1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trumpi sulmon shërbimet e fshehta amerikane

12 Janar 2017

Presidenti i ardhshëm i SHBA ka shprehur dyshimin se janë shërbimet e fshehta të vendit të tij që e kanë shpërndarë dosjen gjoja ruse me materialet që e rëndojnë atë. Sipas tij këto mashtrime janë "të turpshme".

https://p.dw.com/p/2VeW6
USA Donald Trump Pressekonferenz in New York City
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Emmert

"Është me të vërtetë shumë e trishtueshme, kur përfundime të tilla të shërbimeve të fshehta u jepen medieve", tha Donald Trump në konferencën e tij të parë të shtypit pas zgjedhjes si President i SHBA në nëntor. "Është një skandal, që u lejua që informacione të tilla të përhapen ilegalisht. Janë raporte të gabuara. Janë histori të gënjeshtërta."

Më parë, mediet patën raportuar duke iu referuar shërbimeve të fshehta amerikane, se Rusia ka mbledhur informacione për jetën private dhe të biznesit të Trumpit. Në medie u shtrua me këtë rast edhe pyetja, nëse në këtë mënyrë Rusia do të kishte mundësi t'i bënte shantazh Presidentit të ardhshëm.

Moska kundërshton

Dëshmi se ekziston me të vërtetë një dosje e tillë ruse nuk ka. Qeveria e Moskës e përgënjeshtroi këtë me këmbëngulje. Në rrjetin e Twitterit Trumpi foli për "informacione të gabuara" dhe për "një gjah të plotë shtrigash" dhe pyeti "a mos jetojmë vallë në Gjermaninë naziste?"

Trumpi i trajtoi me ashpërsi reporterët e medieve, të cilt patën raportuar për informacionet gjoja ruse. Platformën e internetit BuzzFeed ai e quajti "një tog të dështuar plehrash". Kurse reporterit të CNN, Jim Acosta ai i tha: "Ti je Fake-News (lajm i gënjeshtërt".

Sulmet e piratëve të internetit nga Rusia

Në konferencën e tij të shtypit, Trumpi ia hodhi Rusisë përgjegjësinë për sulmet e piratëve të internetit në fushatën elektorale në SHBA. "Unë mendoj se ka qenë Rusia", tha republikani që do të bëjë betimin për President në 20 janar. Në javët e fundit ai u pati vënë pikëpyetje përfundimeve të tilla të shërbimeve të fshehta amerikane.

Ai do t'i përmbahet planit të tij, për t'i përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, tha Presidenti i ardhshëm. "Do të ishte një përparësi, jo barrë" që të kesh një raport të mirë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Nëse ai do të jetë në gjendje të bashkëpunojë mirë me Putinin, këtë ai ende nuk e di. "Shpresoj", tha Trumpi. Por është po kaq mirë e mundshme që kjo të mos realizohet, shtoi ai. Në të njëjtën kohë, 70 vjeçari bëri të ditur se brenda 90 ditëve pas ardhjes në pushtet ai do të paraqesë një program si të mbrohen në të ardhmen SHBA nga sulmet e piratëve të internetit. "Të gjithë depërtojnë ilegalisht në sistemet tona kompjuterike", tha Trumpi. "Rusia, Kina, të gjithë". Rusia dhe shtete të tjera do të kenë respekt shumë më të madh për SHBA, kur ai të jetë në post, tha Trump.

Ritheksim i planit për të ndërtuar murin me Meksikën

Më tej, Trump bëri të ditur se pas betimit, ai do të nisë menjëherë ngritjen e një muri në kufi me Meksikën. Siç e bëri të ditur në fushatën elektorale, shpenzimet për ndërtimin e përforcimit të kufirit ai do t'ia ngarkojë Meksikës, tha Presidenti i ardhshëm. Për këtë ai nuk do të marrë miratimin e Meksikës.

"Unë mund të prisja tani një vit e gjysëm, derisa t'i mbyllim negociatat me Meksikën", tha Trump. "Por unë nuk dua të pres." Dhe shtoi: "Meksika do të paguajë për këtë - qoftë në formën e kontributit në para ose të një takse". Me ndërtimin e Murit Trump synon të ndalojë migrantët.