1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Troket ora e së vërtetës për pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Tiranë nga politika

Ani Ruci 28 Prill 2008

Prokurorja e Republikës, Ina Rama bën kërkesë për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me qëllim të ndjekjes penale

https://p.dw.com/p/Dq6U
Pamje nga GërdeciFotografi: AP

Mungesë profesionalizmi, veprim i diktuar nga urdhëra politikë dhe jo nga ligji. Me këto cilësime e kanë etiketuar republikanët e Shqipërisë kërkesën e Prokurores së Republikës, Ina Rama, për t´i hequr imunitetin parlamentar kryetarit të tyre, ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe për t´i hapur rrugën ndjekjes së tij penale, si një nga përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit..

„ Grupi i prokurorëve që po heton për Gërdecin, me urdhër apo jo, me qëllim apo jo, kërkon të dezinformojë opinionin publik lidhur me përgjegjësitë e ish ministrit Mediu. Kjo është mungesë profesionalizmi dhe përpjekje për të shmangur hetimet." tha Arian Madhi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Republikane, (PR).

Implikimi i Shtabit të Përgjithshëm në aferën e Gërdecit

Një sërë dokumentash zyrtare, sipas atij, vërtetojnë që në dijeni për ekzistencën e Gërdecit dhe gjithë sa ndodhte atje ka qenë edhe Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë. Por publikimi i tyre, një muaj e gjysëm pas ngjarjes së rëndë, ngre pyetje të tila si: Pse Prokuroria e Përgjithshmne nuk i ka patur ato në dispozicion? Pse dolën në dritë menjëherë pas kërkesës së akuzës për heqje të imunitetit të Fatmir Mediu? Pyetjeve të tilla u shtohet edhe kujtesa jo e shkurtër e opinionit publik për deklaratën televizive të shefit të shtabit të përgjithshëm sipas të cilës ai nuk kishte dijeni për Gërdecin.

Explosion in der Waffenfabrik in Gerdec, Albanien
Një ushtar gjatë pastrimit të zonës nga lëndët shpërthyeseFotografi: DW / Pandeli Pani



Megjithë reagimin e ashpër të republikanëve në mbrojtje të liderit të tyre, veprimi i Kryeprokurores Rama është përshëndetur nga Bamir Topi, kreu i shtetit si "profesionist dhe i pavarur nga politika" .Topi ka bërë thirrje edhe për të mos e paragjykuar organin e akuzës dhe për të patur besim tek drejtësia.

Sot, në Prill 2008, tha Bamir Topi, drejtësia nuk ka asnjë lloj influence politike apo klienteliste.

Kërkesa për heqje të imunitetit të ish Ministrit të Mbrojtjes, Mediu, vjen pesë javë pas tragjedisë, së shpërthimit të municioneve në fshatin Gërdec të Vorës, që ndodhet në udhëkryqin mes Durrësit, Tiranës dhe aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Zvarritjen e deritanishme të hetimeve, opinioni publik e konsideron si një tregues që shkon kundër pavarësisë së drejtësisë nga politika.

Opinionistë dhe analistë të pavarur të Tiranës, të ushqyer në opinionet e tyre edhe nga deklarime kontradiktore të kryeministrit Berisha për dijeninë apo padijeninë e tij për Gërdecin, e shohin tragjedinë e Gërdecit si rasti i korrupsionit të pastër shtetëror. Hetimet për Gërdecin konsiderohen ora e provës së madhe për pavarësinë ose jo të drejtësisë nga politika, ngjarja kufi nga një e shkuar e afërt ku drejtësia ka heshtur për të folur politika.

Nëse Prokurorja e re e Republikës, Ina Rama, nuk ndalet në hetimet e saj dhe në kërkesat për heqje të imunitetit tek ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, atëhere koha e shtetit ligjor, e barazisë para ligjit të kujdo ka filluar të vijë në Shqipëri.