1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Quick Reaction Force

Monika Dittrich1 Korrik 2008

Më 1 korrik 200 ushtarët gjermanë marrin përsipër në Afganistan detyrat e së ashtuquajturës Trupë të Ndërhyrjes së Shpejtë.

https://p.dw.com/p/ETza
Ushtar gjerman vëzhgon nga aeroporti i Fajsbadatit, Afganistan.Fotografi: AP

Është hera e parë që Gjermania dërgon një trupë luftimi në Afganistan. Megjithëse në opinionin gjerman tingëllon ndonjëherë ndryshe, të gjithë ushtarët gjermanë që dërgohen me misione jashtë vendit janë zakonisht në gjendje të luftojnë. Ata janë të armatosur dhe për vetëmbrojtje lejohen të shtien. Por deri tani ushtria gjermane në veri të Afganistanit kujdeset në radhë të parë për rinderitimin. Vëzhgues të jashtëm bëjnë fjalë me shpoti për një "mision ndihme teknike me dhëmbë".

Quick Reaction Force - Formacion i vërtetë luftimi

Ndërsa Trupa e Ndërhyrjes së Shpejtë, e cila fillon tani nga puna, është një formacion i vërtetë luftimi. Edhe në zhargonin ushtarak ajo quhet „Quick Reaction Force“ ose me iniciale QRF. 200 ushtarë bëjnë pjesë në të, ata janë të pajisur me rëndë, zotërojnë automjete të mbrojtura dhe autoblinda. Në ushtrinë gjermane thuhet, se trupa e ndërhyrjes është "zjarrëfikëse në raste emergjence". Ajo ka për detyrë të zbulojë së bashku me ushtarët afganë në vijat e para të frontit rebelët dhe t'i arrestojë, të sulmojë në mënyrë aktive bazat e talibanëve dhe t'i zbrapsë ata. Tek detyrat bën pjesë gjithashtu shpëtimi i ushtarëve që gjenden në rrezik. Si edhe ushtarët e tjerë gjermanë Trupa e Ndërhyrjes së Shpejtë do të veprojë vetëm në veriun krahasimisht të qetë të Afganistanit. Megjithatë, në rast nevoje ajo mund të dërgohet edhe në jugun e vendit, të përfshirë nga luftimet.