1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia dhe Izraeli larg pajtimit

Ayhan Simsek/Elona Elezi5 Nëntor 2012

Marrëdhëniet e acaruara mes Turqisë dhe Izraelit mund të pësojnë një tjetër goditje gjatë kësaj jave, me nisjen e një procesi të diskutueshëm gjyqësor ku katër komandantë izraelitë do të gjykohen nga një gjykatë turke.

https://p.dw.com/p/16dAx
Fotografi: AP

Një gjykatë në Stamboll do të nisë përgjatë së martës shqyrtimin e gjykimit për katër komandantë të lartë izraelitë, të cilët dyshohen si personat përgjegjës për sulmin vdekjeprurës në flotën Mavi Marmara, ngjarje e ndodhur në vitin 2010. Prokurori i çështjes ka lëshuar për katër zyrtarët izraelitë nëntë akt-akuza me dënime të përjetshme. Komandatët, përfshirë edhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gabi Ashkenazi, do të gjykohen në mungesë.

Gjyq historik - Izraeli kundër

Izraeli e konsideron çështjen si "një proces të njëanshëm gjyqësor" dhe ka refuzuar të bashkëpunojë, dhe shumë ekspertë vënë në pikëpyetje faktin nëse gjykata penale turke ka juridiksionin e duhur për gjykimin e këtij rasti. Por aktivistët dhe familjarët e viktimave të Mavi Marmara-s kanë pritshmëri të larta nga gjykimi. "Ky do të jetë një gjyq historik," thotë Gulden Sonmez, juriste dhe anëtare bordi në Shoqatën e Bamirësisë Islamike IHH, anëtarët e së cilës u vranë gjatë sulmit. "Përgjegjësit e krimeve kundër njerëzimit duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre," thekson ajo. "Ky sigurisht që nuk mund të jetë një proces simbolik. Nëse shpallen fajtorë, këta komandantë izraelitë mund të arrestohen kudoqofshin nëpër botë, me anë të një urdhri ndërkombëtar arresti nga ana e Interpol," pretendon Sonmez.

Flota Mavi Marmara
Flota Mavi MarmaraFotografi: dapd

Proces gjyqësor gjithëpërfshirës

Gjykata turke ka lëshuar tashmë fletë-thirrjet për komandantët izraelitë, dhe sipas avokatëve gjykata mund të lëshojë një mandat për arrestimin e tyre menjëherë pas dëshmive të para, ku pritet të dëshmojnë 490 dëshmitarë nga 37 vende të ndryshme. Aktivistët besojnë se gjyqi do të zgjerohet përgjatë javëve në vijim, me anë të një procesi të ligjshëm kundër dhjetëra ushtarakëve dhe personelit civil izraelit që është përgjegjës për sulmin. Ata thonë se gjyqi më në fund do të mund të vërë në vend drejtësinë dhe gjithashtu të mënjanojë qeverinë izraelite në lidhje me politikat e Gazës.

Gjykim pa vlerë ligjore?

Pavarësisht pritshmërive të tyre të mëdha, vëzhguesit e shohin vlefshmërinë ligjore të vendimit dhe zbatueshmërinë praktike të tij, si shumë të diskutueshëm. Por në media ka pasur spekulime, kur është raportuar se Izraeli u ka thënë më shumë se 150 zyrtarëve dhe ushtarakëve që kanë lidhje me incidentin e Mavim Marmara-s, që të mos udhëtojnë jashtë kufijve pasi ekziston rreziku që të arrestohen e më pas të ekstradohen drejt Turqisë.

Dy vite më parë, aktivistë të të drejtave të njeriut nga 37 vende të ndryshme tentuan të thyejnë bllokadën detare të Gazas me anë të flotës Mavi Marmara. Fushata u sponsorizua nga Shoqata Bamirëse Islamike IHH, e cila njihet për lidhjet e ngushta me qeverinë turke. Operacioni ushtarak i Izraelit për të ndaluar flotën në ujërat ndërkombëtare përfundoi me gjakderdhje. Nëntë aktivistë turkë u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën.

Pas sulmit ndaj flotës detare të Mavi Marmara-s, marrëdhëniet Turqi-Izrael "morën pikiatën". Turqia përjashtoi ambasadorin izraelit, uli nivelin e marrëdhënieve diplomatike dhe pezulloi lidhjet ushtarake me Izraelin. Përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të hetuar rreth incidentit dhe tentativat diplomatike për të arritur në një marrëveshje mes dy shteteve, dështuan.

Parlamenti izraelit
Parlamenti izraelitFotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Tre kushtet e Turqisë

Qeveria konservative islamike turke AKP kërkon falje zyrtare dhe kompensim për familjarët e viktimave, dhe gjithashtu ndërmarrjen e hapave për t´i dhënë fund bllokadës së Gazës. "Nëse Izraeli dëshiron të normalizojë marrëdhëniet me mikun më të madh në botën islame, duhet të përmbushë këto tre kushte," thotë Egemen Magis, ministër i Turqisë në BE dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Erdogan, gjatë vizitës së këtij të fundit në Berlin javën e kaluar. "Ne nuk jemi të kënaqur me përkeqësimin e marrëdhënieve me Izraelin. Por ne jemi shumë të ndjeshëm në lidhje me këtë çështje," tha Bagis, duke fajësuar ushtrinë izraelite për ekzekutimin e aktivistëve në flotën e Mavi Marmara.

Partnerë të vjetër, rivalë të rinj

Përkeqësimi i lidhjeve mes Turqisë dhe Izraelit është kthyer në një shqetësim në rritje për administratën e Shteteve të Bashkuara dhe kryqyteteve evropiane. Turqia dhe Izraeli i janë gëzuar marrëdhënies së veçantë dhe të ngushtë që kanë patur për më shumë se gjysmë shekulli, pavarësisht ulje-ngritjeve të shumta. Turqia ka qenë vendi i parë me popullsinë më të madhe myslimane që ka njohur zyrtarisht Izraelin dhe që hapi ambasadën e parë në Tel-Aviv. Ankaraja gjithashtu ka ndërmjetësuar për marrëdhënie më të ngushta mes Izraelit dhe vendeve të tjera myslimane.

Nevoja për ndryshim politik

"Mendoj se qeveria e Erdoganit ka braktisur marrëdhëniet e mira me Izraelin me kusht rritjen e ndikimit të Turqisë në botën arabe,” i tha DW një diplomat izraelit, duke folur anonimisht për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. "Por korrigjimi i marrëdhënieve mes dy shteteve është në të mirën e të dy vendeve. Kjo është më shumë evidente me sfidat e reja në rajon," theksoi diplomati, duke iu referuar krizës në Siri. "Kam besimin se shumë shpejt ne do të gjejmë zgjidhjen për të korrigjuar lidhjet tona."

Tashmë në Ankara të gjithë sytë janë nga zgjedhjet izraelite që do të mbahen në janarin e ardhshëm, rezultat i cili sipas diplomatëve do të ndikojë pozitivisht në pajtimin mes Turqisë dhe Izraelit. Një tjetër faktor i rëndësishëm do të jetë politika e Erdoganit. Mbetet ende e paqartë nëse ai do të ndëmarrë hapa madhorë për të korrigjuar marrëdhëniet me Izraelin. Por ai e ka bërë tashmë të qartë se është i vendosur për të vijuar përpjekjet e tij në heqjen e bllokadës së Gazas.

Erdogan u tha gazetarëve gjatë fluturimit nga Ankaraja në Berlin se ai ka në plan që të vizitojë Gazan së shpejti, plan i cili ka të ngjarë të tërheqë zemëratën e Izraelit. Erdogan deklaroi se kancelarja gjermane Angela Merkel i kërkoi atij përgjatë së mërkurës së kaluar, që të ndërmerrte hapa për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe se ai kishte përsëritur qëndrimin e Turqisë. "Të tre kërkesat tona duhet të realizohen. Turqia është hapur për një falje zyrtare dhe kompensim nga ana e Izraelit, por nuk tërhiqet nga heqja e bllokadës së Gazës."