1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: Arrestohen shumë akademikë në universitete

11 Korrik 2017

Arrestimet në dy universitete vijnë një ditë pasi udhëheqësi kryesor i opozitës foli para më shumë një milion vetëve, në një manifestim. Midis të arrestuarve është edhe një kritik i shquar i qeverisë.

https://p.dw.com/p/2gIXW
Türkei Proteste Demonstration gegen Erdogan
Fotografi: picture-alliance/MAXPPP

Policia turke arrestoi të hënën të paktën 47 akademikë dhe staf universitar. Ky është pjesë e një hetimi në lëvizjen Gulen, të akuzuar për përpjekjen e dështuar për puç vitin e kaluar. Në tërësi u nxorrën 72 urdhëra për arrest të drejtuara akademikëve dhe stafit në universitetin elitar Bogazici University dhe Medeniyet University në Stamboll.

Midis të arrestuarve është Koray Caliskan, një kritik liberal i qeverisë dhe një ish-këshilltar i kryetarit të Partisë Republikane të Popullit (CHP), Kemal Kilicdaroglu. Shkrimet e Caliskanit dhe komentet e tij sugjerojnë se ai nuk ka afëri me partitë islamike.

Si akademikët aktivë, ashtu edhe të tjerë që janë ndaluar, u burgosën me dyshimin se kanë përdorur programin e koduar të mesazheve ByLock, raportoi media turke. Mijëra vetë janë arrestuar vetëm sepse në celularin e tyre u gjet ky program. Sipas autoriteteve, atë e kanë përdorur mbështetësit e klerikut me qëndrim në SHBA, Fethullah Gylen, për të komunikuar dhe për të planifikuar përpjekjen për puç. Gylen, një ish- aleat i Presidentit Rexhep Tayyip Erdogan kundërshton çdo përfshirje në puçin e dështuar.

Më shumë se 50.000 vetë, duke përfshirë ushtarë, nëpunës civilë, mësues dhe akademikë janë arrestuar që prej dështimit të puçit në korrik të vitit të kaluar. 150.000 të tjerë janë dëbuar nga puna nën masat e gjendjes së jashtëzakonshme, të vendosur pas puçit. Qindra media, NGO dhe grupe të të drejtave të njeriut gjithashtu janë mbyllur.

Arrestimet e fundit u bënë një ditë pasi Kilicdaroglu përfundoi një marshim prej gati 450 kilometrash "Marshim për drejtësi", nga Ankaraja në Stamboll. Në manifestim morën pjesë më shumë se një milion vetë, që bënë thirrje për t'i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme dhe padrejtësisë.

Kilicdaroglu u tha manifestuesve se Erdogani e përdori përpjekjen për puç për të kryer një "grusht shteti pallati" kundër demokracisë dhe drejtësisë. Ai kërkoi pavarësinë e drejtësisë e lirimin e parlamentarëve nga burgu.