1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

TTIP - një histeri gjermane?

30 Shtator 2015

Megjithëse Gjermania përfiton nga globalizimi, rezistenca kundër Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me SHBA, TTIP është e madhe. Gjermania dhe Franca janë të pakënaqura dhe paralajmërojnë për nevojën e lëshimeve nga SHBA.

https://p.dw.com/p/1Gfjk
TTIP Protest Berlin
Fotografi: Getty Images/Afp/John MacDougall

Edhe nëse ai nuk dëshiron t'i shpallë të dështuara negociatat për Marrëveshjen transatlantike të Tregtisë së Lirë, TTIP: bilanci i ndërmjetëm i zëvendëkancelarit gjerman, Sigmar Gabriel pas dhjetë raundesh të negociatave është i ftohtë: "Në negociatat praktikisht nuk lëviz asgjë."

Shkaqet për stanjacionin, sipas Gabrielit kanë të bëjnë me "interesat ekonomike të forta si betoni", si në anën evropiane, ashtu edhe në atë amerikane. "Evropa është e përmbajtur kur bëhet fjalë për hapjen e tregjeve agrare, dhe SHBA nuk duan t'i hapin tregjet e tyre për shërbimet publike", tha zëvendëskancelari të hënën në Berlin.

Franca nuk e mbështet një marrëveshje të pabalancuar

Negociatat janë ende larg së përfshiri në diskutim të gjitha ato që janë të rëndësishme për kritikët e globalizimit këtu, pra respektimin e standardeve të konsumit, ambjentit dhe standardeve sociale. Gabrieli nuk pret që negociatat të përfshihen nga një vrull i ri para zgjedhjeve në SHBA në nëntor 2016. Kjo është në kundërshtim të qartë me Kancelaren Angela Merkel, e cila kërkoi para pak kohësh që deri në fund të vitit të jetë rënë dakord për parimet bazë të një marrëveshjeje të tillë.

Sekretari i Shtetit i Francës për Tregtinë e Jashtme, Matthias Fekl, i akuzon SHBA se nuk duan t'i zhvillojnë nga pozita të barabarta negociatat. Negociatat, sipas tij janë "ta pabalancuara, sepse SHBA e shtyjnë BE që të bëjë lëshime të tjera, pa ofruar deri tani kundërhapa të konsiderueshme", thotë Fekl.

Si shembull ai përmendi që Komisioni Evropian në emër të BE bëri lëshime të konsiderueshme në hapjen e sektorit evropian të shërbimeve. Veç kësaj, Evropa u ka ofruar SHBA që t'i eleminojë thuajse të gjitha barrierat doganore.

Oferta si këto mungojnë deri tani nga pala amerikane. Edhe prandaj ai nuk e përjashton më edhe një "ndalim të negociatave", thotë Fekl. "Në asnjë mënyrë Franca nuk do ta mbështesë një marrëveshje të pabalancuar."

Ai që cakton standardet, sundon tregjet

Se kujt i vlen një marrëveshje e tillë, për këtë aktualisht debatohet në shumë vende. Me përfundime krejt të ndryshme. Në një kohë që mbështetësit e TTIP xhonglojnë shpesh me shifra fiktive, sa rritje ekonomike dhe punësim mund të sjellë një marrëveshje e tillë, kritikët përshkruajnë tabllonë e një dumpingu të skajshëm në standardet e ambjentit dhe ato sociale.

Pascal Lamy, ish-Komisar i Tregtisë i BE thotë se në rastin e TTIP nuk është fjala edhe aq në heqjen e barrierave doganore midis partnerëve tregtarë. Shumë më tepër e gjitha ka të bëjë me përafrimin e standardeve të prodhimit, të normave dhe çertifikatave.

Ish-politikani i njohur i CDU-së, Friedrich Merz mendon se vendimi se "cilën normë do të respektojë një prizë, një lidhje kompjuteri apo pjesa përbërëse e një aparati elektrik" si një gjë "tepër politike". "Ata që vendosin sot standardet kanë nesër tregjet", thotë Merz.

Gjykata e Tregtisë si synim afatgjatë

Veçanërisht e debatueshme në bisedimet për TTIP: angazhimi i gjykatave të posaçme private, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis qeverive dhe investorëve të huaj. Sigmar Gabrieli dhe kolegu i tij francez Matthias Fekl patën propozuar në fillim të vitit që mosmarrëveshjet midis investuesve të zgjidhen në një gjykatw të re të tregtisë.

BE e mbështeti këtë propozim në pjesën më të madhe të tij si pozicion evropian në negociatat me SHBA. Në dallim nga gjykatat private të arbitrazhit, në këtë gjykatë do të ketë rregulla të transparencës dhe do të jetë i mundur revizioni. Edhe në këtë pikë, Gjermania dhe Franca kanë pozicione të përbashkëta. Por për kundërshtarët e TTIP, që do të organizojnë një demonstratë të madhe në 10 tetor në Berlin, qëndrimet evropiane janë të paqarta. Ata janë mobilizuar nën moton "të mbrojmë demokracinë - të ndalojmë TTIP".