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfang Grossruck, në rolin edhe të koordinatorit special të vëzhguesve afatshkurtër të kësaj organizate foli për një "progres të prekshëm, por sipas tij ka dhe mjaft gjëra për t'u bërë". Sipas tij vendi ka fituar pjekuri dhe "shumë prej frikërave që kemi pasur disa muaj më parë, nuk janë konkretizuar". Sipas tij dita e zgjedhjeve "ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore pa incidente madhore". Grossruck u shpreh se në përgjithësi "vëzhguesit tanë e vlerësuan procesin e votimit si pozitiv në shumicën e qëndrave zgjedhore ku ata shkuan". Por megjithatë, sipas tij, pati dhe të meta, si p.sh. me bojën e sigurisë, votimin familjar në kuti, apo me hapjen me vonesë të disa qëndrave të votimit gjatë ditës së dielë.

Votuese ne Tirane
Grossruck: "Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, paqësore dhe pa incidente madhore."Fotografi: AP

Nga ana e saj drejtuesja e vëzhguesve afatgjatë të OSBE ODIHR-it, ambasadorja Audri Glover, theksoi se kodi i ri elektoral i miratuar me konsensusin e të dyja partive kryesore, PD e PS, "prezantoi një sërë përmirësimesh e garancish të rëndësishme, veçanërisht përsa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve". Por ajo shtoi se ishte për të ardhur keq që "niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit nuk rritën besimin e publikut në procesin zgjedhor".

Sipas ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë këto vlerësime ishin paraprake, pasi mjaft çështje që ishin konstatuar ishin ende në shqyrtim. Aq më tepër që vazhdonte në terren dhe procesi i numërimit të votave në të gjithë vendin.

Vëzhguesit paralajmëruan se do të artikulonin në raportet e tyre të më vonshme një paketë rekomandimesh në ndihmë të përmirësimeve. Me shpresën se ato do të priteshin me gatishmëri dhe do të zbatoheshin në kohë e në cilësi nga institucionet dhe partitë politike në Shqipëri.

Misioni afatgjatë dhe afat shkurtër i OSBE ODIHR, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka në përbërje rreth 450 vëzhgues.

Autor: Arben Muka
Redaktoi: Pandeli Pani