1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: Rojet e votimeve

Julia Hahn29 Tetor 2015

Terror, korrupsion, manipulim - në Turqi mbizotëron një klimë mosbesimi përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Dhjetra mijëra vullnetarë duan të sigurojnë, që votimi nuk është manipuluar.

https://p.dw.com/p/1Gw76
Türkei Istanbul Wahlen Wahlbeobachter Oy ve Ötesi
Fotografi: DW/C. Roman

Me ngadalë mbushet salla në lagjen Kadiköy të Stambollit. Zakonisht këtu bëhen dasma, por sot e gjitha ka të bëjë me demokracinë. Sercan Çelebi merr mikrofonin dhe del në skenë. "Gjatë gjithë kohës flasim për manipulim të zgjedhjeve, thasë me fletëvotime zhduken, kutitë e votimit zhduken, sikur të jenë gëlltitur papritmas nga toka", thotë ai dhe mesazhi i tij është i qartë. Kjo duhet të ndryshojë. Çelebi është sipërmarrës, ai ka studiuar në Universitetin Yale në SHBA. Por tani, pak para zgjedhjeve më 1 nëntor, ai aktivizohet gjatë gjithë kohës për "Oy ve ötesi", që do të thotë: "Zgjedhje dhe më shumë". Të paktën 70.000 vëzhgues vullnetarë të zgjedhjeve do të mbledhë ai dhe ekipi i tij. Të dielën ato duhet të kenë kujdes që të mos bëhen manipulime: në më shumë se gjysmën e të gjitha qendrave të votimit në të gjithë vendin, nga Stambolli dhe Izmir në perëndim nga Malatya dhe Diyarbakir në lindje.

Sercan Çelebi është themelues i "Oy ve ötesi"
Sercan Çelebi është themelues i "Oy ve ötesi"Fotografi: DW/C. Roman

Mosbesim në zgjedhje

Janë frika dhe pasiguria, që i bëjnë të veprojnë vullnetarët - në një vend, që është bërë i huaj për ta. Pasi AKP-ja në pushtet e Rexhep Taip Erdoganit e humbi shumicën parlamentare për herë të parë në qershor, vendi është më i ndarë se kurrë më parë. Paralajmërimet nga aktet e terrorit përcaktojnë të përditshmen, gazetarët kritikë dhe opozitarët kërcënohen dhe burgosen.

Baris Zoral do të bëjë roje të dielën në një lokal zgjedhor në Kadiköy. "Jam absolutisht i pakënaqur me situatën në vendin tim", thotë 29-vjeçari me syze të rrumbullakëta. "Dhe unë nuk besoj, se në zgjedhje gjithçka do të jetë e rregullt". Po kështu mendon edhe Feriha Eryilmaz, 39 vjeç: "Unë jam e shqetësuar për të ardhmen e fëmnijëve të mi", thotë ajo.

Sipas një studimi të universitetit Koc të Stambollit ndërkohë një ndër dy vetë në Turqi beson në zgjedhjet e rregullta dhe të lira. Në vitin 2007 ishin 70 përqind. Dyshimi nuk është i pabazuar. Në zgjedhjet lokale në pranverë 2014 gjatë numërimit të votave në shumë pjesë të vendit u ndërpre rryma për disa orë. Qeveria ia vuri më pas fajin një maceje, se ajo ishte ngjitur në një shtyllë të shpërndarjes së rrymës të një termocentrali. Që atëherë fjala mace tek opozitarët ka kuptimin e "manipulimit të zgjedhjeve".

Përtej hendeqeve politike

Kërkon të mbledhë 70.000 vullnetarë: Selin Kori
Kërkon të mbledhë 70.000 vullnetarë: Selin KoriFotografi: DW/C. Roman

Në selinë e "Oy ve ötesi" në qendër të Stambollit telefonat nuk kanë të ndalur, dhomat mbushen me një rrëmujë bisedash. Në zgjedhjet parlamentare në qershor "Oy ve ötesi" nuk ka zbuluar në fakt manipulime, thotë Selin Kori. "Por fakti që kaq shumë njerëz besojnë për këtë, është problem." Që prej themelimit pas protestave kritike ndaj qeverisë në sheshin Gezi në vitin 2013 vullnetarët e "Oy ve ötesi" kanë vëzhguar katër zgjedhje. Kush do të marrë pjesë, thotë Kori, regjistrohet në faqen e internetit të organizatës. Pastaj vjen ftesa për një seminar trajnimi. "Tek ne regjistrohen njerëz të të gjitha moshave, votues të AKP, MHP, CHP apo HDP", thotë Kori. "Ata marrin pjesë, sepse tek ne nuk është fjala për ideologji politike, por se jemi të pavarur".

Pavarësia, transparenca, bashkëpunimi dypartiak - këto parime ua thekson Sercan Çelebi në Kadiköy vëzhguesve të ardhshëm. Për to ka një kurs përgatitor: Dita e zgjedhjeve fillon për vullnetarët në orën 7 të mëngjesit, ata kujdesen që kutitë e votimit të jenë të mbyllura dhe bosh, që asnjë votues të mos votojë dy herë apo të kthehet pa votuar. Më vonë ata numërojnë çdo fletë votimi dhe i dërgojnë rezultatet e tyre në selinë në Stamboll, në mënyrë që ata të mund të krahasohen atje me rezultatin zyrtar të zgjedhjeve.

"Drejtësi dhe besim" - këtë dëshirojnë vullnetarët në votime
"Drejtësi dhe besim" - këtë dëshirojnë vullnetarët në votimeFotografi: DW/C. Roman

Vëzhgues të zgjedhjeve apo terroristë?

Por sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë kritika duhet të dëgjojnë vëzhguesit. Mediat e afërta me qeverinë akuzojnë "Oy ve ötesi" për lidhje me grupet terroriste si PKK dhe akuzojnë vullnetarët se nuk duan të vëzhgojnë zgjedhjet, por t'i manipulojnë qëllimisht ato. "Unë zgjohem çdo ditë dhe shoh se përsëri dikush ka përhapur gënjeshtra për mua në twitter", thotë Sercan Çelebi. Por vullnetarët nuk duan ta lënë veten të frikësohen. Dhjetëra mijëra do të kontrollojnë dhe do të numërojnë të dielën. "Nëse në ditën pas zgjedhjeve askush nuk do të flasë për manipulim dhe mashtrim", thotë Çelebi, "atëherë do të jemi të kënaqur."