1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150411 Gotovina Urteil Reaktionen

16 Prill 2011

Gjykata e OKB-së për ish-Jugosllavinë e dënoi me 24 vjet burg ish-gjeneralin kroat Ante Gotovina. Shqiptimi i dënimeve u transmetua live në Kroaci dhe shkaktoi tronditje dhe indinjatë.

https://p.dw.com/p/10uiC
Për pjesën më madhe të kroatëve Gotovina duhej shpallur i pafajshëm.Fotografi: AP

55-vjeçari Gotovina është përgjegjës për dhënie urdhrash për vrasje të civilëve dhe plaçkitje masive si dhe për dëbimin e më shumë se 200.000 serbëve nga rajoni i Krajinës, gjykoi të premten Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë. I padituri tjetër si bashkëpërgjegjës i rëndësishëm për operacionin ushtarak kroat "Stuhia" në vitin 1995, ish-gjenerali Mladen Markac, u dënua me 18 vjet heqje lirie. Ndërsa gjenerali Ivan Cermak, u shpall i pafajshëm.

Tronditja dhe habia ishin emocionet predominuese në sheshin Jelacic në qendër të Zagrebit, ku u transmetua live shpallja e dënimeve në Hagë.

24 vjet burg në vend të shpalljes i pafajshëm për Ante Gotovinën, ashtu siç prisnin dhe shpresonin shumë vetë.

„Unë jam thellësisht i zhgënjyer dhe thjesht nuk di ç'të them."

"Ky është një dënim për të gjithë kroatët, ai nuk ka të bëjë më me Gotovinën!. Ishin këto komentet më të shumta në radhët e qytetarëve në shesh.

General Gotovina und Cermak
Ish gjeneralët kroatë Gotovina dhe Cermak në sallën e gjyqit ditën e shpalljes së vendimit. 15.04.2011Fotografi: dapd

Ipeshkvët katolikë kishin udhëzuar mbajtjen e lutjeve për lirimin e gjeneralit Ante Gotovina. Kryeministrja kroate Jadranka Kosor nuk mund të përfytyronte gjë tjetër veç shpalljes i pafajshëm të heroit kombëtar. Vendimin e gjykatësve të tribunalit të OKB-së ajo e cilëson fyerje:

„Në argumentimin e gjykimit pretendohet se udhëheqja e atëhershme kroate ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe konventat e OKB-së, në një sipërmarrje të përbashkët kriminale. Kjo për ne është krejt e papranueshme.“

Në të vërtetë vendimi i gjykatës së OKB-së trondit në themele atë çka për thuajse gjithë kroatët është e vetëkuptueshme. Lufta e Kroacisë në vitet '90 konsiderohet si një luftë e drejtë kundër pakicës serbe, e cila për vite me radhë kishte pushtuar një të tretën e territorit. Vetëm përmes të ashtuqajturit operacioni "Stuhia", në gusht 1995, nën drejtimin e gjeneralit Gotovina, u arrit marrja e territoreve nga kroatët. Që ky aksion u shoqërua me krimet më të rënda të luftës dhe përndjekjen e dëbimin sistematik të qindra mijëra civilëve serbë, kryeministrja e Kroacisë Jadranka Kosor nuk e pranon si argument:

„Nga këndvështrimi ynë aksioni 'Stuhia' kishte qartë karakterin e një operacioni legjitim ushtarako-policor, me qëllim çlirimin e territorit shtetëror kroat nga pushtuesit.“

I tronditur nga vendimi i gjykatësve në Hagë shprehet edhe presidenti kroat Ivo Josipovic.

„Ne pranojmë vertët aspektet juridike të gjykatës së Hagës, por jo implikimet politike dhe historike të vendimit. Lufta për atdheun tonë do të mbetet për ne gjithnjë një luftë mbrojtëse e drejtë, me të cilën mbrojtëm lirinë dhe demokracinë nga agresioni dhe politika kriminale e regjimit të Sllobodan Millosheviçit.“

General Markac
Ish gjenerali Mladen Markac u dënua me 18 vjet burg.Fotografi: dapd

Vetëm pas arrestimit të Ante Gotovinës pesë vjet e gjysmë më parë, Kroacisë iu hap rruga për negociatat për anëtarësim në BE. Gatishmëria për bashkëpunim me gjykatën e OKB-së për krime lufte ishte kriteri vendimtar. Tani, thuajse në etapën përfundimtare të negociatave me Brukselin, qeveria në Zagreb, megjithë indinjatën për dënimin e Gotovinës, shpreson që protestat e shoqatave të veteranëve të mbeten paqësore. Kandidates për anëtarësim në BE, Kroacisë, nuk i duhen shfaqjet e hapura të simpatisë për kriminelë lufte, të cilat mund të shndërrohen në akte të dhunshme.

Autor: Jörg Paas / Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi