1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tonet patriotike kamuflazh për kleptokracinë

Dunja Dragojevic-Kersten18 Qershor 2016

Eksperti për Evropën Juglindore Norbert Mappes-Niediek mendon se megjithë turbulencat Kroacia do ta kapërcejë krizën pas shpërbërjes së qeverisë.

https://p.dw.com/p/1J94k
Fotografi: Getty Images/AFP/E. Barukcic

Qeveria kroate u rrëzua nga një votë mosbesimi dhe eksperti për Evropën Juglindore, Norbert Mappes-Niediek tha në intervistë me DW-në se kjo nuk e kishte habitur, sepse kur u krijua kjo qeveri, duhet që në fakt kushdo ta kishte të qartë se ajo nuk do të zgjaste gjatë. Partia ose më mirë lista zgjedhore MOST (Ura) partnere koalicioni e partisë konservatore HDZ, ishte krejtësisht e mbingarkuar me detyrën e saj për të qenë një kundërpeshë për HDZ. Sipas Mappes-Niediek MOST-i hyri në qeveri me mosbesim të madh dhe nuk qe në gjendje që ta shndërronte atë në një funksion të arsyeshëm kontrolli ndaj korrupsionit dhe ndaj HDZ-së.

Kroatien Wahl
Fotografi: Getty Images/AFP

Tonet patriotike kamuflazh për kleptokracinë

Kur Evropa e kritikonte Kroacinë se ajo po shndërrohet në një demokraci iliberale sipas modelit të Hungarisë filluan të shfaqen sërish tonet patriotike të HDZ-së dhe shpejt u bë e qartë se një gjë e tillë në Kroaci të paktën "është në fakt vetëm kamuflazh, vetëm zbukurim për një sistem pak a shumë kleptokratik, i cili ka zënë rrënjë në të gjitha nivelet e qarqeve dhe të provincave." - thotë eksperti i Evropës Juglindore Norbert Mappes-Niediek.

Zgjedhjet mund të sjellin diçka të re

Norbert Mappes-Niediek mendon se HDZ-ja në zgjedhjet e reja nuk do të fitojë të njëjtën përqindje votash si në zgjedhjet e mëparshme, kur sundonin iluzione prej parrullave patriotike. HDZ është demaskuar tani për herë të dytë dhe për këtë pas zgjedhjeve duket se do të ketë një ndryshim në pushtet.

Norbert Mappes-Niediek
Norbert Mappes-NiediekFotografi: Privat

HDZ ka nevojë për një periudhë riorientimi që të bëhet një alternativë e arsyeshme për qeverisje. Sipas Norbert Mappes-Niediek ajo duhet të përballet me problemin e korrupsionit në radhët e saj dhe të përpiqet të ofrojë alternativa të besueshme dhe jo të ndezë ndjenjat e njerëzve. Në qoftë se pas fundit të kryetarit të partisë Karamarko në HDZ do të triumfojnë forcat e arsyeshme, atëhere kjo parti mund të reformohet përsëri dhe të rikthehet në qeveri, thotë Mappes-Niediek, që shton se për këtë HDZ ka nevojë sigurisht edhe për një periudhë legjislature.

Norbert Mappes-Niediek është gazetar, autor dhe ekspert i Evropës Juglindore