1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trump: Një provokues si president

19 Shkurt 2017

Një konferencë rutinë shtypi në Shtëpinë e Bardhë irriton të gjithë botën. Edhe ata që besonin, se posti do të formësonte Donald Trumpin duket se janë gabuar, mendon Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/2XoTJ
U.S. President Trump departs news conference at the White House in Washington
Fotografi: Reuters/K. Lamarque

Ka rrezik që përfytyrimet më të këqija të bëhen realitet. Presidenti amerikan nuk e sheh realitetin ashtu si është, por siç do ta shohë ai. Ai fyen politikanë që mendojnë ndryshe nga ai, mediat kritike ai i akuzon për gënjeshtare dhe i shpall si armike. Ajo që kancelarja Merkel ka thënë për presidentin Putin vlen edhe për Donald Trump: Ai jeton në botën e vet.

Aspak "makineri e sinkronizuar deri në detaj"

Kjo është e rrezikshme. Në fund të fundit nga aftësia e të gjykuarit të presidentit amerikan varet jeta e shumë njerëzve - në SHBA e kudo tjetër. Qeveria e Trump nuk funksionon si „një makineri e sinkronizuar deri në detaj", siç do ai që të besojmë. Përkundrazi! Këshilltari i Donald Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn duhej të dorëhiqej, sepse ka gënjyer presidentin. Një dekret për ndalimin e udhëtimit në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende kryesisht myslimane e bllokoi një gjykatë amerikane. Kandidatët për poste ministrash në administratë kanë tërhequr kandidaturat, sepse iu mungonin dukshëm kualifikimet për postet. Nuk të çudit që vlerat e popullaritetit për Trump kanë rënë brenda një muaji aq shumë, si asnjë president tjetër i SHBA-së.

Por asgjë nga këto nuk lë gjurmë tek Trumpi. Asnjë shenjë vetëkritike, që në këtë rast do ishte me vend. Gabimet e fillimit - kur pranohen – do të faleshin nga shumica e amerikanëve. Askush nuk pret që tek një qeveri e re, gjërat të ecin si në vaj që në fillim. Aq më tepër, kur shumë ministra, si edhe vetë presidenti, nuk kanë aspak përvojë qeverisjeje.

Por arroganca, me të cilën po sillet Trump, do të bëjë që të rritet rezistenca kundër tij. Opozita demokratike po e ndjen: Ndoshta ky president nuk do t'ia dalë të çojë deri në fund katër vitet e mandatit që ia jep kushtetuta. Ende jehojnë fjalët e Barack Obamës: Trump nuk i ka cilësitë që duhen për postin më të rëndësishëm. Vitin e shkuar shumë amerikanë e injoruan këtë si deklaratë fushate. Po tani? Si do të reagojë Trump në një krizë të vërtetë, kur ai shpërthen për shkak të një raporti kritik në televizion?

Shuhet shpresa se „posti formëson personin "

Konferenca e fundit për shtyp e Donald Trump ka groposur shpresat që posti i mëson zotëruesit edhe përulësinë. Trump nuk sillet si president, por reagon me nervozizëm ndaj kritikave. Ai kërcen mbi çdo shkop që ia mban gati shtypi. Dikur ai do të lodhet, shpresojnë kundërshtarët. Për aleatët e Amerikës ky nuk është lajm i mirë. Politika e mirëmenduar e perëndimit nuk funksionon, kur parimi bazë i presidentit amerikan është paparashikueshmëria. Madje edhe në Moskë po shuhet shpresa, se me këtë president amerikan do të përmirësohen marrëdhëniet. Pasi jo vetëm demokratët, por në numër gjithnjë e më të madh edhe republikanët po e refuzojnë një politikë të jashtme proruse. Një ligjësi e njohur në politikë të mëson, se lider i suksesshëm je vetëm atëherë, kur njerëzit janë të gatshëm të të ndjekin pas. Stili drejtues i Trumpit është irritues, në rastin më të mirë.

 

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!