1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregtarët e perimeve në filmat gjermanë quhen të gjithë Mehmet

Monika Dittrich 30 Nëntor 2007

Si i pasqyrojnë mediat gjermane të huajt që jetojnë në vend. Me këtë pyetje u morr një konferencë në Berlin.

https://p.dw.com/p/CV4p
Skenë nga filmi serial gjerman "Tatort"
Skenë nga filmi serial gjerman "Tatort"Fotografi: AP

Në Gjermani jetojnë afërsisht 15 milionë njerëz me të ashtuquajtur 'background migrimi'. Kjo fjalë përbindësh përbën kohët e fundit emërtimin politikisht korrekt për bashkëqytetarë, të cilët nuk kanë lindur në Gjermani apo prondërit e të cilëve e kanë prejardhjen nga një vend tjetër. Një në pesë vetë ka rrënjë të tilla të huaja. Por ky realitet pasqyrohet rrallë në televizionin gjerman. Në televizione si edhe në politikë mbizotëronte për kohë të gjatë bindja se Gjermania nuk është vend imigrimi dhe se punëtorët e huaj ishin vizitorë të përkohshëm. Të dyja këto janë provuar të gabuara dhe pa shiko - në televizionin gjerman po ndryshon diçka. Sa vjen e më shpesh sheh në ekran njerëz me të ashtuquajtur background migrimi. Mos janë këto vetëm gjethe fiku apo ka ndryshim të vërtetë? Kjo temë u trajtua në një konferencë në Berlin, e organizuar ndër të tjera nga instituti Adolf Grimme

Seria televizive 'Tatort' në kanalin e parë publik gjerman - prej më shumë se 35 vjetësh një nga seritë më të suksesshme kriminalistike. Njerëz me prejardhje të huaj dalin shpesh në film, siç ka konstatuar studiuesja austriake për komunikimin Christina Ortner. Ajo ka llogaritur që në 17 për qind të filmave ka migrantë dhe kjo përqindje është shumë më e lartë sesa në filma të tjerë të ngjashëm televizivë. Por shifrat thonë vetëm gjysmën e të vërtetës, siç shpjegon Christina Ortner: 'Këtu bëhet e qartë që migrantët paraqiten edhe në klishe. Veçanërisht atëherë kur luajnë role të dorës së dytë. Për shembull pastruesja polake, ose ajo turke krejt e mbuluar dhe që e flet gjermanishten me gjysma.'

Për një kohë të gjatë migrantët shfaqeshin në televizionin gjerman vetëm si raste problematike ose si personazhe negative apo për të qeshur. Ndërkohë stacionet po përpiqen për të dhënë një pamje më realiste të shoqërisë - kjo ndoshta edhe për arsyen se ato nuk duan të heqin dorë nga target-grupi i 15 milionë migrantëve në Gjermani. Ndër projektet më të njohura është për shembull seria 'Turqisht për fillestarë' në kanalin e parë televiziv pasditeve, në të cilën bëhet fjalë për një familje gjermano-turke. Njëri prej aktorëve kryesorë është Adnan Maral-i me prejardhje turke. Edhe atij i është dashur të luftojë si aktor shpesh kundër klisheve.

'Me siguri që kam luajtur në tri seri të Tatort-it dhe jo si pastruese, por si tregtar perimesh, si azilant i varfër e kështu me radhë. Edhe diku tjetër 13 Mehmetë si tregtarë perimesh, që quhen Mehmet të gjithë. Pyes veten, kap pa fantazi janë këta skenaristë dhe redaktorë? Ore, duhet të shohim përpara! Sepse kjo është diçka shumë e rëndësishme, duhen krijuar shembuj me të cilët mund të identifikohen njerëzit.'

Studimet vërtetojnë që migrantët ndjehen të përfaqësuar keq në televizionin gjerman, për shembull turqit kërkojnë më shumë aktorë turq. Edhe në emisione informative ose lajmesh gazetarët me prejardhje të huaj përbëjnë raste të rralla.