1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia ashpërson kontrollin e internetit

E. Xhani (afp, ap, dpa, tagesschau.de)6 Shkurt 2014

Në të ardhmen Turqia do të kontrollojë më rreptë internetin. Parlamenti në Ankara miratoi një ligj përkatës, i cili ndër të tjera lejon bllokimin e faqeve të internetit pa pasur nevojë për një vendim gjykate.

https://p.dw.com/p/1B3dd
Parlamenti në Ankara
Fotografi: ADEM ALTAN/AFP/Getty Images

Projektligji i paraqitur nga kryeministri Rexhep Taip Erdogan i detyron ofruesit e shërbimeve të internetit të ruajnë për dy vjet të dhënat e përdoruesve, njoftojnë mediet turke. Autoritetet me këtë ligj marrin të drejtën të kërkojnë nga ofruesit e internetit dorëzimin e të dhënave të përdoruesve.

Ligji i ri është mjaft i kontestuar në Turqi. Vendimi në Parlament u mor pas një debati të nxehtë që zgjati disa orë. Partia islamiko-konservatore e kryeministrit Erdgoan AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) ka një shumicë komode prej 319 nga gjithsej 550 vendet në parlament. Qeveria argumenton se ligji i ri kontribuon në mbrojtjen më të mirë të të drejtave të personit në internet. Një deputet i AKP-së i argumentoi masat me mbrojtjen e familjeve, fëmijëve dhe të rinjve nga përmbajtje që "nxisin konsumin e drogës, abuzimin seksual dhe vetëvrasjet".

Internet Cafe në Stamboll
Fotografi: Ugur Can/AFP/Getty Images

Kritikët flasin për kufizim të lirisë

Opozita nga ana e saj kritikoi që ligji i jep pushtet qeverisë të vendosë në mënyrë arbitrare për bllokimin e përmbajtjeve në internet. Me bllokimin e planifikuar Erdogan kërkon të mbysë kritikën ndaj qeverisë së tij. Deputeti Altan Tan nga Partia prokurde për Paqe dhe Demokraci (BDP) tha se masat kanë si pasojë vetëm një kufizim të lirisë. Hasan Ören nga partia opozitare CHP e akuzoi qeverinë madje për "fashizëm".

Kritikë erdhi edhe nga jashtë Turqisë. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) paralajmëroi se të drejtat e reja, shumë të gjera të autoritetit të telekomunikacionit, kanë si rrjedhojë që të dhënat e përdoruesve të internetit mund të mblidhen "pa asnjë kufizim ligjor" dhe përdoruesit nuk e dinë "kur dhe si" ndodh kjo.

Organizata e gazetarëve Reporterë pa Kufij deklaroi se synimi i vetëm i masve është "një censurë më e fortë e internetit, kontroll dhe mbikqyrje e tij".

Zv/kryeministri turk Bylent Arinc i hodhi poshtë kritikat: ligji nuk është "censurë e internetit". "Ne jemi shumë më të lirë se vende shumë vende të tjera dhe kemi liri shtypi", theksoi ai. Ligji duhet të nënshkruhet edhe nga Presidenti Abdullah Gyl.

Deri tani nevojitej vendim gjykate

Mediet social në Turqi - pamje simbolike
Fotografi: AFP/Getty Images

Në Turqi edhe më parë në mënyrë të përsëritut janë bllokuar platforma popullore interneti, të cilat ishin përdorur edhe nga kundërshtarë të Erdoganit dhe lëvizja turke e protestës si mjet komunikimi. Por kjo ishte e mundur vetëm me një vendim gjykate, i cili sipas legjislacionit të ri nuk është më i nevojshëm.

Të prekura kanë qenë në të kaluarën platforma Wordpress dhe portalet DailyMotion dhe Vimeo. Youtube ka qenë i bllokuar dy vjet me radhë deri në 2011. Gjatë protestave vetën e kaluar Erdogan kritikoi si "nxitësh trazirash" portalin e lajmeve të shkurtra Twitter, i cili ishte përdorur intensivisht nga lëvizja e protestës.

Koncerni i internetit Google në raportin e tij për transparencën në muajin dhjetor, e rendiste Turqinë në një shkallë me Kinën sa i takon censurës së internetit.