1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trepça "mollë sherri" mes serbëve dhe shqiptarëve

Bahri Cani*
2 Dhjetor 2016

https://p.dw.com/p/2Tclt

Trepça është shndërruar edhe njëherë në "mollë sherri" mes Kosovës dhe Serbisë, mes institucioneve në Prishtinë dhe të punësuarve në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe. Shkaku: miratimi i ligjit për Trepçën në Parlamentin e Kosovës, me të cilin pretendohet vendosja e rendit dhe ligjit në këtë kombinat. Por Trepça është e ndarë në pjesën jugore dhe atë në veri - ku gjendet shkritorja e Trepçës. 
 Drejtori i pjesës së Trepçës në veri, Jovan Dimkiq "nuk ka kohë" të shpjegojë qëndrimet e tij dhe të krerëve të kombinatit në këtë pjesë, para mikrofonëve të Deutsche Welles. Por për mediat serbe ai ka deklaruar se "ndjehet shumë i shqetësuar pas miratimit të ligjit për Trepën dhe kalimit të Trepçës në duart e të ashtuquajturës Republika e Kosovës". Dimkiq mendon se çështja e Trepçës duhet të trajtohet në negociatat e Brukselit, mes Prishtinës dhe Beogradit. 
Në pjesën e Trepçës në veri punojnë, sipas tij, rreth 3.300 punëtorë "të cilët janë të shqetësuar shumë pas miratimit të këtij ligji".  Por as të punësuarit në veri, sikur edhe drejtori i tyre, nuk duan të shprehen para kamerave. 
Përfaqësuesit serbë në Qeverinë e Kosovës dhe deputetët e listës Serpska e kanë marrë ligjin për Trepçën si shkas që të largohen nga institucionet e Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq në një intervistë me Deutsche Wellen, thotë se Trepça është vetëm shkaku i largimit nga institucionet, por ata kanë dhe shumë këkresa të tjera. 
Stojanoviq mendon se duhet të hartohet edhe një studim për implementimin e ligjit për Trepçën, sepse duhet të merren parasyshë interesat e punëtorëve dhe të atyre që kanë investuar më parë në këtë kombinat. "Pjesë në veri dhe ajo në jug funksionojnë sot si dy subjekte të ndara juridike. Trepça në veri sjell fitime ndërsa në jug sjell humbje. Në 15 vitet e kaluara dikush ka investuar një mund jashtëzakonisht të madh që Trepça të funksionojë. Nuk është e mundur që me një lëvizje të eliminohet i gjithë mundi i 15 viteve të kaluara", mendon Stojanoviq. (Intervistën e plotë mund ta gjeni në dë.com/albanian dhe në DW (Shqip) ).
Si si duket shkritorja në veri nga jashtë, mund të shikoni në videon në vijim: