1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trumpi kalon në distancë ndaj Rusisë

6 Korrik 2017

Pak para takimit të nivelit të lartë të G-20-ës dhe takimit të parë me Vladimir Putinin, Presidenti i SHBA, Donald Trump ka formuluar kritika të ashpra ndaj Rusisë. Ai e ka akuzuar Moskën për sjellje destabilizuese.

https://p.dw.com/p/2g3qR
Polen PK vom US-Präsident Donald Trump und polnischer Präsident Andrzej Duda
Fotografi: picture-alliance/PAP/R. Pietruszka

Në takimin e G20-ës në Hamburg, do të bëhet takimi i parë i Presidentit të SHBA, Donald Trump me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Përballë ndërhyrjes së supozuar ruse në dobi të Trumpit, në fushatën elektorale në SHBA, ky takim pritet me vëmendje të madhe. Por që në prag të takimit, Trumpi kalon në distancë ndaj Rusisë dhe formulon kritika të ashpra ndaj saj. Kështu, Presidenti i SHBA e ka akuzuar Moskën për sjellje destabilizuese dhe ka bërë të ditur se do të ndërmarrë hapa të tjerë. Se ç'pamje do të kenë këto hapa, Trumpi nuk e bëri të ditur në konferencën e përbashkët të shtypit që mbajti në Varshavë me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.

Zyra e Presidentit në Moskë e kundërshtoi kritikën për destabilizim. "Ne e kundërshtojmë këtë qasje", tha një zëdhënës. Ekziston një mungesë mirëkuptimi për të ardhur keq midis dy shteteve, në lidhje me ato që priten nga marrëdhëniet e ardhshme. "Pikërisht për këtë në e presim takimin e parë midis dy presidentëve."

Polen Rede US-Präsident Donald Trump in Warschau
Fotografi: Reuters/C. Barria

Trumpi beson në ndërhyrje

Trumpi deklaroi veç kësaj se ai beson që Rusia ka ndërhyrë me sulme piratësh interneti në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. "Por mund të kenë qenë edhe kombe të tjera", shtoi ai. Trumpi e akuzoi paraardhësin e tij, Barack Obama, se nuk pati reaguar në kohën e duhur. "Ai mendoi se Hillary Clintoni do t'i fitonte zgjedhjet gjithsesi dhe donte të mos merrej me këtë punë". Në kuadër të vizitës së Trumpit, Polonia deklaroi se dëshiron të blejë raketa të tipit "Patriot". Raketat do të jenë pjesë e mbrojtjes polake kundër sulmeve të mundshme nga Rusia.

Koreja e Veriut duhet të ndiejë "pasoja"

Duke pasur parasysh testin koreanoverior të një rakete ndërkontinentale, Trumpi kërcënoi me pasoja. Presidenti i SHBA theksoi: "Ne duhet të përballemi me kërcënimin prej Koresë së Veriut". Përgjigjja "do të jetë shumë e fortë". Shtetet e Bashkuara angazhohen për një ashpërsim të sanksioneve të OKB-së kundër Koresë së Veriut.  Jo më larg se në fillim të javës, ky organ i zgjeroi masat ndëshkimore.

Në Poloni Trumpi nisi bisedat e tij treditore në Evropë. Pas kësaj, pasdite ai pritet në takimin e nivelit të lartë të G-20-ës në Hamburg dhe në mbrëmje ai do të takohet me Kancelaren Angela Merkel. Pas takimit, Trumpi do të takohet me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe dhe me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-In, për të diskutuar për Korenë e Veriut.