1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendum për anëtarësim në BE?

Zoran Arbutina
28 Mars 2017

Referendumi i kërkuar nga Erdogani për negociatat e anëtarësimit në BE do të thoshte fundin e perspektivës evropiane dhe pranimin e realitetit politik, mendon Zoran Arbutina.

https://p.dw.com/p/2aA1F
Symbolbild Deutschland - Türkei
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Zinken

Fenomeni është i njohur: bërja publike e diçkaje që e ke ndrydhur në vetvetepër një kohë të gjatë, paraqitja e fakteve dhe thënia e së vërtetës - të çliron, të heq një ngarkesë dhe të jep energji. Kjo vlen për individin, por edhe për shoqërinë - si në aspektin privat ashtu edhe atë politik.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tani ka bërë të ditur në një prej paraqitjeve të shumta kundër Bashkimit Evropian, se po e mendon edhe mundësinë e kërkesës së një referendumi lidhur me negociatat e anëtrësimit në BE. Natyrisht pas referendumit për ndryshimet kushtetuese më 26 prill, me të cilin pretendon të forcojë edhe më shumë pushtetin e tij. Kërcënimi i formuluar është shumë i qartë: populli turk do të mund të kërkonte ndërprerjen e negociatave për anëtarësim në BE!

Arbutina Zoran Kommentarbild App
Zoran Arbutina

Një histori e pafund 50-vjeçare

Në këtë mënyrë do të mbyllej definitivisht perspektiva që vendi me 78 milionë banorë, me një prodhim bruto vjetor prej 735 miliardë dollarë amerikanë dhe me një pozitë shumë të rëndësishme gjeostrategjike të lidhet më fuqishëm me BE-në. Projekti turko-evropain ka filluar kaherë. Turqia për herë të parë ka kërkuar anëtarësim në vitin 1959, ndërsa në vitin 1963 është nënshkruar në Ankara një marrëveshje, me të cilën hapej mundësia e anëtarësimit në Bashkësinë Ekonomike Evropiane. Ndërsa para 12 vitesh kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE.

Por këto negociata nuk janë shndërruar kurrë në një çështje zemre në Turqi, e të mos flasim për BE-në. Negociatat kanë qenë prej fillimit të përmbajtura - reformat janë realizuar shumë ngadalë. Ndër evropianët ka shumë rezerva, e madje edhe refuzime të anëtarësimit të Turqisë në BE, me argumentimin, se atje ka shumë mangësi demokratike, mangësi në shtetin juridik dhe se shteti atje është tepër i ngarkuar me idetë e fesë islame. Palët nuk i besojnë njëra-tjetrës deri në fund. Ndërsa në negociata shikohen më shumë si kundërshtarë dhe jo si partnerë.

Në vendet e BE-së nuk ka ekzistur kurrë një shumicë që e mbështet anëtarësimin e Turqisë. Shumica e njerëzve theksojnë dallimet fetare dhe kultorore dhe janë të mendimit se Turqia thjesht nuk i takon Evropës. Pas përpjekjes për puç dhe reagimeve të ashpra ndaj kundërshtarëve, kjo ndjenjë është forcuar.

Por kjo vlen edhe për popullin e Turqisë, sepse ndërkohë shumica atje e refuzon idenë e anëtarësimit në BE. Para 12 vitesh ishte ndryshe, por prej protestave në Parkun Gazi, Erdogani është duke ndjekur një kurs tjetër antievropian dhe për këtë ka mbështetjen e shumciës në Turqi.

Perspektiva

Nga kjo perspektivë nuk të befason paralajmërimi i Erdoganit që të mbajë një referendum edhe për negociatat e anëtarësimit në BE. Pas këtij paralajmërimi fshihet bindja se shumica në BE dhe në Turqi nuk e mbështet këtë projekt. Ndaj duhet të jemi konseguent dhe të ndershëm për të formuluar qartë atë që nuk thuhet. Shikimi i së vërtetës në sy të bën mirë dhe të lehtëson. Ky hap mund të çlirojë energji tek palët. Turqia mund të rishikojë rolin e saj në rajon dhe të ripërkufizojë raportet me BE-në. Por edhe BE-ja mund të sqarojë raprotet me këtë partner të rëndësishëm ekonomik dhe ushtarak, me një pozitë të rëndësishme gjeostrategjike. Ndërkohë që do të mund të përqendrohej atje ku duhet të angazhohet më shumë në procesin e reformave dhe zgjerimit, atje ku ato janë të domosdoshme. Atje ku procesi i anëtarësimit në BE ende ka një fuqi të madhe tërheqëse - në Ballkanin Perëndimor.